Zbulesa
Çdo ditë, në Shërbesën e Mëngjesit, Kisha Orthodhokse shpall: “Perëndia është Zoti dhe u shfaq ndër ne; i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit” (Psalmi 118:26-27).
Themeli i doktrinës së krishterë gjendet në këtë rresht biblik: Perëndia e ka zbuluar Vetveten tek ne. Perëndia e ka shfaqur Vetveten tek krijesat e Tij. Ai nuk e ka zbuluar qenien e Tij më të thellë, sepse esenca e brendshme e Perëndisë nuk mund të kuptohet nga krijesat. Por, Perëndia ka treguar çfarë njeriu mund të shohë dhe të kuptojë nga natyra dhe vullneti i Tij hyjnor.
Plotësia dhe përkryerja e vetëzbulesës së Perëndisë gjendet në Birin e Tij Jisu Krisht, plotësimi i zbulesës graduale dhe të pjesshme të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Jisui është me të vërtetë “i bekuar Ai që vjen në emrin e Zotit”.
Titulli i parë që iu dha Jisuit nga populli, është titulli Rabi, që do të thotë mësues. Pasuesit e Tij u quajtën dishepuj, që do të thotë nxënës. Pikësëpari, Jisui erdhi tek njerëzit si Mësuesi i dërguar nga Perëndia. Ai u mëson atyre vullnetin e Perëndisë dhe e bën Perëndinë të njohur tek ata. Ai i zbulon në mënyrë të plotë – të plotë, sa njerëzit mund të kuptojnë – misteret e Mbretërisë së Perëndisë. Ardhja e Jisuit si mësues është një nga aspektet e të qenurit të tij Krisht, Mesia. Fjala Krisht është përkthimi në greqisht i fjalës hebraike Mesia, që do të thotë i Lyeri i Perëndisë. Ishte parathënë, se kur do të vijë Mesia, njerëzit “do të mësoheshin nga Perëndia” (Isaia 54:13; Joani 6:45).
Jisui erdhi tek njerëzit si mësuesi hyjnor. Ai thotë në shumë raste, që fjalët e tij janë të Perëndisë. Ai foli si “një që ka autoritet”, jo si mësuesit e zakonshëm Judenj (Mattheu 7:29). Dhe Ai i akuzon ata që nuk pranojnë mësimin e tij, sikur nuk pranojnë Perëndinë Vetë. “Ai që më beson mua, nuk më beson mua, por atë që më dërgoi. Edhe ai që më vë re mua, vë re atë që më dërgoi. Unë kam ardhur dritë në botën. Sepse unë nuk fola prej vetes, por Ati që më dërgoi, Ai më dha porosi çfarë të them, e çfarë të flas. sa pra flas unë, sikundër më ka thënë Ati, ashtu flas”. (Joani 12:44-50).
Jisui i mësoi njerëzit, jo vetëm me fjalët e tij, por gjithashtu, me veprat e tij; dhe për më tepër me vetë personin e tij. Ai thotë, se Ai është e Vërteta (Joani 14:6) dhe Drita (Joani 8:12). Ai e tregon veten e tij, jo vetëm që flet fjalët e Perëndisë, por që ai vetë është Fjala e Gjallë e Perëndisë në mish njerëzor, Logos, që është i përjetshëm dhe i pakrijuar, por që u bë njeri si Jisui i Nazaretit për ta bërë Perëndinë të njohur në botë.
“Në fillim ishte Fjala (LOGOS) dhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi. Ajo ishte që në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të asaj, edhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë. Në atë ishte jetë dhe jeta ishte drita e njerëzve. Edhe drita ndrit në errësirë, edhe errësira nuk e kuptoi. Ishte drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri, kur vjen në botë. Ishte në botë, dhe bota u bë me anë të atij, por bota nuk e njohu atë. Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin e atij, lavdi porsi të vetëmlinduri nga Ati), plot me hir e me të vërtetë. Edhe të gjithë ne muarrmë prej të mbushurit të atij, edhe hir mbi hir. Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, por hiri dhe e vërteta me anë të Jisu Krishtit. Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë, veç i Vetëmlinduri Bir, që është në gji të Atit, ai na e tregoi.” (Shih Joani 1:1-18. Ungjilli i kënduar në Meshën e Pashkës, në Kishën Orthodhokse).
Jisui i mësoi njerëzit, jo vetëm me fjalët e tij, por gjithashtu, me veprat e tij; dhe për më tepër me vetë personin e tij. Ai thotë, se Ai është e Vërteta (Joani 14:6) dhe
Drita (Joani 8:12). Ai e tregon veten e tij, jo vetëm që flet fjalët e Perëndisë, por që ai vetë është Fjala e Gjallë e Perëndisë në mish njerëzor, Logos, që është i përjetshëm dhe i pakrijuar, por që u bë njeri si Jisui i Nazaretit për ta bërë Perëndinë të njohur në botë.
