Tradita

Kjo traditë e krishterë është pasuar brez pas brezi, në kohë dhe në hapësirë. Tradita, si fjalë, ka po atë kuptim: është ajo që “pasohet” dhe “transmetohet” nga njëri tek tjetri. Pra, Tradita e Shenjtë është ajo që është pasuar dhe transmetuar brenda Kishës, qysh prej kohës së Apostujve të Krishtit deri në ditët tona. Por, Tradita e Shenjtë nuk është kufizuar vetëm në dokumentet e shkruara; dhe nuk është vetëm një grup shkrimesh. Ajo është jeta dhe përvoja tërësore e tërë Kishës, transmetuar nga një vend në tjetrin dhe brez pas brezi. Tradita është jeta e vërtetë e vetë Kishës, që udhëhiqet dhe frymëzohet prej Shpirtit të Shenjtë.
Jo gjithçka që gjendet në Kishë i përket Traditës së Shenjtë, sepse jo gjithçka në Kishë është bërë nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë dhe jo gjithçka në Kishë i përket esencialisht dhe domosdoshmërisht Mbretërisë së Perëndisë. Disa gjëra në Kishë janë të përkohshme dhe thjesht zakone dhe tradita njerëzore dhe nuk kanë vlera të përjetshme dhe të përhershme. Gjëra të tilla, në vetvete nuk janë të gabuara apo mëkatare. Përkundrazi, ato ndoshta mund të jenë pozitive dhe ndihmuese për jetën e Kishës, përderisa ato të mos konsiderohen të jenë çfarë ato nuk janë.

Ndërmjet elementeve që formojnë Traditën e Shenjtë të Kishës, Shkrimi i Shenjtë është në vend të parë. Pastaj vjen Jeta Liturgjike e Kishës dhe lutja e saj, pastaj vendimet e saj dogmatike dhe veprat e saj, të aprovuara nga sinodet e Kishës, shkrimet e Etërve të Kishës, jetët e shenjtorëve, e drejta kanonike dhe, së fundi, tradita ikonografike, së bashku me forma të tjera të frymëzuara të shprehjeve krijuese artistike, si muzika dhe arkitektura.
Të gjitha elementet e Traditës së Shenjtë janë lidhur organikisht së bashku në jetën reale të Kishës. Asnjë prej tyre nuk qëndron vetëm. Asnjë nuk mund të ndahet apo të izolohet prej tjetrës, ose prej tërësisë së jetës së Kishës. Gjithçka vjen e gjallë në përjetimin aktual të jetës së Kishës, në çdo moshë dhe brez, në çdo kohë e vend. Përsa Kisha vazhdon të jetojë prej frymëzimit të Shpirtit të Shenjtë, Tradita e Shenjtë e Kishës do të vazhdojë të rritet e të zhvillohet. Ky proces do të vazhdojë deri në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, në mbarim të kohës.
