Trinia e Shenjtë

 

    Doktrina e Trinisë së Shenjtë nuk është thjesht një “artikull i besimit”, për të cilën njerëzve i kërkohet “të besojnë.” Ajo nuk është thjesht një dogmë për të cilën Kisha i kërkon anëtarëve të saj të mirë ta “pranojnë me besë”. Gjithashtu, doktrina e Trinisë së Shenjtë nuk është shpikje e dijetarëve dhe akademikëve, si rezultat i meditimit intelektual dhe mendimit filozofik. Doktrina e Trinisë së Shenjtë buron prej eksperiencës më të thellë të njeriut me Perëndinë. Ajo vjen nga njohuria e gjallë dhe e vërtetë e atyre që arritën ta njohin Perëndinë në besë.

    Paragrafet që vijojnë kanë për qëllim të tregojnë diçka nga çfarë Perëndia ka zbuluar nga Vetvetja tek shenjtorët e Kishës. Të kuptosh fjalët dhe konceptet e doktrinës së Trinisë së Shenjtë është një gjë; të njohësh Realitetin e Gjallë të Perëndisë përtej këtyre fjalëve dhe koncepteve është diçka tjetër. Ne duhet të përpiqemi dhe të lutemi që të mundemi të kalojmë përtej çdo fjale dhe koncepti rreth Perëndisë, që të arrijmë ta njohim Atë për veten tonë, në bashkimin tonë të gjallë me Atë: “Atin nëpërmjet Birit në Shpirtin e Shenjtë” (Efesianët 2:18-22).

Trinia e Shenjtë e zbuluar

     Në Dhiatën e Vjetër ne shohim Jahven, një Zot dhe Perëndi, duke vepruar ndaj botës me anë të Fjalës së Tij dhe Shpirtit të Tij. Në Dhiatën e Re “Fjala u bë mish” (Joani 1:14). I vetëmlinduri Bir i Perëndisë u bë njeri si Jisui i Nazaretit. Dhe Shpirti i Shenjtë, i cili e bëri Jisuin Krisht, u derdh prej Perëndisë mbi çdo mish (Veprat 2:17). Nuk mund ta lexosh Shkrimin e Shenjtë pa venë re referencat e shumta për Perëndinë Atë, Birin (Fjalën) e Perëndisë dhe Shpirtin e Shenjtë. Thuhet në Dhiatën e Re dhe, gjithashtu, jeta e Kishës Orthodhokse është krejtësisht e pakuptimtë pa pohimin e ekzistencës, ndërlidhjes dhe ndërveprimit të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj njeriut dhe botës.

Doktrinat e gabuara të Trinitetit

    Pyetja kryesore, që Kisha duhet të përgjigjet për Perëndinë, është ajo e lidhjes ndërmjet Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Sipas Traditës Orthodhokse, ka disa doktrina të gabuara që duhen kundërshtuar. Një nga këto doktrina të gabuara është ajo që thotë se vetëm Ati është Perëndi dhe Biri e Shpirti i Shenjtë janë krijesa të bëra “nga hiçi” njësoj si engjëjt, njerëzit dhe bota. Kisha përgjigjet që Biri dhe Shpirti i Shenjtë nuk janë krijesa, por janë të pakrijuar dhe hyjnorë me Atin, dhe ata veprojnë me Atin në aktin e krijimit të gjithçkaje që ekziston.

    Një tjetër doktrinë e gabuar, është ajo që thotë që Perëndia në Vetvete është Një Perëndi që shfaqet në botë në forma të ndryshme: Tani si Atë, pastaj si Bir, dhe akoma përsëri si Shpirti i Shenjtë. Kisha i përgjigjet përsëri, që Biri dhe Fjala është që “në fillim me Perëndinë” (Joani 1:12), siç është dhe Shpirti i Shenjtë dhe që të Tre janë përjetësisht të dalluar nga njëri-tjetri. Biri është “nga Perëndia” dhe Shpirti i Shenjtë është “nga Perëndia.” Biri dhe Shpirti i Shenjtë nuk janë thjesht aspekte të Perëndisë, por një jetë dhe ekzistencë e vetë atyre. Sa e çuditshme do të ishte, për shembull, që kur Biri u bë njeri dhe i lutej Atit të Tij dhe vepronte i bindur ndaj Tij, të ishte në fakt një iluzion pa realitet, një lloj shfaqje hyjnore luajtur para botës pa ndonjë arsye dhe të vërtetë në të!

