Perëndia
Një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm
Besimi themelor i Kishës së Krishterë është në një Perëndi të gjallë e të vërtetë. “Dëgjo o Izrael: Zoti Perëndia ynë është një Perëndi; Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde. Dhe këto fjalë që Unë po ju urdhëroj sot do të vendosen në zemrat tuaja, dhe ju do t’ua mësoni ato fëmijëve tuaj, dhe ju do të flisni për to kur ju uleni në shtëpitë tuaja, kur ju ecni nëpër rrugë dhe kur ju shtriheni dhe kur ju ngriheni…” [Dhefteronomi (Ligji i përtërirë) 6:4-8]. Këto fjalë nga Ligji i Moisiut citohen nga Krishti si porosia më e madhe (Marku 12:29). Ato pasojnë Dhjetë Urdhërimet, të cilat fillojnë me: “Unë jam Zoti Perëndia juaj… ju nuk do të keni perëndira të tjera përveç meje” (Dhefteronomi 5:6-7).
Zoti dhe Perëndia e vetme e Izraelit zbuloi tek njeriu misterin e emrit të tij. Dhe Moisiu tha: “…nëse ata më pyesin mua, ‘Cili është emri i tij? çfarë do t’iu them atyre?’ Perëndia i tha Moisiut. ‘Unë Jam Ai që Unë Jam.’ Dhe ai tha: “Thuaji popullit të Izraelit, ‘Unë Jam më ka dërguar mua tek ju’.” Perëndia, gjithashtu, i tha Moisiut: “Thuaji popullit të Izraelit, ‘Jahveh, Perëndia i etërve tanë, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakovit, më ka dërguar tek ju: ky është emri im në jetë të jetëve, dhe kështu Unë do të përmendem në të gjithë brezat’.” (Eksodi 3:13-15).
Emri i Perëndisë është Jahveh, që në hebraisht do të thotë Unë jam Ai që jam; ose Unë jam çfarë Unë jam; ose Unë do jem çfarë unë do jem; ose thjesht Unë jam. Ai është Perëndia i gjallë dhe i vërtetë, i vetmi Perëndi. Ai është besnik dhe i vërtetë tek populli i tij. Ai u zbulon atyre hyjninë e Tij dhe Fjalën e Shenjtë. U jep atyre Shpirtin e tij hyjnor dhe të shenjtë. Ai thirrej Adonai: Zoti; dhe emri i tij i shenjtë Jahveh kurrë nuk përmendej nga populli, për shkak të shenjtërisë së tij të frikshme. Vetëm kryeprifti dhe vetëm një herë në vit, dhe vetëm në shenjtëroren e shenjtë të Tempullit të Jerusalemit, guxonte të thoshte emrin hyjnor, Jahveh. Në të gjitha rastet e tjera, Jahveh emërtohet Zot i Tërëfuqishëm, Perëndia i Tejlartë dhe Zot Perëndi i Ushtrive.
Sipas Shkrimit të Shenjtë dhe përvojës së shenjtorëve të Dhiatës së Vjetër dhe të Re, Jahveh është absolutisht i shenjtë. Kjo do të thotë literalisht, që Ai është absolutisht i ndryshëm dhe jo i ngjashëm me asnjë dhe me asgjë tjetër që ekziston (I Shenjtë literalisht do të thotë krejtësisht i ndarë, i ndryshëm, tjetër). Sipas Traditës Biblike Orthodhokse, madje edhe të thuash që “Perëndia ekziston”, duhet të cilësohet nga pohimi, që Ai është kaq unik dhe kaq i përkryer, sa që ekzistenca e Tij nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Në këtë kuptim Perëndia është “mbi ekzistencën” ose “mbi të qenurit”. Kështu, doktrina orthodhokse heziton të thotë që Perëndia “është” siç “është” çdo gjë tjetër, ose që Perëndia është thjesht “qenia supreme”, në zinxhirin e njëjtë të “të qenurit”, ashtu si çdo gjë tjetër është.
