Liturgjia

     Liturgjia e popullit të Dhiatës së Vjetër ishte adhurimi zyrtar në tempullin e Jerusalemit sipas Ligjit të Moisiut, si dhe festat e agjërimet vjetore dhe lutjet e shërbesat private të bëra nga izraelitët në shtëpi apo në sinagoga. Sinagogat janë ndërtesat e tubimit; ato nuk janë tempuj, meqenëse, sipas Ligjit ishte vetëm një tempull në Jerusalem, ku kryhej adhurimi priftëror. Në sinagogat, izraelitët mblidheshin për lutje dhe studim të Shkrimit, si dhe për predikim dhe kontemplim të Fjalës së Perëndisë.

    Fjala kishë do të thotë bashkësi ose mbledhje njerëzish. Kur kjo bashkësi mblidhet si populli i Perëndisë për të adhuruar së bashku, atëherë kjo mbledhje quhet liturgjia e Kishës. Fjala liturgji do të thotë punë apo veprim i përbashkët i një grupi të veçantë njerëzish, për hir të të gjithëve. Kështu Liturgjia Hyjnore (Mesha Hyjnore) e Kishës së Krishterë do të thotë puna e përbashkët e Perëndisë, e bërë nga populli i Perëndisë.

    Në Kishën e Dhiatës së Re liturgjia është përqendruar në personin e Krishtit dhe është kryesisht një “krishtërizim” i jetës liturgjike të Dhiatës së Vjetër. Kisha e krishterë e përmban jetën liturgjike të Dhiatës së Vjetër në një perspektivë të re dhe të përjetshme. Kështu, lutjet e Dhiatës së Vjetër, shkrimet dhe psalmet lexohen e këndohen në dritën e Krishtit, Flijimi i Trupit dhe Gjakut të Krishtit zëvendëson flijimet në tempullin e Dhiatës së Vjetër. Dhe Dita e Zotit, e Diela, zëvendëson sabatin judaik, që është e shtuna.

    Festat judaike, gjithashtu morën një kuptim të ri në Kishën e Krishterë; si për shembull, festa qendrore e Pashkës, bëhet kremtimi i vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit; festa e Pentikostisë (Rushajet), bëhet kremtimi i zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, që përmbush Ligjin e Dhiatës së Vjetër. Viti liturgjik i krishterë është modeluar, gjithashtu sipas prototipit të Dhiatës së Vjetër.

   Prej themeleve bazë të liturgjisë së Dhiatës së Vjetër, Kisha zhvilloi jetën e saj në Misteret: me Pagëzimin në emrin e Trinisë së Shenjtë, Mirosjen, Kungimin e Shenjtë, Martesën, Rrëfimin, Efqelinë (Vajimin e Shenjtë), si dhe Priftërinë dhe shërbesat kishtare, që veçanërisht kanë marrë forma e kuptim të krishterë.

    Për më tepër, u zhvillua një pasuri e madhe e lutjeve, himneve dhe bekimeve të krishtera, dhe kryesisht, të festave dhe kremtimeve në kujtim të ngjarjeve të Dhiatës së Re dhe të shenjtorëve. Përvoja e gjallë e jetës së krishterë në Misteret dhe liturgjinë është një burim kryesor i Doktrinës së Krishterë. Në liturgjinë e Kishës, Shkrimi i Shenjtë dhe Tradita e Shenjtë vijnë të gjallë dhe i jepen përvojës së gjallë të popullit të krishterë. Kështu, nëpërmjet lutjes dhe adhurimit në Mistere njerëzit “mësohen nga Perëndia”, siç dhe u paratha për kohën mesianike (Joani 6:45).

    Mund të shtojmë diçka për përvojën e gjallë të liturgjisë. Tekstet e shërbesave dhe të mistereve sigurojnë një burim të shkruar të doktrinës dhe kështu, ato mund të studjohen dhe të soditen nga ata që dëshirojnë një kuptim më të thellë të mësimit të krishterë. Sipas mendimit të përbashkët të Kishës Orthodhokse, tekstet liturgjike dhe të mistereve – himnet, bekimet, lutjet, simbolet, dhe ritet – nuk përmbajnë gabime apo shtrembërime të besimit orthodhoks dhe në to mund të gjesh krejtësisht të pastër doktrinën e Kishës Orthodhokse. Ndonëse në të kremtet e Kishës mund të gjenden disa informacione jo të sakta historike, absolutisht nuk mund te vihet në dyshim, që kuptimi doktrinal dhe shpirtëror i të kremteve të Kishës të mos jetë autentik dhe të mos japë përvojën dhe njohurinë e vërtetë të Perëndisë.