Frymët e liga
ose shpirtrat e këqij
Sipas Besimit Orthodhoks, përveç fuqive të krijuara shpirtërore, të cilat bëjnë vullnetin e Perëndisë, janë gjithashtu, shpirtrat që kanë ngritur krye kundër Perëndisë dhe që bëjnë keq. Këta janë demonët ose djajtë (që literalisht do të thotë “të ndarët”) dhe që njihen si në Dhiatën e Vjetër, ashtu dhe në Dhiatën e Re dhe në jetët e shenjtorëve. Satanai (që literalisht do të thotë kundërshtari
ose armiku), është emri për djallin, princin e frymëve të liga. Ai është identifikuar me gjarprin e Gjenezës 3 dhe si tunduesi i Jobit dhe i Jisuit (Jobi 1:6; Marku 1:33).
Ai emërtohet nga Krishti, si mashtrues dhe gënjeshtar, “ati i gënjeshtrës” (Joani 8:44) dhe si “princi i kësaj bote” (Joani 12:31; 14:30; 16:11). Ai ka “rënë nga qielli” së bashku me engjëjt e këqij, për të luftuar kundër Perëndisë dhe shërbëtorëve të tij (Lluka 10:18; Isaia 14:12). Ky i “hyri Judës” kur ai tradhtoi Krishtin (Lluka 22:3).
Apostujt e Krishtit dhe shenjtorët e Kishës i njohën nga përvoja e tyre e drejtpërdrejtë fuqitë e Satanait, që luftojnë kundër njeriut, për shkatërrimin e Njeriut. Gjithashtu, ata njohën pafuqinë e tij dhe shkatërrimin e tij përfundimtar kur njeriu është me Perëndinë, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë
të Krishtit. Sipas doktrinës Orthodhokse nuk ka rrugë të mesme ndërmjet Perëndisë dhe Satanait. Njeriu kurdoherë është o me Perëndinë, o me djallin, duke i shërbyer njërit apo tjetrit. Fitorja përfundimtare i përket Perëndisë dhe atyre që janë me Të. Satanai dhe ushtria e tij do të shkatërrohen në fund. Pa këtë njohje – dhe për më tepër – pa përvojën e këtij realiteti të betejës kozmike shpirtërore (Perëndia kundër Satanait, engjëjt kundër demonëve), askush nuk mund të quhet i krishterë orthodhoks dhe nuk mund të shohë e të jetojë realitetin më të thellë të jetës. Duhet të jetë e qartë, se djalli nuk është një tundues, që shfaqet fizikisht. Ai është dinak e i zgjuar dhe vepron duke
u fshehur dhe duke mashtruar. Fitorja e tij më e madhe është mosbesimi i njerëzve në ekzistencën dhe fuqinë e tij. Djalli sulmon haptazi vetëm ata
që nuk mund t’i mashtrojë me mënyra të tjera: Jisuin dhe shenjtorët e mëdhenj. Sepse në pjesën më të madhe të luftës së tij ai qëndron i fshehur dhe vepron me metoda dhe mënyra indirekte. Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse kundërgjyqësi juaj, djalli, porsi luani që ulurin vjen përqark, duke kërkuar cilin të përpijë (I Pjetri 5:8).
Vishni gjithë armët e Perëndisë, që të mundni t’u qëndroni kundër mjeshtërive
të djallit; Sepse lufta jonë nuk është kundër gjaku e mishi, por kundër prijësve, kundër pushteteve, kundër princërve të errësirës së kësaj jete, kundër frymëve të liga të vendeve qiellore (Efesianët 6:11-12).