Sinodet
Gjatë zhvillimit të saj historik, Kisha hasi në mjaft vendime të vështira. Por, ajo gjithmonë i zgjidhi problemet dhe i mori vendimet nëpërmjet konsensusit të të gjithë besimtarëve. Ajo frymëzohej nga Perëndia dhe udhëhiqej nga drejtuesit e caktuar të saj, në fillim apostujt dhe pastaj peshkopët.
Sinodi i parë në historinë e Kishës u mbajt në Kishën Apostolike, për të vendosur për kushtet, nën të cilat kombet, d.m.th. jojudenjtë, mund të hynin në Kishën e Krishterë (shih Veprat 15).
Nga ajo kohë e në vazhdim, gjatë gjithë historisë, u mbajtën sinode në çdo nivel të jetës së Kishës, për të marrë vendime të rëndësishme. Peshkopët takoheshin rregullisht me priftërinjtë e tyre, të quajtur gjithashtu, presviterë ose pleqtë dhe me popullin. Shumë herët në historinë e Kishës, u bë një praktikë dhe madje një ligj, që peshkopët e një zone të caktuar duhej të mblidheshin në sinode të mbajtur rregullisht (dy herë ose një herë në vit).
Gjatë historisë së Kishës u mbajtën sinode, ku u thirrën tërë peshkopët e Kishës. Natyrisht, të gjithë peshkopët nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në këto sinode dhe jo të gjithë këto sinode u miratuan dhe u pranuan automatikisht nga Kisha në Traditën e saj të Shenjtë.
Në Kishën Orthodhokse vetëm shtatë sinode të tillë (ndonëse në disa prej tyre morën pjesë një numër i vogël peshkopësh), morën miratimin universal të tërë Kishës, në të gjitha kohët dhe vendet. Këto sinode janë emërtuar Shtatë Sinodet Ekumenike. Përkufizimet dogmatike (dogmë do të thotë mësim zyrtar) dhe kanonet e Sinodeve Ekumenike, Kisha i beson të frymëzuara nga Perëndia dhe shprehje e vullnetit të Tij për njerëzit. Kështu, ato janë burime esenciale të Doktrinës së Krishterë Orthodhokse.
Përveç vendimeve të shtatë sinodeve ekumenike, edhe vendime të disa sinodeve të kishave lokale, kanë marrë gjithashtu miratimin e të gjitha Kishave Orthodhokse të botës dhe kështu janë parë, si shprehje e pastër e besimit dhe jetës orthodhokse. Vendimet e këtyre sinodeve janë më tepër të karakterit moral dhe strukturor. Megjithatë, ato gjithashtu përmbajnë mësimin e Kishës Orthodhokse.
Shtatë Sinodet Ekumenikë
Nikea I, v. 325
Formuloi Pjesën e Parë të Besores, duke përcaktuar Hyjninë e Birit të Perëndisë.
Kostandinopojë I, v. 381
Formuloi Pjesën e Dytë të Besores, duke përcaktuar Hyjninë e Shpirtit të Shenjtë.
Efes, v. 431
Përcaktoi Krishtin si Fjalën e Perëndisë dhe Marinë si Hyjlindëse (Theotokos).
Kalqedoni, v. 451
Përcaktoi Krishtin si Perëndi të Përsosur dhe Njeri të Përsosur në Një Person.
Kostandinopojë II, v. 553
Rikonfirmoi doktrinën e Trinisë dhe të Krishtit.
Kostandinopojë III, v. 680
Afirmoi Njerishmërinë e Vërtetë të Jisuit duke insistuar në realitetin e veprimit dhe vullnetit të tij Njerëzor.
Nikea II, v. 787
Afirmoi përdorimin e ikonave si shprehje e vërtetë e Besimit të Krishterë.