…Njerëz të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë, çuditen dhe pyesin se si dhe pse Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila para 11 vjetësh ishte krejt e shkretuar e që vazhdon edhe sot të ketë nevoja të brendshme emergjente, merret aq energjikisht me programe ekologjike!
      Përgjigjja është e thjeshtë: Interesimi për krijesën, është një detyrë imediate për ata që e ndiejnë veten se kanë përfituar të mirat e Perëndisë; kjo është konsekuencë e vetëndergjegjësimit orthodhoks.
      Horizonti i Orthodhoksisë nuk përfshin vetëm gjërat njerëzore. I drejtpërdrejtë është interesi i saj për mbarë Krijesën. Në një kohë që rritet prishja e ekuilibrit të mjedisit natyror nga ndërhyrja e pamenduar e njeriut Kisha Orthodhokse e konsideron për detyrë që të gjallërojë, ndërmjet anëtarëve të saj dhe në grupin e gjerë shoqëror, ndjeshmërinë për Krijesën, e cila vuan shfrytëzimin më të egër nga pangopësia njerëzore; dhe të marrë pjesë në kufizimin e histerisë së konsumimit me “vetëpërmbajtjen”, e cila përbën një element të pandashëm të “Frytit të Shpirtit të Shenjtë” (Gal. 5:22). Gjithashtu, të kultivojë respektin thelbësor ndaj mjedisit natyror, duke theksuar vazhdimisht se ai është vepër e Perëndisë Triadik dhe duke zbuluar shenjtërinë dhe funksionalitetin që kanë të gjitha krijesat e Tij.
      Duke synuar në zhvillimin e ndërgjegjes orthodhokse lidhur me detyrën ekologjike, gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit (që nga viti 1991), si në Krishtlindje, ashtu dhe në Pashkë, kemi përfshirë në mesazhet tona festive referenca të zgjatura për dimensionin ekologjik të festave orthodhokse. Ne theksojmë se: Si tërësi shoqërore dhe si grupe më të vogla, e kemi shfrytëzuar tej mase natyrën me egoizmin dhe mendjengushtësinë tonë. Por gjithashtu, secili nga ne ka treguar indiferentizëm, madje e ka përçmuar natyrën, duke e ndotur atë me mënyra të ndryshme. Sa më shumë shohim padrejtësinë e pafalshme që bëjmë nëpërmjet pasivitetit, aq më shpejt do të pajtohemi përsëri me mjedisin tonë natyror.
       E gjallë është bindja jonë, se kultivimi sistematik i ndërgjegjes fetare, me respekt të dukshëm për mjedisin natyror, përbën një element bazë të lavdërimit dhe mirënjohjes sonë për Krijuesin e Gjithësisë.
       Fakti që jemi bashkë në këtë anije, si përfaqësues të feve, shkencave ekzakte, artit, të kujton se, krahas zonës së të vërtetës – pjesë e së cilës është e vërteta që lidhet me dukuritë natyrore – në realitetin e jetës njerëzore ekzistojnë dhe zonat e bukurisë dhe mirësisë.
      Nuk duket që e vërteta, bukuria dhe mirësia të ndahen plotësisht nga njëra-tjetra. Do të guxoja të thoja, me fjalët e një studiuesi bashkëkohor të kompjuterave, Profesor Brian Cantwell Smith, se “ashtu si fizikantët mbrojnë tezen se rëndesa, ngarkesa dhe masa etj., nuk kanë qenë të ndara në çastet e para të Gjithësisë, në mënyrë të ngjashme edhe Perëndia nuk e krijoi botën duke pasur të ndara të vërtetën, bukurinë dhe mirësinë”.
        Kisha Orthodhokse, me fjalën, adhurimin, tërë ekzistencën e saj, duke gërshetuar të vërtetën, bukurinë dhe dashurinë, thekson se ekziston një plan madhështor i Perëndisë për botën dhe njeriun, i cili kryhet me anën e Dashurisë së Tij krijuese dhe koherente. Fakti që vendi i simpoziumit tonë është një anije, e cila lundron në Adriatik, me sjell ndër mend një shprehje të eksploratorit të shquar të thellësisë së detit, Jacques Couseau: “Në fund të fundit, njerëzit mbrojnë vetëm atë që ata vërtet e duan”.
        Le t’i vazhdojmë punimet e simpoziumit tonë me shumë dashuri për natyrën që na rrethon, me ndjeshmëri të veçantë – do të thoja me dashuri – për bukurinë e brigjeve të Adriatikut, me dashuri të shfaqur ndaj çdo bashkudhëtari.
       Me më shumë dashuri për Krijuesin e Gjithësisë, i Cili është burimi i së vërtetës, i bukurisë dhe i mirësisë, dhe i Cili në Dhiatën e Re është identifikuar me Dashurinë (1 Joani 4: 19).
      Besoj se, kështu ne forcojmë kapacitetin tonë për një mendim krijues dhe sukses të përgjithshëm në simpoziumin tonë që starton sot.

——————————————-
Ky simpozium u zhvillua, në qershor të vitit 2002, brenda ambienteve të anijes gjigande “Festos Palace”, e ankoruar në disa qytete bregdetare të detit Adriatik (Korfuz, Butrint, Durrës, Kotorr, Split, Koper, Ravena) me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta shtetërore e fetare të vendeve përkatëse të Adriatikut. Organizatorët e këtij simpoziumi ishin Patriarkana Ekumenike, nën kujdesin e Patriarkut Ekumenik Vartolomeu I, dhe Bashkimi Evropian, me kujdestarinë e z. Romano Prodi, President i Komisionit Evropian.