Mëkati

     Fjala mëkat literalisht do të thotë “të mos qëllosh në shenjë”, të dështosh në çfarë duhet të bësh, të mos arrish atje ku duhet të shkosh. Në fillim njeriu u krijua që të ishte shembëlltyra e krijuar e Perëndisë, të jetonte i bashkuar me jetën hyjnore të Perëndisë dhe të sundonte mbi tërë krijimin. Dështimi i njeriut në këtë detyrë është mëkati i tij, i cili quhet gjithashtu rënia e ti. “Rënia” e njeriut do të thotë se njeriu dështoi t’i përgjigjej thirrjes që i kishte bërë Perëndia. Ky është dhe kuptimi i Gjenezës kap. 3. Njeriu u mashtrua nga i ligu (gjarpëri), duke besuar se do të mund të bëhej “si Perëndia” me anë të vullnetit dhe përpjekjes së tij.

    Në traditën orthodhokse ngrënia e “pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes”, në përgjithësi interpretohet si shijimi i së keqes nga njeriu, si provimi i së keqes si e tillë. Disa herë, kjo ngrënie është interpretuar (shën Grigor Theologu), si përpjekja e njeriut për të bërë atë që nuk është akoma në mundësitë e tij për t’u realizuar.

   Çfarëdolloj qofshin detajet e interpretimeve, është krejt doktrinë e qartë e Orthodhoksisë, që njeriu dështoi në vokacionin (thirrjen) e tij të parë. Ai nuk iu bind urdhërimit të Perëndisë, nga krenaria, xhelozia dhe mungesa e mirënjohjes së përulshme ndaj Perëndisë, duke iu dorëzuar tundimit të Satanait. Kështu, njeriu mëkatoi. Ai “humbi shenjën” e thirrjes së tij. Ai shkeli Ligjin Perëndisë (1 Joani 3:4). Dhe kështu ai shkatërroi vetveten dhe krijimin që i ishte dhënë atij për t’u kujdesur. Nga mëkati i tij – dhe mëkatet e tij – njeriu sjell vetveten dhe tërë krijimin nën sundimin e të ligut dhe të vdekjes.

    Në Shkrimin e Shenjtë dhe në teologjinë orthodhokse këto elemente gjithmonë shkojnë së bashku: mëkati, e keqja, djalli, vuajtja dhe vdekja. Kurrë nuk është një nga këto pa të tjerat dhe të gjitha janë rezultati i rebelimit të njeriut kundër Perëndisë dhe humbjes së kungimit me Atë. Ky është kuptimi kryesor i Gjenezës kap. 3 dhe i kapitujve që pasojnë, deri në thirrjen e Abrahamit.

    Mëkati sjell më shumë mëkat dhe të keqe më të madhe. Ai sjell mosharmoninë kozmike, prishjen dhe vdekjen e gjithçkaje. Njeriu përsëri mbetet shembëlltyra e krijuar e Perëndisë – kjo nuk mund të ndryshohet – por ai dështon të mbajë shëmbëlltyrën e tij të pastër dhe të mbajë ngjashmërinë hyjnore. Ai e ndyn njerishmërinë e tij me të keqen, e prish dhe e deformon atë, sa që nuk mundet më të jetë pasqyrimi i pastër i Perëndisë, siç duhet të ishte. Bota mbetet përsëri e mirë, madje “shumë e mirë”, por ajo pëson konsekuencat e hidhura të mëkatit të zotërisë së saj të krijuar dhe vuan me të, në agoninë e vdekjes dhe në prishje. Kështu, nga mëkati i njeriut, e tërë bota ra nën sundimin e Satanait dhe “gjendet në të ligët” (1 Joani 5:19; shih gjithashtu Romanët 5:12).

    Historia e Gjenezës, një tregim me frymëzim hyjnor, përshkruan me terma simbolike historinë e njeriut të parë dhe mundësitë dhe dështimet e tij fillestare. Ajo tregon, që mundësia e njeriut për zhvillimin dhe rritjen e përjetshme në Perëndinë, u kthye nga mëkati në shumimin dhe shtimin e dobësive të njeriut dhe në transformimin e krijimit në principatë të të ligut, në një varrezë kozmike,“që rënkon në dhimbje” deri sa të shpëtohet përsëri nga Perëndia (Romanët 8:19-23).

     Të gjithë fëmijët e Adamit, d.m.th. gjithçka që i përket racës njerëzore, merr pjesë në këtë fat tragjik. Edhe të porsalindurit, si shembëlltyra të Perëndisë në një botë thelbësisht të mirë, hidhen përnjëherë në një univers të lidhur nga vdekja, të sunduar nga i ligu dhe të mbushur me frutat e këqija të brezave të shërbëtorëve të tij të ligj.

     Ky është mesazhi themelor: njeriu dhe bota kanë nevojë të shpëtohen, Perëndia  e dha premtimin e shpëtimit qysh prej fillimit, premtim që filloi të përmbushet në histori në personin e Abrahamit, atit të Izraelit, stërgjyshit të Krishtit.

    Edhe Zoti i tha… Abramit (më vonë quajtur Abraham) “Unë do t’iu bëj ju një komb të madh… dhe nga ju të gjitha familjet e dheut do të bekohen” (Gjeneza 12:3; 22:15). Abrahami besoi tek Perëndia; dhe prej tij erdhi populli i Izraelit, nga i cili, sipas mishit, erdhi Jisu Krishti, Shpëtimtari dhe Zoti i Krijimit (Shih Lluka 1:55,73; Romanët 4; Galatianët 3).

    E tërë historia e Dhiatës së Vjetër përmbushet në Jisu Krishtin. Gjithçka që u ndodhi fëmijëve të zgjedhur të Abrahamit, ndodhi në perspektivën e shkatërrimit final të mëkatit dhe vdekjes nga Krishti. Dhiata e Perëndisë me Abrahamin, Isakun dhe Jakovin (emri i të cilit u ndërrua në Izrael, që do të thotë “ai që lufton me Zotin”); dymbëdhjetë tributë e Izraelit; historia e Josifit; pashka, eksodi dhe marrja e Ligjit të Perëndisë nga Moisiu; hyrja në tokën e premtuar nga Jisui i Naviut; themelimi i Jerusalemit dhe ndërtimi i tempullit nga Davidi dhe Solomoni; gjyqtarët, mbretërit, profetët dhe priftërinjtë; gjithçka në historinë e Dhiatës së Vjetër, të popullit të zgjedhur të Perëndisë e gjen qëllimin dhe kuptimin final në lindjen, jetën, vdekjen, ngjalljen, ngjitjen dhe lavdërimin e Birit të vetëm të Perëndisë, Jisuit, Mesias. Ai vjen nga Ati, për të shpëtuar popullin nga mëkatet e tyre, të hapë varret e tyre dhe të falë jetën e përjetshme tek i gjithë krijimi.