Shenjtorët

     Doktrina e Kishës bëhet e gjallë në jetët e besimtarëve të vërtetë, Shenjtorëve. Shenjtorë janë ata, që marrin pjesë në shenjtërinë e Perëndisë. “Bëhuni të shenjtë, sepse Unë Perëndia juaj jam i shenjtë” (Levitiku 11:44; 1 Pietri 1:16). Jetët e shenjtorëve dëshmojnë për autenticitetin dhe vërtetësinë e Ungjillit të Krishterë, dhuratë e sigurt e shenjtërisë së Perëndisë tek njerëzit.

    Kisha ka emërtime të ndryshme të shenjtorëve. Përveç Etërve të Shenjtë, të cilët janë lavdëruar kryesisht për mësimet e tyre, janë edhe tipe të ndryshëm të njerëzve të shenjtë, sipas aspekteve të veçanta të shenjtërisë së tyre.

    Kështu janë apostujt, të cilët u dërguan për të lëçitur besimin e krishterë; ungjillorët, të cilët shkruajtën ungjijtë; profetët, të cilët u frymëzuan nga Perëndia për të folur fjalët e Tij tek njerëzit; rrëfyesit, të cilët vuajtën për fenë; martirët që dhanë jetën për të; oshënarët, murgj apo murgesha, që jetuan si asketë; si dhe të drejtët ndër laikët.

    Për më tepër, librat e shërbesave të Kishës, kanë një titull të veçantë për shenjtorët ndërmjet klerikëve dhe një tjetër titull për sunduesit dhe mbretërit e shenjtë.

Gjithashtu, është dhe emërtimi i marrë për Krishtin. Këta shenjtorë lanë gjithçka që njerëzit i konsiderojnë të nevojshme – si rroba, ushqim, para, shtëpi, emër të mirë etj., për të dëshmuar pa kompromis Ungjillin e Krishterë të Mbretërisë së Perëndisë. Ata e kanë marrë emrin nga thënia e apostull Pavlit :“Ne jemi të marrë për Krishtin” (1 Korinthianët 4:10; 3:18).

_______________________
* Gjenden vëllime mbi jetët e shenjtorëve në Traditën Orthodhokse. Ato mund të përdoren me dobi të madhe për të zbuluar kuptimin e besimit dhe jetës së krishterë. Në këto “jetë” vizioni i krishterë për Perëndinë, njeriun dhe botën del shumë qartë.