    Një e tretë doktrinë e gabuar është ajo që thotë që Perëndia është një dhe që Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë thjesht emra për lidhjet që Perëndia ka me Veten e Tij. Kështu, Mendimi dhe Fjala e Perëndisë është quajtur Bir, ndërsa Jeta dhe Veprimi i Perëndisë është quajtur Shpirt; por në fakt – në aktualitetin e vërtetë –  nuk ka “realitete të tilla në vetvete”, si Biri i Perëndisë dhe Shpirti i Perëndisë. Këta të dy janë metafora, thjesht për aspekte të Perëndisë. Në këtë doktrinë, Biri dhe Shpirti nuk kanë ekzistencë dhe jetë të tyren dhe ata nuk janë realë, por thjesht iluzione.

    Një tjetër doktrinë e gabuar është ajo që thotë që Ati është një Perëndi, Biri një tjetër Perëndi dhe Shpirti i Shenjtë një tjetër Perëndi. Kisha përgjigjet që nuk ka “tre perëndira” dhe sigurisht jo “perëndira” që janë krijuar ose bërë. Gjithashtu, nuk mund të ketë “tre perëndira”, nga të cilët Ati është “më i lartë” dhe të tjerët “më të ulët”. Sepse, po të ketë më shumë se një Perëndi, ose “shkallë hyjnishmërie”, është një kontraditë që nuk mund të mbështetet, si nga zbulesa hyjnore ashtu dhe nga mendimi logjik. Kështu, Kisha na mëson që ndonëse është vetëm Një Perëndi, ky Një Perëndi është në tre Persona – Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë – të bashkuar përsosmërisht dhe kurrë të ndarë, ndonëse jo të shkrirë dhe pa ndonjë dallim të veçantë. Si e mbron pra Kisha doktrinën që Perëndia është njëkohësisht Një dhe përsëri Tre?

Një Perëndi, Një Atë

    Para së gjithash, ky është mësimi i Kishës dhe eksperienca e saj më e thellë, që është vetëm një Perëndi, sepse është vetëm një Atë. Në Shkrimin e Shenjtë termi “Perëndi”, me pak përjashtime, përdoret kryesisht si emër për Atin. Kështu, Biri është “Biri i Atit” dhe Shpirti është “Shpirti i Atit.” Biri ka lindur prej Atit, dhe Shpirti buron prej Atit – të dy në veprimin pa kohë dhe të përjetshëm të vetë qenies së Atit. Në këtë pikëpamje, Biri dhe Shpirti janë të dy një me Perëndinë dhe në asnjë mënyrë të ndarë prej Tij. Kështu, Uniteti Hyjnor përbëhet nga Ati, me Birin e Tij dhe me Shpirtin e Tij, që ndonëse të dalluar nga Ati, janë të bashkuar përsosmërisht me Të.

