Kanonet

    Quhen kanone të Kishës ato kanone të vendosura nga Sinodet Ekumenikë ose lokalë dhe nga disa Etër të Kishës, dhe që janë pranuar nga e tërë Kisha Orthodhokse, si normë për doktrinën dhe praktikën e krishterë. Fjala kanon literalisht do të thotë rregull, normë ose njësi matjeje e gjykimit. Në këtë aspekt ligjet kanonike nuk janë ligje pozitive në kuptimin juridik dhe nuk mund të identifikohen lehtë me ligjet e jurisprudencës njerëzore.

    Kanonet e Kishës ndahen në kanonet dogmatikë ose të natyrës doktrinale dhe në kanonet praktike, etike ose të karakterit strukturor. Gjithashtu, ndahen ndërmjet atyre, që mund të ndryshohen dhe atyre që nuk mund të ndryshohen në asnjë lloj mënyre.

    Kanonet dogmatikë janë ato përkufizime të sinodeve, që flasin rreth një artikulli të besimit të krishterë; p.sh. natyra dhe personi i Jisu Krishtit. Ndonëse kanone të tillë mund të shpjegohen dhe zhvillohen me fjalë të reja dhe të ndryshme, sidomos përsa Tradita e Kishës rritet dhe lëviz nëpër kohë, kuptimi i tyre themelor mbetet i përjetshëm dhe i pandryshueshëm.

    Disa kanone të karakterit etik dhe moral, gjithashtu, u përkasin atyre që nuk mund të ndryshohen. Këto janë kanonet morale, kuptimi i të cilëve është absolut dhe i përjetshëm dhe shkelja e të cilëve nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Kanonet që ndalojnë shitjen e Mistereve të Kishës janë të këtij lloji.

    Së pari, ka kanone të karakterit krejtësisht praktik, të cilët mund të ndyshohen dhe faktikisht janë ndryshuar gjatë rrjedhës së jetës së Kishës. Së dyti, ka gjithashtu kanone, të cilët mund të ndryshohen, por që kanë mbetur në fuqi, meqenëse Kisha ka dashur t’i mbajë ato. Një shembull i tipit të parë është kanoni, i cili kërkon që prifti të dorëzohet (hirotoniset) mbas të tridhjetave. Por, nevojat e Kishës e kanë bërë që ai të shkelet. Kanoni, i cili kërkon që peshkopi të jetë i pamartuar, është i tipit të dytë. Nuk është gjithmonë e qartë cili kanon shpreh shenjat esenciale të jetës së krishterë dhe cili jo. Gjithashtu ka periudha kundërshtimesh rreth disa kanoneve, se si të zbatohen në disa kohë dhe kushte të veçanta. Megjithatë, këta faktorë nuk duhet t’i shpien anëtarët e Kishës t’i heqin kanonet ose t’i zbatojnë verbazi.

    Në radhë të parë kanonet janë “të Kishës” dhe prandaj nuk mund të kuptohen si “ligje pozitive” në një kuptim juridik; së dyti, kanonet nuk mbulojnë të gjitha aspektet e mundshme të jetës dhe besimit të Kishës; së treti, kanonet u formuluan në pjesën më të madhe si përgjigje ndaj disa pyetjeve ose devijimeve dogmatike apo morale në jetën e Kishës dhe prandaj mbajnë edhe shenjën e disa mosmarrëveshjeve në histori, të cilat kanë kushtëzuar jo vetëm thjesht formulimin e tyre të veçantë, por dhe vetë ekzistencën e tyre.

    Duke i parë në vete, kanonet e Kishës mund të çojnë në gabime dhe prandaj, njerëz sipërfaqësorë ose i zbatojnë verbërazi ose nuk i zbatojnë fare. Por, të parë në kompleks, në tërësinë e jetës orthodhokse – teologjike, historike, kanonike dhe shpirtërore – këto kanone zënë vendin dhe qëllimin e duhur dhe janë një burim i pasur për të zbuluar të Vërtetën e gjallë të Perëndisë në Kishë.

    Faktorë kyç për të kuptuar kanonet e Kishës janë njohja dhe dituria e krishterë, të cilat vinë nga studimi teknik i kanoneve dhe nga thellësia shpirtërore e përjetimit të besimit. Nuk ka tjetër “çelës” për t’i përdorur ato dhe çdo mënyrë tjetër do të jetë jo orthodhokse dhe jo e krishterë.