Jisu Krishti

    Dhe në një Zot, Jisu Krishtin

 

  Pohimi themelor i të krishterëve për Zotin e tyre është ky: Jisu Krishti është Zot. Ky pohim fillon në Ungjill, kur Jisui vetë i pyeti nxënësit e tij: “Po ju cili thoni se jam unë? Edhe Simon Pietri u përgjegj e tha: Ti je Krishti, i Biri i Perëndisë së Gjallë…” (Mattheu 16:16).

    Jisui është Krishti. Ky është akti i parë i besës, që njerëzit duhet të kenë për Atë. Në lindjen e Tij, djali i Marisë u quajt Jisu,që literalisht do të thotë Shpëtimtar (në hebraishte Joshua, emri që pati edhe pasuesi i Moisiut, i cili kapërceu lumin e Jordanit dhe udhëhoqi popullin e zgjedhur në tokën e premtuar). “Edhe do e quani emrin e tij Jisu, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mattheu 1:21; Lluka 1:31). Ky është Jisui, i cili është Krishti, që do të thotë I Lyeri, Mesia i Izraelit. Jisui është Mesia, ai që i ishte premtuar botës nëpërmjet Abrahamit dhe bijve të tij.

    Po kush është Mesia? Kjo është pyetja e dytë, e pyetur gjithashtu nga Krishti në Ungjill – por këtë herë jo nxënësve të tij, por atyre që po e ngacmonin dhe përpiqeshin ta kapnin në fjalët e tij. “Kush është Mesia?” ai i pyeti ata, jo sepse ata mund të përgjigjeshin apo donin realisht të dinin, por me qëllim që t’i bënte ata të heshtnin dhe të fillonte inaugurimin e “orës”, për të cilën kishte ardhur: orën e shpëtimit të botës.

    Edhe tek ishin mbledhur Farisejtë, Jisui i pyeti, duke thënë: Çmendoni për Krishtin (Mesian)? I Biri i kujt është? Ata i thanë “Biri i Davidit” Ai u thotë atyre, “Qysh pra Davidi me Frymë e quan atë Zot, duke thënë ‘I tha Zoti Zotit tim, Rri në të djathtën time derisa të ve armiqtë e tu nën këmbët e tua!’? (Psalmi 110) Nëse Davidi e quan Zot, si është ai i biri i tij?” Dhe askush nuk mundte të përgjigjej asnjë fjalë; as nuk guxoj ndonjë në atë ditë ta pyesë atë më (Mattheu 22:41- 46).

    Mbas ngjalljes së Jisuit, të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë që frymëzoi Davidin, apostujt dhe të gjithë anëtarët e Kishës e kuptuan kuptimin e këtyre fjalëve. Jisui është Krishti. Dhe Krishti është Zoti. Ky është misteri i Jisu Krishtit, Mesias, të Vetmit Zot, identifikuar me Perëndinë Jahveh të Dhiatës së Vjetër. Ne e pamë më lart që Jahveh quhej gjithmonë Adonai, Zoti, nga populli i Izraelit. Në Biblën greke (Septuagjinta – përkthimi i të shtatëdhjetëve) fjala Jahveh madje nuk shkruhej. Aty ku shkruhej fjala Jahveh në hebraishte dhe që hebrejtë thoshin Adonai, Zoti, në greqishte u shkruajt thjesht Qirios-Zoti. Kështu, Biri i Davidit, që është një tjetër mënyrë për të thënë Mesia, është quajtur Qirios, Zoti.

    Për judejtë dhe për të krishterët e parë, gjithashtu termi Zot ishte vetëm për Perëndinë: “Perëndia është Zoti dhe u shfaq ndër ne” (Psalmi 118). Ky Zot dhe Perëndi është Jahveh; dhe është Jisui, Mesia. Ndonëse Jisui thotë që “Ati është më i madh se unë” (Joani 14:28), ai thotë gjithashtu, “Unë dhe Ati jemi një” (Joani 10:30). Besimi në “Një Zot Jisu Krisht” është pohimi i parë i besës, për të cilën të krishterët e parë ishin gati të vdisnin. Sepse ky është rrëfimi që identifikon Jisuin me Perëndinë e Tejlartë.