Një Perëndi: Një Natyrë dhe Qenie Hyjnore

    Çfarë është Ati, janë gjithashtu Biri dhe Shpirti. Ky është mësimi i Kishës. Biri, i lindur prej Atit, dhe Shpirti i Shenjtë i buruar prej Tij, kanë të njëjtën natyrë hyjnore me Perëndinë, duke e pasur “të qenët” një me Atin. Ashtu siç është Ati një Perëndi, që “s’mund të të shprehim, që s’mund të të kuptojmë; që je i padukshëm, që s’të arrin mendja jonë, që je gjithnjë, që je i njëjti” (Mesha Hyjnore e Shën Joan Gojartit), ashtu janë krejtësisht dhe Biri e Shpirti i Shenjtë. Çdo atribut hyjnor që i përket Perëndisë Atë – jetë, dashuri, urtësi, e vërtetë, bekim, shenjtëri, fuqi, pastërti, gëzim – i përkasin gjithashtu edhe Birit e Shpirtit të Shenjtë. Qenia, natyra, esenca, ekzistenca dhe jeta e Perëndisë Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë, janë absolutisht dhe në mënyrë identike një dhe të njëjtat.

Një Perëndi: Një Veprim dhe Dëshirë Hyjnore

    Meqenëse qenia e Trinisë së Shenjtë është një, çfarëdo që Ati dëshiron, Biri dhe Shpirti i Shenjtë dëshirojnë gjithashtu. Çfarë Ati bën, Biri dhe Shpirti i Shenjtë bëjnë gjithashtu. Nuk ka asnjë dëshirë ose veprim të Atit që të mos jetë në të njëjtën kohë dhe dëshirë e veprim i Birit dhe i Shpirtit të Shenjtë. Në Vetvete, në përjetësi, si dhe ndaj botës në krijimin, zbulesën, mishërimin, shpëtimin, shenjtërimin dhe lavdërimin – dëshira dhe veprimi i Trinisë janë një: prej Atit hyjnor, me anë të Birit hyjnor, në Shpirtin e Shenjtë hyjnor. Çdo veprim i Perëndisë është veprim i të Treve. Asnjë nga personat e Shën Trinisë nuk vepron në mënyrë të pavarur apo të izoluar prej të tjerëve. Veprimi i secilit është veprimi i të gjithëve; veprimi i të gjithëve është veprimi i secilit. Dhe veprimi hyjnor është esencialisht një.

Një Perëndi: Një Njohuri dhe Dashuri Hyjnore

    Meqenëse çdo person i Trinisë është një me të tjerët, secili njeh të njëjtën të Vërtetë dhe ushtron të njëjtën Dashuri. Njohuria e secilit është njohuria e të gjithëve, dhe dashuria e secilit është dashuria e të gjithëve. Nëse merren veças, çdo person i Trinisë njeh dhe do të tjerët me kaq përsosmëri, njohuri dhe dashuri absolute sa që nuk ka asgjë të panjohur dhe të padashur tek njëri-tjetri dhe të gjithë në të gjithë. Kështu, nëse njohuria e krijuar e njerëzve mund të bashkojë mendjet në një unitet të plotë dhe dashuria e krijuar e njerëzve mund t’i bashkojë të ndarët në një zemër dhe në një shpirt dhe madje, në një mish, sa më tepër duhet të jetë bashkësia, kur Njohësit dhe Dashuruesit janë të pakrijuar, të përjetshëm dhe hyjnorë.

Tre Persona hyjnorë

    Në terminologjinë orthodhokse Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë quhen tre personat hyjnorë. Person, është përkufizuar këtu, thjeshtësisht si subjekt i ekzistencës dhe jetës,ose hipostazë në gjuhën tradicionale të Kishës. Qenia, esenca ose natyra e një realiteti i përgjigjet pyetjes “çfarë?”, personi i një realiteti i përgjigjet pyetjes “cili?” ose “kush?”. Kështu, kur ne pyesim “Çfarë është Perëndia?”, ne përgjigjemi që Perëndia është hyjnor, i përsosur, i përjetshëm, absolut… Dhe kur ne pyesim ” kush është Perëndia?”, ne përgjigjemi, që Perëndia është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.

