Shkrimi i Shenjtë
Regjistrimi i shkruar i zbulesës së Perëndisë është Shkrimi i Shenjtë.Është quajtur gjithashtu Bibla, që do të thotë libër ose libra. Shkrimi i Shenjtë u shkrua nëpër mijëra vjet nga njerëz të ndryshëm. Ndahet në dy dhiata ose besëlidhje. Dy dhiatat bazë janë e Vjetra dhe e Reja; secila prej tyre ka shkrimin e saj. Si një libër, Shkrimi i Shenjtë përmban lloje të ndryshme shkrimesh: legjislacion, profeci, histori, poezi, tregim, proverba, lutje, letra dhe vegime simbolike.
Dhiata e Vjetër
Dhiata e Vjetër fillon me pesë librat e Ligjit, të quajtur Pentateuku, që do të thotë pesë librat. Këto pesë libra quhen gjithashtu Torah, që do të thotë Ligj, Instruksion. Ngadonjëherë, këto libra janë quajtur Librat e Moisiut, meqenëse ata përqendrohen në eksodin dhe në ligjet e Moisiut.
Në Dhiatën e Vjetër janë gjithashtu librat e historisë së Izraelit; librat të quajtur librat e Urtësisë, si Psalmet, Proverbat dhe Libri i Jobit; dhe librat e profecive, që mbajnë emrat e profetëve të Dhiatës së Vjetër. Një profet është ai që flet Fjalën e Perëndisë drejtpërdrejt me anë të frymëzimit hyjnor. Kuptimi i dytë, është ai i parashikimit të së ardhmes.
Kisha Orthodhokse përfshin në librat e Dhiatës së Vjetër edhe librat e ashtuquajtur apokrifë, që do të thotë shkrimet e fshehura. Kisha jonë nuk i quan apokrifë, po dhefterokanonikë (Kanonikët e dytë). Kisha të tjera (protestantët), i vendosin këto në një radhë të dytë ose ia mohojnë atyre frymëzimin hyjnor (shih më poshtë tabelën).
Dhiata e Re
Në qendër të Shkrimeve të Dhiatës së Re janë katër ungjijtë e Mattheut, Markut, Llukait dhe Joanit, të cilët janë quajtur ungjillorë, që do të thotë shkrues i ungjillit. Ungjilli në greqisht quhet evangelion, që do të thotë, siç e kemi përmendur “lajm i mirë”, “sihariq”.
Në shkrimin e Dhiatës së Re është gjithashtu libri i Veprave të Apostujve, shkruar nga Shën Llukai. Në të janë gjithashtu katërmbëdhjetë letra të Apotull Pavlit, ndonëse ndoshta disa, si Letra e Hebrejve, nuk u shkruan direkt nga ai. Gjithashtu, janë tri letra të Apostullit Joan, dy të Apostullit Pietër dhe nga një të Apostujve Jakov dhe Juda. Në fund është Libri i Zbulesës, i quajtur gjithashtu Apokalipsi, shkruar nga Shën Joan Ungjillori (shih tabelën).
Për orthodhoksët, Shkrimi i Shenjtë është burimi kryesor i shkruar i Doktrinës Hyjnore, meqënëse Vetë Perëndia i frymëzoi këto shkrime me anë të Shpirtit të Shenjtë (shih 2 Timotheu 3:16 dhe 2 Pietri 1:20-21). Kjo është doktrina e frymëzimit të Shkrimit të Shenjtë, që do të thotë se njerëz të frymëzuar nga Perëndia i shkruan fjalët, të cilat janë me të vërtetë fjalët tona njerëzore – të gjitha fjalët janë njerëzore! – por, megjithatë, të gjitha mund të quhen Fjalët e Perëndisë. Kështu, Shkrimi i Shenjtë është Fjala e Perëndisë në formë të shkruar, sepse ai përmban, jo vetëm thjesht mendimet dhe pervojën e njerëzve, por vetëzbulesën e vërtetë të Perëndisë.
Qendra e Shkrimit të Shenjtë, si Fjala e shkruar e Perëndisë në formë njerëzore, është personi i Fjalës së Gjallë të Perëndisë në formë njerëzore, Jisu Krishti. Të gjitha pjesët e Shkrimit të Shenjtë janë interpretuar në Kishën Orthodhokse nën dritën e Krishtit, meqënëse çdo gjë në Shkrimin të çon tek Krishti dhe flet rreth Tij (Lluka 24:44). Ky fakt është simbolizuar në Kishën Orthodhokse nga fakti, që vetëm libri i Katër Ungjijve qëndron në altarin e kishave tona dhe jo tërë Shkrimi i shenjtë. Kjo e ka arsyen, sepse gjithçka në Shkrimin e shenjtë është përmbushur në Krishtin.
Dhiata e Vjetër |
Dhiata e Re |
Gjeneza (Zanafilla) | Mattheu |
Eksodi (Dalja) | Marku |
Levitiku | Lluka |
Numrat | Joani |
Dhefteronomi (Ligji i Përtërirë) | Veprat e Apostujve |
1. Makabejtë | Romanët |
2. Makabejtë | 1. Korinthianët |
3. Makabejtë | 2. Korinthianët |
1. Esdra | Galatianët |
2. Esdra | Efesianët |
Jisui i Naviut | Filipianët |
Gjyqtarët | Kolosianët |
Ruthi | 1. Thesalonikasit |
1. Mbretërit ( I Samueli) | 2. Thesalonikasit |
2. Mbretërit (II Samueli) | 1. Timotheu |
3. Mbretërit (I Mbretërit) | 2. Timotheu |
4. Mbretërit (II Mbretërit) | Tito |
1. Kronikat | Filemoni |
2. Kronikat | Hebrejtë |
Nehemia | Jakovi |
Ester | 1. Pietri |
Judith | 2. Pietri |
Jobi | 1. Joani |
Psalmet | 2. Joani |
Proverbat | 3. Joani |
Kishtari | Juda |
Kënga e Këngëve | Zbulesa (Apokalipsi) |
Dituria e Sirakut | |
Urtësia e Solomonit | |
Tobia | |
Letra e Jeremisë | |
Baruhu | |
Isaia | |
Jeremia | |
Vajtimet | |
Ezekieli | |
Danieli | |
Osea | |
Joeli | |
Amos | |
Abdia | |
Mikah | |
Nahum | |
Avakum (Habakuk) | |
Sofonia | |
Agai | |
Zaharia | |
Malakia |