Besimi

    Unë Besoj

    Besimi është themeli i jetës së krishterë. Ai ishte virtuti themelor i Abrahamit; paraardhësit të Izraelit dhe të Kishës së Krishterë. “Abrahami besoi në Perëndinë, dhe kjo iu pa atij si drejtësi” (Gjeneza 15:6). Jisui e fillon shërbesën e tij me të njëjtin urdhërim për besimin. “…Jisui erdhi në Galile, duke lëçitur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe duke thënë, Se u mbush koha, dhe u afrua Mbretëri e Perëndisë; pendohuni, dhe i besoni ungjillit” (Marku 1:15).

    Gjatë tërë jetës së tij Jisui ka thirrur për besimin; besim në të, besim në Perëndinë Atin e tij, besim në Ungjillin, besim në Mbretërinë e Perëndisë. Kushti themelor i jetës së krishterë është besimi, sepse me besimin vjen shpresa dhe dashuria dhe çdo vepër e mirë dhe çdo dhuratë dhe fuqi e Shpirtit të Shenjtë. Kjo është doktrina e Krishtit, e Apostujve dhe e Kishës. Në Shkrimin e Shenjtë besimi është cilësuar me thënien klasike, si “të qenurit e gjërave që shpresojmë, siguria e gjërave që nuk shihen” (Hebrenjtë 11:1).

    Besimi ka dy aspekte kryesore, dikush mund të thotë, madje, dy kuptime të besimit. I pari është besimi “në” dikë ose diçka, besimi si njohje e këtyre personave ose gjërave si reale, të vërteta dhe të vlefshme, p.sh. besimi në Perëndinë, në Krishtin, në Trininë e Shenjtë, në Kishën. I dyti është besimi në kuptimin e besimit dhe të mbështetjes. Në këtë kuptim, p.sh. dikush mund të besojë në Perëndinë, thjesht në ekzistencën, vërtetësinë dhe mirësinë e tij; por, ai duhet të besojë dhe në Të, t’i besojë fjalët e Tij, të besojë dhe të mbështetet në praninë e Tij, të varet plot besim në premtimet e Tij. Për të krishterin të dy tipet e besimit janë të nevojshme. Dikush duhet të besojë në disa gjëra me mendje, zemër dhe shpirt dhe pastaj të rrojë me to në jetën e përditshme.

    Besa ngadonjëherë i kundërvihet arsyes dhe besimi, njohurisë. Sipas Orthodhoksisë, besa dhe arsyeja, besimi dhe njohuria, janë dy gjëra me të vërtetë të ndryshme. Ato janë dy gjëra të ndryshme, por megjithatë, ato i përkasin njëra-tjetrës dhe nuk duhen kundërvënë ose të ndahen nga njëra-tjetra. Së pari, ne nuk mund të besojmë diçka, nëse nuk e njohim atë disi. Një njeri nuk mund të besojë në diçka që s’e njeh fare. Së dyti, çfarë një njeri beson duhet të jetë e arsyeshme. Nëse kërkohet të besohet në hyjninë e një lope ose të vendoset besimi në një idhull druri, do të refuzohej mbi bazën, se nuk është e arsyeshme. Kështu, besimi duhet të këtë arsyet e tij, duhet të bazohet mbi njohurinë. Kurrë besimi nuk duhet të jetë i verbër. Së treti, shpesh njohuria vetë ndërtohet mbi besimin. Asnjeri nuk mund të arrijë njohuri nëpërmjet skepticizmit absolut.  Nëse diçka njihet, kjo vjen nga një farë besimi në mundësitë e njohjes që ka njeriu dhe nga një besim real që objektet e njohjes, realisht “po e tregojnë vetveten” dhe që mendja dhe shqisat nuk po veprojnë në mënyrë të rreme. Gjithashtu, në lidhje me shumicën e fjalëve të shkruara, sidomos ato të lidhura me historinë, lexuesit i kërkohet një farë besimi. Ai duhet të besojë që autori po tregon të vërtetën, prandaj ai duhet të ketë disa njohuri dhe arsye për ta besuar këtë.

    Shumë shpesh, vetëm kur ne i besojmë diçkaje, ne jemi në gjendje të “shkojmë më tej” dhe të arrijmë një njohuri dhe kuptim të gjërave, që kurrë nuk mund t’i kuptonim më parë. Është gjithashtu e vërtetë, që disa gjëra mbeten të errëta dhe të pakuptimta, përderisa nuk janë parë me sytë e besimit, sy që pastaj i japin një mënyrë shpjegimi dhe kuptimi, ekzistencës dhe kuptimit të tyre. Kështu, për shembull, fenomeni i vuajtjes dhe i vdekjes duhet të kuptohet më ndryshe nga një që beson në Krishtin, se nga një që beson në një tjetër fe ose filozofi, apo që nuk beson fare.

    Besimi është gjithmonë personal. Çdo person duhet të besojë për vetveten. Asnjë nuk mund të besojë për tjetrin. Shumë njerëz mund të besojnë të njëjtën gjë, për shkak të një uniteti njohurie, arsyeje, përvoje dhe bindjeje. Kështu, mund të jetë një komunitet besimi dhe një unitet besimi. Por, ky komunitet dhe unitet fillon dhe mbaron në pohimin e besimit personal.

    Për këtë arsye, Simboli i Besimit në Kishën Orthodhokse – jo vetëm në pagëzimin dhe ritualin zyrtar të pranimit në Kishë, por gjithashtu në lutjet e përbashkëta dhe në Meshën Hyjnore – gjithmonë mbetet në vetën e parë. Nëse ne mund të lutemi, blatojmë, këndojmë, lavdërojmë, kërkojmë, bekojmë, gëzohemi dhe kujtojmë vetveten dhe njëri-tjetrin tek Perëndia në Kishë dhe si Kishë, e bëjmë këtë, vetëm se secili prej nesh, mund të thotë ndershmërisht, sinqerisht dhe me bindje: “Zot, Unë besoj…”- duke shtuar, fjalët e Ungjillit “…ndihi pabesisë s’ime!” (Marku 9:24).

    Që besimi ynë të jetë i sinqertë, ne duhet ta shprehim atë në jetën e përditshme. Ne duhet të sillemi sipas besimit tonë dhe ta provojmë atë me anë të mirësisë dhe fuqisë së veprimit të Perëndisë në jetët tona. Kjo s’ do të thotë që ne duhet të “tundojmë Perëndinë” ose “të vemë në provë Perëndinë”, duke bërë gjëra të marra e të panevojshme, vetëm për të parë nëse Perëndia do të marrë pjesë në marrëzinë tonë. Por, do të thotë, që, nëse ne jetojmë me besim në rrugën tonë të drejtësisë, mund të demonstrojmë faktin që Perëndia është me ne, duke na ndihmuar dhe udhëhequr në çdo mënyrë.

    Që besimi të rritet e të forcohet, duhet të përdoret. Çdo njeri duhet të jetojë sipas masës së besimit që ka, sado i vogël apo i dobët që mund të jetë. Duke vepruar sipas besimit që kemi, do të jepet besimi në Perëndinë dhe siguria në praninë e Tij dhe me ndihmën e Perëndisë, shumë gjëra që më parë as nuk imagjinoheshin, bëhen të mundshme.