    Shenjtorët e Kishës e kanë shpjeguar këtë treunitet të Perëndisë, duke përdorur një shembull prej ekzistencës tokësore. Ne shohin tre njerëz. “Çfarë janë ata?” pyesim. Përgjigjemi “Ata janë qenie njerëzore”. Secili prej tyre është njeri, zotëron të njëjtën njerishmëri dhe të njëjtën natyrë njerëzore, të përkufizuar në një farë mënyre: të krijuar, të përkohshme, fizike, racionale, etj. Në çfarë ata janë, të tre njerëzit janë një. Por kush ata janë, ata janë tre, secili absolutisht unik dhe i veçantë nga të tjerët. Secili njeri në mënyrën e tij unike është një njeri i veçantë. Njëri nuk është tjetri, ndonëse secili njeri është përsëri njerëzor me një dhe të njëjtën natyrë dhe formë njerëzore.

    Duke u kthyer tek Perëndia, ne mund të pyesim në të njëjtën mënyrë: “Çfarë është Ai?” Në përgjigje, ne themi që Perëndia është përkufizuar si një përsosmëri absolute “që s’mund të shprehet, që s’mund ta kuptojmë; që është i padukshëm, që s’e arrin mendja jonë, që është gjithnjë, që është i njëjti”. Pastaj ne pyesim, “Kush është Ai?”, dhe ne përgjigjemi që Ai është Trinia: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Në kush Perëndia është, janë tre persona, të cilët janë secili absolutisht unikë dhe të veçantë. Secili nuk është tjetri, ndonëse secili është hyjnor me të njëjtën natyrë dhe formë hyjnore. Prandaj, ndërsa janë një në çfarë ata janë, Ati , Biri dhe Shpirti i Shenjtë përsëri janë Tre në kush ata janë. Dhe meqenëse çfarë dhe kush ata janë – d.m.th. persona hyjnorë, të pakrijuar – ata janë të pandarë dhe përsosmërisht të bashkuar në ekzistencën e tyre superesenciale të pakohë, pa hapësirë, pa masë dhe pa formë, si dhe në një jetë hyjnore, një dashuri, një njohuri, një mirësi, një fuqi, një dëshirë, një veprim etj.

    Kështu, sipas Traditës Orthodhokse, është një mister i Perëndisë, që janë Tre, të cilët janë hyjnorë; Tre që jetojnë dhe veprojnë nga një dhe e njëjta përsosmëri hyjnore dhe përsëri sipas dallimit dhe veçantisë së tyre personale. Kjo do të thotë që Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë secili hyjnor me të njëjtën hyjnishmëri, por përsëri secili në mënyrën e Tij hyjnore. Dhe meqenëse Hyjnia i pakrijuar ka tre subjekte hyjnorë, kështu çdo veprim hyjnor ka tre veprues hyjnorë; ka tre aspekte hyjnorë në çdo veprim të Perëndisë dhe përsëri veprimi mbetet një dhe i njëjti. Prandaj, ne shohim një Perëndi, Atin e Tërëfuqishëm së bashku me një Bir (Imazhi dhe Fjala) të Tij unik dhe me një Shpirt të Tij të Shenjtë. Ka vetëm një Perëndi të gjallë, me një Jetë të Tij të përsosur hyjnore, që është personalisht Biri, me një Shpirt të Tij të Jetës. Ka vetën një Perëndi të Vërtetë, me një të Vërtetë të Tij hyjnore, që është personalisht Biri, me një Shpirt të Tij të së Vërtetës. Ka vetëm një Perëndi të ditur dhe të dashur, me një Dituri dhe Dashuri të Tij, që është personalisht Biri, me një Shpirt të Tij të Diturisë dhe Dashurisë. Shembujt mund të vazhdojnë pa mbarim; Ati Hyjnor, duke personifikuar çdo aspekt të hyjnisë së Tij në Birin e Tij Hyjnor, që është personalisht aktivizuar prej Shpirtit të Tij Hyjnor. Ne do të shohim implikimet e gjalla të Trinisë kur shqyrtojmë aktivitetin e Perëndisë në veprimet e tij ndaj njeriut dhe botës.