Në të njëjtin kuptim, doktrina orthodhokse thotë që uniteti apo njësia e Perëndisë, nuk është thjesht ekuivalent me konceptin filozofik apo matematik të “njëshit”; as jeta, mirësia dhe dituria Tij, si dhe tërë fuqitë dhe virtutet e atribuara Atij, gjithashtu, nuk janë thjesht ekuivalente me asnjë ide që njeriu mund të ketë për këtë lloj realiteti, qoftë kjo edhe ideja më e lartë. Ndonëse Orthodhoksia ruhet nga një koncept mbipozitivist i Perëndisë – ajo, e bazuar në përvojën e jetës së Perëndisë tek shenjtorët – vazhdon të bëjë pohimet e mëposhtme: Sigurisht, mund të thuhet që Perëndia ekziston përsosmërisht dhe absolutisht, si një jetë absolute dhe e përkryer, si mirësi, vërtetësi, dashuri, dituri, urtësi, unitet, pastërti, gëzim, thjeshtësi; si përkryerja apo superpërkryerja e gjithçkaje që njeriu njeh si të shenjtë, të vërtetë dhe të mirë. Ky është Perëndia, për të cilin në Meshën e shën Joan Gojartit deklarohet: “…Se Ti je Perëndi që s’mund të të shprehim, që s’mund të të kuptojmë; që je i padukshëm, që s’të arrin mendja jonë, që je gjithnjë, që je i njëjti” (Lutja e Anaforasë).
Ky është Perëndia – Jahveh i Izraelit – të cilin Jisui e shpalli Atin e Tij. Perëndia i Tërëfuqishëm njihet si “Atë” nëpërmjet Birit të Tij Jisu Krisht. Jisui na mësoi ta thërresim Zotin e Tërëfuqishëm, Perëndinë e Ushtrive, me emrin Atë. Përpara Jisuit askush nuk guxonte t’i lutej Perëndisë me emrin intim Atë. Krishti tha “Lutuni kështu: Ati ynë që je në qiejt…” Jisui mund ta quante Perëndinë Atë sepse Ai është Biri i vetëmlindur i Perëndisë.
Të krishterët mund ta quajnë Perëndinë Atë sepse nëpërmjet Krishtit ata morën Shpirtin e Shenjtë, duke u bërë vetë bij të adoptuar të Perëndisë. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje, dhe që ishte nën nom, që të shpërblej ata që ishin nënnom, që të marrin birësinë. Edhe meqenëse jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të Tij në zemrat tuaja që thërret, Abba, o Atë. Prandaj nuk je më shërbëtor, por bir; edhe nëse je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit” (Galatianët 4:4-7; Apostulli i Krishtlindjes në Kishën Orthodhokse).
Kështu, asnjë njeri nuk është bir natyror i Perëndisë dhe asnjë nuk mund ta quajë lehtësisht Perëndinë Atë. Ne mund ta bëjmë këtë vetëm me anë të Krishtit dhe të dhuratës së Shpirtit të Shenjtë. Dhe kështu, ne themi në Meshën Hyjnore. “Dhe bëna të denjë, o Zot, që pa ndrojtje e pa dënim të guxojmë të të thërresim Atë, Ty Perëndinë qiellor e të themi: Ati ynë që je në qiejt…”.
Duke soditur zbulesën e Perëndisë, Atit tonë, në jetën e popullit të Tij, në Dhiatën e Vjetër dhe në jetën e Kishës së Dhiatës së Re, mund të kapen nga njerëzit disa atribute dhe veçori të Perëndisë. Para së gjithash, duket qartë që Perëndia është dashuri dhe në tërë veprimet e Tij në drejtim të botës, Perëndia Atë, shpreh natyrën e Tij si Dashuri, nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë: Të dashur, le të duam njëri-tjetrin; sepse dashuria është nga Perëndia; edhe kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë, edhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri, nuk e njeh Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri. Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë mbi ne, se Perëndia dërgoi në botë Birin e Tij të vetëmlindur, që të rrojmë me anën e tij. Në këtë është dashuria, jo sepse ne e deshëm Perëndinë, por sepse Ai na deshi ne, dhe dërgoi Birin e tij për të shlyer fajet tona. Edhe ne e dimë dhe e kemi besuar dashurinë që ka Perëndia për ne.
Perëndia është dashuri, edhe ai që mbetet në dashurinë, mbetet në Perëndinë, dhe Perëndia në atë (1 Joani 4:7-16). …Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë që na është dhënë (Romanët 5:5).
Duke qenë Perëndia Dashuri, Ati ynë në qiejt bën gjithçka për jetën dhe shpëtimin e njeriut dhe të botës. Ai i bën këto sepse është i mëshirshëm, i mirë, i duruar dhe i dhembshur, duke dashur të falë mëkatet e njeriut, që njeriu të mund të marrë pjesë në jetën dhe dashurinë e Perëndisë. Këto atribute të hirshme të Perëndisë përmenden në psalmodinë e Kishës. “Beko Zotin, o shpirti im, dhe mos harro tërë mirësitë e tij. Atë që fal gjithë paudhësitë e tua, atë që shëron gjithë sëmundjet e tua… Zoti është i dhembshur dhe përdëllyes, zemërgjerë dhe mëshirëplotë” (Psalmi 103).
_____________
* Numërimet e psalmeve nuk janë sipas të Shtatëdhjetëve.