Kisha e parë e kishte përkushtuar vetveten në “doktrinën e apostujve” (Veprat 2:42). Fjala doktrinë, do të thotë thjesht mësim ose instruksion. Doktrina e Apostujve është doktrina e Krishtit, që u bë doktrina e Kishës së Krishterë. Ajo pranohet nga nxënësit e çdo moshe dhe çdo brezi, si vetë doktrina e Perëndisë. Është lëçitur kudo dhe kurdoherë si doktrina e jetës së përjetshme, nëpërmjet të cilës të gjithë njerëzit dhe e tërë bota janë ndriçuar dhe shpëtuar. Në këtë pikë duhet përmendur, që, ndonëse vetëzbulesa e Zotit në histori, nëpërmjet popullit të zgjedhur të Izraelit – zbulesë që arrin kulmin me ardhjen e Krishtit, Mesias – është e rëndësisë së parë, sepse është, gjithashtu, doktrina e Kishës së Krishterë, që thekson se tërë përpjekjet e njerëzve për të vërtetën janë përmbushur në Krishtin. Çdo depërtim i vërtetë në kuptimin e jetës arrin përkryerjen në Ungjillin e Krishterë. Etërit e Shenjtë të Kishës, na mësuan, që dëshirat dhe përpjekjet e feve pagane dhe dituria e filozofëve të vjetër janë gjithashtu, të afta për të përgatitur njerëzit për doktrinën e Jisuit dhe janë rrugë të mundshme drejt së Vërtetës së vetme të Perëndisë.
Në këtë mënyrë, të krishterët i shikonin disa filozofë grekë të antikitetit, si të ndriçuar nga Perëndia, për t’i shërbyer çështjes së të Vërtetës dhe për t’i udhëhequr njerëzit drejt plotësisë së jetës në Perëndinë, meqenëse Fjala dhe Dituria e Perëndisë është zbuluar tek tërë njerëzit dhe gjendet në tërë ata, të cilët në pastërtinë e mendjes dhe zemrës së tyre kanë qenë frymëzuar nga Drita Hyjnore, e cila ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Kjo Dritë Hyjnore është Fjala e Perëndisë, Jisui i Nazaretit si njeri, përsosja dhe përmbushja e vetëzbulesës së Perëndisë në botë. Nuk mund të mos theksohet, se zbulesa hyjnore në Dhiatën e Vjetër, në Kishën e Dhiatës së Re, në jetët e shenjtorëve, në diturinë e etërve, në bukurinë e krijimit… dhe më e plotë dhe më e përsosur në Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, është zbulesa e Vetë Perëndisë. Perëndia ka folur. Perëndia ka vepruar. Perëndia e ka shfaqur Vetveten dhe vazhdon ta shfaqë në jetën e popullit të Tij.
Nëse ne duam të dëgjojmë zërin e Perëndisë dhe të shohim veprat e vetëzbulesës së Perëndisë në botë, ne duhet të pastrojmë mendjet dhe zemrat tona nga çdo gjë që është e keqe dhe e rreme. Ne duhet të përpiqemi të duam të vërtetën, të duam njëri-tjetrin dhe të duam gjithçka në krijimin e mirë të Perëndisë. Sipas Besimit Orthodhoks, pastrimi prej mëkatit dhe gënjeshtrës është rruga për të njohur Perëndinë. Nëse ne e hapim vetveten ndaj Hirit Hyjnor dhe e pastrojmë vetveten prej çdo gjëje të ligë, atëherë është e sigurt që ne do të jemi të aftë ta kuptojmë drejt Shkrimin dhe të arrijmë një kungim* të gjallë me Perëndinë e Gjallë dhe të Vërtetë, që e ka zbuluar Vetveten dhe vazhdon ta zbulojë tek ata që e duan Atë.
__________________
* Me “kungim” është përkthyer fjala anglisht communion. Communion vjen nga latinishtja Communionis (që do të thotë përbashkësi, shoqëri, pjesëmarrje, bashkëpërjetim). Kjo fjalë është përdorur për të përkthyer fjalën greke κοινωνία (kinonia), që ka të njëjtin kuptim. Shën Pavli (2 Korinthianëve 13:14) e përdor këtë fjalë për pjesëmarrjen në fazat e detajuara të jetës së Krishtit. Në shqip është përkthyer me fjalë të ndryshme (të gjitha i kanë kuptimet e kinοnia), si kungimi, pjesëmarrja dhe shoqëria. Konstandin Kristoforidhi dhe Imzot Theofan Noli e kanë përkthyer “dhe shoqëria e Shpirtit të Shenjtë”, ndërsa në Librin e Shërbesave të Shenjta (botuar në 1961) është përkthyer “dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë”; po ashtu është dhe në Librin e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse (botuar 1994). Unë mendova të përdor “kungim”, ngaqë kjo fjalë, së pari, është një fjalë e vjetër e fondit terminologjik fetar shqiptar dhe ka po atë kuptim, siç ka fjala e përdorur në greqisht dhe latinisht, prandaj do ishte mirë të ringjallet; dhe së dyti, mua më duket sikur e shpreh më mirë kuptimin linguistiko-teologjik të kinοnia. Fjalët e tjera, si pjesëmarrje, shoqëri, bashkëpërjetim, ndonëse janë të sakta, japin vetëm një aspekt të kinonia. Ndërsa fjala kungim i përfshin tërë kuptimet e tjera, si pjesëmarrje, përbashkësi, shoqëri dhe bashkëpërjetim.