Trinia e Shenjtë në Krijimin

    Perëndia Atë krijoi botën me anë të Birit (Fjalës) në Shpirtin e Shenjtë. Fjala e Perëndisë është e pranishme në çdo gjë që ekziston, duke i bërë ato që të ekzistojnë me anë të fuqisë së Shpirtit. Kështu, sipas doktrinës orthodhokse, universi vetë është një zbulesë e Perëndisë në Fjalën dhe në Shpirtin. Fjala është në gjithçka që ekziston, duke i bërë ato të jenë, dhe Shpirti është në gjithçka që ekziston si fuqi e qenies dhe jetës së tyre.  Kjo është më se e qartë në krijimin e veçantë të Perëndisë, njeriun. Njeriu është bërë në shëmbëllesën e Perëndisë dhe kështu, ai mbart brenda tij ngjashmërinë unike të Perëndisë që është shprehur përjetësisht dhe përsosmërisht në Birin hyjnor të Perëndisë, Imazhi Absolut dhe i Pakrijuar i Atit. Kështu, njeriu ka “logjikë”; d.m.th. ai merr pjesë në Logos-in e Perëndisë (Biri dhe Fjala) dhe kështu ai është i lirë të njohë, të dojë, të mendojë në nivelin e krijesës mbi vetë natyrën e Perëndisë, siç bën Biri i pakrijuar në nivelin e hyjnishmërisë.

    Njeriu, gjithashtu, është “shpirtëror”; ai është tempulli i veçantë i Shpirtit të Perëndisë. Fryma e Jetës së Perëndisë u fry në të në mënyrën më të veçantë. Kështu, ndërmjet krijesave, vetëm njeriu është fuqizuar të imitojë Perëndinë dhe të marrë pjesë në jetën e Tij. Njeriu ka kompetencën dhe aftësinë të bëhet Bir i Perëndisë, duke pasqyruar Birin e përjetshëm dhe duke reflektuar natyrën hyjnore, sepse ai është frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë si asnjë krijesë tjetër. Prandaj, një shenjt i Kishës ka thënë për njeriun: “Që ai të bëhet njeri, ai duhet të ketë Shpirtin e Perëndisë në vetvete”. Vetëm atëherë ai mund të përmbushë njerishmërinë e tij; vetëm atëherë ai mund të bëhet një Bir i vërtetë i Perëndisë, i ngjashëm me atë që është i vetëmlindur. Prandaj ne shohim në nivelin më bazik të krijimit, dimensionin Trinitar të qenies dhe veprimit të Perëndisë: Fjala dhe Shpirti i Perëndisë hynë tek njeriu dhe bota, që njeriu dhe bota të bëhen ajo, që Ati ka dashur të jetë ekzistenca e tyre.

Trinia e Shenjtë në Shpëtimin

    Meqenëse njeriu dështoi të përmbushë vetveten në krijimin e tij unik, Perëndia ndërmori një veprim të veçantë për shpëtimin e tij. Ati dërgoi Birin e Tij (Fjalën) dhe Shpirtin e Tij  në një tjetër mision. Fjala dhe Shpirti erdhën tek shenjtorët e Dhiatës së Vjetër, për t’u bërë të njohur Atin. Fjala, mishëron vetveten në Ligjin (në hebraishte quhet “fjalët”), që ishte frymëzuar nga Shpirti. Shpirti frymëzon profetët të lëçisin Fjalën e Perëndisë. Ligji dhe Profetët janë zbulesat e Perëndisë në Fjalën e Tij dhe në Shpirtin e Tij. Ato janë zbulesa të pjesëshme, “hije” (siç i quan ato Dhiata e Re), duke parafiguruar zbulesën totale, në “të mbushurit e kohës” dhe duke përgatitur ardhjen e saj. Kur u mbush koha dhe bota ishte gati, Fjala dhe Shpirti erdhën përsëri – por tani jo vetëm thjesht me anë të veprimeve dhe fuqisë së tyre, por në personat e tyre, duke banuar personalisht në botë. Fjala u bë mish. I Vetëmlinduri Bir u lind si njeri, si Jisui i Nazaretit. Dhe Shpirti që është në të, iu dha tërë njerëzve, për t’i bërë ata gjithashtu bij të Atit, në një zhvillim të përjetshme drejt arritjes së përsosmërisë së Tij, duke u rritur gjithmonë “në masën e moshës së të mbushurit të Krishtit” (Efesianët 4:13). Kështu, në Dhiatën e Re ne kemi epifaninë e plotë të Perëndisë, shfaqjen e plotë të Shën Trinisë; Atin, me anë të Birit, në Shpirtin, tek ne; dhe ne në Shpirtin me anë të Birit tek Ati.

