Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”
Historia e Akademisë
Në vitet 40-të shërbenin në Kishën Orthodhokse më shumë se 440 priftërinj e dhjakonë. Në vitin 1991 kishin mbetur vetëm 22 prej tyre, nga të cilët 3 janë akoma gjallë. Në 7 Shkurt 1992, Kryepiskopi Anastas hapi një seminar teologjik që do të trajnonte të rinj dhe besimtarë vullnetarë, për të mësuar shërbesat kishtare, duke i përgatitur që të shërbejnë në kisha, duke i dorëzuar dalëngadalë ata në klerikë. Klasa e parë e 45 studentëve filloi studimet në një hotel në plazhin e Durrësit, në kushte të vështira, me mungesa të ujit, energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Në vitin 1996, shkolla u zhvendos në një kompleks modern ndërtesash të reja pranë manastirit të Shën Vlashit, në fshatin me të njëjtin emër, në Durrës. Kryepiskopi Anastas e zgjeroi fokusin e shkollës nga një seminar i drejtuar vetëm për përgatitjen e klerit në një Akademi Teologjike për djem dhe vajza. Në vitin 1997 filluan të përgatiten dhe të studjojnë edhe vajza që do të shërbenin në aktivitetet e ndryshme të Kishës. Klasa e parë kishte 8 vajza.
Vendndodhja & Godinat
Akademia Teologjike ndodhet pranë manastirit të Shën Vlashit në Durrës. Ndërtuar më 1996, kompleksi multifunksional është një nga shkollat më moderne në Shqipëri. Ky kompleks përfshin kishën e shkollës që quhet “Ngjallja e Krishtit” në të cilën bëhen shërbesat ditore, disa klasa mësimi, klasën e kompjuterave, sallën e studimit, atë të pritjes, sallën e ceremonive dhe të shfaqjeve, mencën, sallë e lojrave të ping-pongut, konviktin e djemve dhe atë të vajzave. Akademia ka edhe një bibliotekë të pasur me më shumë se 15.000 libra fetarë, shkencorë, historikë, letrarë etj.
Qëllimi i Akademisë
Qëllimi dhe i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” është të sigurojë formimin shpirtëror dhe akademik të klerit të ri dhe besimtarëve shqiptarë nëpërmjet studimeve teologjike, përjetimit liturgjik dhe jetesës në komunitet.
Jeta shkollore
Të gjithë kandidatëve të pranuar në shkollë u jepet bursë nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, e cila konsiston në mbulimin eshpenzimeve të studimeve, ngrënies dhe fjetjes. Kjo bursë rifitohet çdo vit për të gjithë studentët që mbajnë nivel të pranueshëm akademik dhe personal. Në programin 4-vjeçar akademik zhvillohen këto lëndë: Dhiatë e Vjetër, Dhiatë e Re, Dogmatikë, Patrologji, Etikë e krishterë, Liturgjikë, Histori e Kishës, Filozofi, e Drejtë kanonike kishtare, Predikim, Katekizëm, Kujdes Baritor (Pimantikë), Besimet nëpër botë, Misiologji, GjuhëShqipe,Histori e Lëvizjes ekumenike, Agjiologji, Psikologji, Muzikë bizantine, kompjuter dhe dy gjuhë të huaja – anglisht dhe greqisht. Në programin shkollor përfshihet edhe përjetimi liturgjik, duke marrë pjesë në shërbesat ditore të mëngjesit, të mbrëmjes, të pasdarkës, dhe pjesëmarrja në diskutimet shpirtërore të përjavshme dhe në seminaret periodike.
Studentët marrin pjesë, të paktën një herë në javë, në programe të gjëra edukimi, duke përfshirë dhënien e mësimeve të Katekizmit nëzonat përreth, vizita në dy institucione për fëmijë me aftësi të kufizuara, në jetimore, në shkollën e handikapëve, në një azil pleqsh, në burgun e adoleshentëve, në spital etj. në qytetet Durrës, Kavajë, Tiranë. Në vitin 1998 nga një grup studentësh iniciatorë, filloi të botohej brenda ambienteve të Akademisë gazeta “Fjala”. Kjo gazetë përmban informacione mbi aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Akademi, krijime të vetë studentëve, përkthime, materiale shpirtërore, etj.Në jetën e shkollës zënë vend gjithashtu edhe aktivitetet sportive, tani shkolla disponon një fushë të madhe volejbolli, futbolli dhe një dhomë lojrash.
Stafi pedagogjik & administrativ
Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” punon nën administrimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me kryetar Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Stafi pedagogjik përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë pedagogë, klerikë e laikë, burra e gra, nga Shqipëria, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në periudha të ndryshme vijnë edhe pedagogë të jashtëm nga Greqia, Anglia,etj.
Diplomimi
Deri në vitin 2009 kanë mbaruar studimet në këtë Akademi 201 studentë, 125 prej të cilëve janë bërë klerikë dhe 38 të tjerë shërbejnë me aktivitete të ndryshme në Kishë.
Për të ardhmen
Planet për të ardhmen përfshijnë zhvillimin e mëtejshëm të programeve mësimore me vizionin e rritjes të standardeve akademike, në nivel të tillë që ta kthejnë këtë shkollë në një institucion universitar të njohur. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë zhvillimi dhe pasurimi i bibliotekës për studime shkencore akademike, teologjike dhe kërkimore. Gjithashtu po punohet për shtim të klasave të tjera, ndërtim të një amfiteatri dhe të ndërtesës së re të fjetores së vajzave.
Pranimi i studentëve
Pranimi i studentëve nëAkademinë Teologjikebëhet me anë të konkursit të pranimit(me shkrim dhe me gojë).Materiali testues përmban katër vëllimet “Besimi Orthodhoks” të Pr. Thomas Hopko, të përkthyer në shqip nga Mitropoliti i Korçës Joani. Këto vëllime gjenden në të gjithë kishat e Shqipërisë si edhe në adresën e internetit.
Regjistrimet për konkurset bëhen në periudhën maj-shtator
Konkurset zhvillohen javën e parë të shtatorit. Jeni të mirëpritur !
AKADEMIA TEOLOGJIKE “NGJALLJA E KRISHTIT” SHËN VLASH, DURRËS
Sekretaria: Tel. 0575 – 22 397 ; Fax 0575 – 22 398
Email: teolorthalb@yahoo.com