Trinia e Shenjtë në Kishë

    Jeta e Kishës është jeta e njerëzve në Trininë e Shenjtë. Në Kishë të gjithë bëhemi një në Krishtin, të gjithë veshim njerishmërinë e hyjnizuar të Birit të Perëndisë. “Sa u pagëzuat me Krishtin me Krishtin u veshët” (Galatianët 3:27). Uniteti i Kishës është uniteti i të shumtëve në një, në një Trup të Krishtit, në një tempull të gjallë të Perëndisë, në një popull dhe familje të Perëndisë. Në një trup ndodhen shumë gjymtyrë. Shumë “gurë të gjallë” përbëjnë tempullin e gjallë. Shumë vëllezër e motra formojnë një familje, Ati i së cilës është Perëndia. Ndryshmëria unike e çdo anëtari të Trupit të Krishtit garantohet nga prania e Shpirtit të Shenjtë. Çdo person unik frymëzohet nga Shpirti të bëhet një njeri i vërtetë, një bir i vërtetë i Perëndisë, në mënyrën e tij të veçantë. Pra, meqenëse Trupi i Kishës është një në Krishtin, Shpirti i Shenjtë i jep mundësinë çdo anëtari të përmbushë vetveten në Perëndinë dhe të jetë një me gjithë të tjerët kur thërrasin Perëndinë “Atë” (Shih 1 Korinthianët 12).

    Atëherë, Kisha, si uniteti i përsosur i shumë personave, në një organizëm të bashkuar plotësisht, është pasqyrimi i vetë Trinisë. Sepse Kisha, e përbërë nga shumë persona unikë dhe të dalluar nga njëri-tjetri, është thirrur të jetë një mendje, një zemër, një shpirt dhe një trup, në një të Vërtetë dhe Dashuri të Vetë Perëndisë. Thirrja që Kisha të jetë një në të gjithë gjërat, është prototipi i thirrjes së gjithë njerëzimit, i cili u krijua fillimisht nga Perëndia si shumë persona, në një natyrë, përfundimisht të destinuar nga Perëndia për një rritje gjithnjë më të përsosur, në unitetin e lirë të së Vërtetës dhe Dashurisë, në jetën e Mbretërisë së Perëndisë.

Trinia e Shenjtë në Misteret

    Misteret e Kishës portretizojnë karakterin e Trinishëm të jetës së Perëndisë dhe njeriut. Çdo person është Pagëzuar prej Shpirtit të Shenjtë, në të njëjtën njerishmëri të Krishtit. Çdo personi të pagëzuar i jepet “vula e Shpirtit të Shenjtë” të Perëndisë në Mirosjen, për t’u bërë një “krisht”, d.m.th. një bir i lyer i Perëndisë, për të jetuar jetën e Krishtit. Në Martesë uniteti i dyve në një, e bën unitetin e ri një pasqyrim të unitetit të Trinisë dhe të unitetit të Krishtit dhe Kishës. Sepse familja e shumë personave, të bashkuar në një të vërtetë dhe dashuri, është me të vërtetë manifestimi i krijuar i së njëjtës familje të Mbretërisë së Perëndisë dhe të Perëndisë Vetë, Trinisë së Bekuar. Në Pendim ne e rinojmë përsëri jetën e re, si bij të Atit, me anë të hirit të Krishtit me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, të falur dhe të ribashkuar në unitetin e Perëndisë në Kishën e Tij. Në Vajimin e Shenjtë Shpirti lyen të sëmurin që të vdesë në Krishtin dhe kështu të shërohet dhe të bëhet i gjallë me Atin në përjetësi. Priftëria vetë, shërbesa e Kishës, nuk është gjë tjetër përveçse manifestimi konkret në Kishë i pranisë së Krishtit, me anë të të njëjtit Shpirt të Shenjtë, i cili e bën të arritshëm tek të gjithë njerëzit veprimin e Atit dhe rrugën e kungimit të përjetshëm në dhe me Të.

    Së fundi, “misteri i mistereve” Kungata e Shenjtë, është përvoja aktuale e të gjithë të krishterëve, të drejtuar drejt kungimit me Perëndinë Atë, me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, me anë të Krishtit, Birit, që është i pranishëm në Fjalën e Ungjillit dhe në marrjen e Trupit dhe Gjakut të Tij, në kujtim të Tij. Lëvizja e vërtetë e Meshës Hyjnore – drejt Atit me anë të Krishtit, Fjalës dhe Qengjit, në fuqinë e Shpirtit të Shenjtë – është simboli i gjallë i përjetimit të mistereve i lëvizjes sonë të përjetshme në dhe drejt Perëndisë, Trinisë së Bekuar. Madje edhe lutja e krishterë është zbulesë e Trinisë, kryer brenda personit të tretë të Hyjnisë. Të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, njerëzit mund ta thërresin Perëndinë “Ati ynë” vetëm për shkak të Birit, që i mësoi dhe i aftësoi ata ta bëjnë këtë. Prandaj, lutja e vërtetë e të krishterëve nuk është thirrja e shpirtërave tanë në izolimin tokësor, drejt një Perëndie të largët. Por, ajo është lutja brenda nesh e Birit hyjnor të Perëndisë, drejtuar Atit të Tij, kryer brenda nesh nga Shpirti i Shenjtë, i cili është gjithashtu vetë hyjnor. “Por kemi marrë Shpirt birërie, me anë të të cilit thërrasim Abba! o Atë! Vetë Shpirti dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi bij Perëndie… sepse nuk dimë për çfarë të lutemi sikurse duhet, por vetë Shpirti lutet për ne…” (Romanët 8:15-16, 26).

Trinia e Shenjtë në Jetën e Krishterë

     Porosia e re e jetës së krishterë është “bëhuni të përsosur, sikurse Ati juaj në qiell është i përsosur” (Mattheu 5:48). Porosia është të duam ashtu si Krishti vetë ka dashur. “Kjo është porosia ime, doni njëri-tjetrin, si unë ju kam dashur ju” (Joani 15:12). Njerëzit nuk mund të jetojnë jetën e krishterë të dashurisë hyjnore në imitimin e përsosmërisë së Perëndisë, pa hirin e Shpirtit të Shenjtë. Megjithatë, me fuqinë e Perëndisë, çfarë është e pamundur për njerëzit bëhet e mundur. “Sepse me Perëndinë të gjitha gjërat janë të mundura” (Marku 10:27). Jeta e krishterë është jeta e Perëndisë, e realizuar tek njerëzit me anë të Shpirtit të Krishtit. Njerëzit mund të jetojnë ashtu si Krishti jetoi, duke bërë gjërat që Ai bëri dhe duke u bërë bijtë e Perëndisë në Atë, me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Prandaj jeta e krishterë është një jetë Trinitare.

    Me anë të Shpirtit të Shenjtë, të dhënë nga Perëndia nëpërmjet Krishtit, njerëzit mund të marrin pjesë në jetën, dashurinë, të vërtetën, lirinë, mirësinë, shenjtërinë, urtësinë dhe diturinë e  Vetë Perëndisë. Kjo bindje dhe kjo përvojë ka bërë që në Kishën Orthodhokse të pohohet fakti, që esenca e krishtërimit është “të fituarit e Shpirtit të Shenjtë” dhe “hyjnizimi” i njeriut me anë të hirit të Perëndisë. Ky hyjnizim quhet Theosis. Shenjtorët e Kishës e pranojnë njëzëri që jeta e krishterë është pjesëmarrje në jetën e Trinisë së Bekuar, në mënyrën më të vërtetë dhe më realiste. Kjo është jeta e njerëzve e bërë jetë hyjnore. Në aspektet më të vogla të jetës së përditshme, të krishterët janë thirrur të jetojnë jetën e Perëndisë Atit, që është komunikuar tek ata nga Krishti, Biri i Perëndisë, dhe bërë e mundur për ata nga Shpirti i Shenjtë, i cili jeton dhe vepron brenda tyre.

Trinia e Shenjtë në Jetën e Amëshuar

     Në fund të kohës Krishti do të vijë në lavdinë e Perëndisë Atit. Ai do ta bëjë të njohur Atin në tërë krijimin. Shpirti i Shenjtë do të mbushë të gjitha gjërat dhe do të aftësojë gjithçka që të jetë në bashkim me Perëndinë, me anë të Krishtit, në perjetësi. Përsëri këtu kemi praninë dhe veprimin e Trinisë së Shenjtë. Çfarë ne njohim dhe përjetojmë tani në botë, si anëtarë të Kishës, do të manifestohet me fuqi në jetën e mbretërisë së ardhshme. Esenca e jetës së amëshuar është jeta e Shën Trinisë, e njëjta jetë e amëshuar që na është dhënë neve tashmë në misterin e fesë.

    “Edhe nuk pashë tempull në atë, sepse tempulli i atij është Zoti Perëndia i Gjithëpushtetshëm, edhe Qengji. Edhe qyteti nuk ka nevojë për diell… sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, edhe kandili i atij është Qengji. Edhe froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në atë; edhe shërbëtorët e atij do ta adhurojnë atë. Edhe do të shohin faqen e atij… Edhe Shpirti dhe Nusja (Kisha) thonë Eja!” (Zbulesa 21:22; 22:3, 17). Në jetën e amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë, Trinia e Shenjtë do të mbushë të gjithë krijimin: Ati me anë të Birit në Shpirtin e Shenjtë. Çdo njeri i ndriçuar prej Krishtit në Shpirtin do të njohë Atin e padukshëm. “Dhe kjo është jeta e përjetëshme, të njohim ty të vetmin e të vërtetin Perëndi, edhe Jisu Krishtin që dërgove” (Joani 17:3). Kjo njohuri është e mundur vetëm me anë të banimit tek ne të Shpirtit të Perëndisë, “të mbushurit e Atij që mbush të gjitha në të gjitha” (Efesianët 1:23; 2:22).

    “Eja o popull! Le të adhurojmë Hyjninë në Tre Persona, Birin në Atin me Shpirtin e Shenjtë. Sepse para gjithë kohërave Ati lindi Birin, të bashkëpërjetshëm dhe bashkëfronëzoi me Atë.  Dhe Shpirti i Shenjtë ishte në Atin, lavdëruar me Birin. Adhurojmë Një Fuqi, Një Esencë, Një Hyjni, dhe le të thërrasim: Shenjt Perëndi, që bëre gjithçka me anë të Birit, me anë të bashkëpunimit të Shpirtit të Shenjtë! Shenjt i Fuqishëm, me anë të cilit ne njohim Atin dhe nëpërmjet të cilit Shpirti i Shenjtë vjen në botë! Shenjt i Pavdekshëm, Shpirt, Ngushëllimtar, që buron prej Atit dhe prehesh në Birin! O Trini e Tërëshenjtë! Lavdi më Ty!” (Mbrëmësorja e Rushajeve)