Biri i Perëndisë

Birin e Perëndisë, të Vetëmlindurin

 

    Jisui është një me Perëndinë, si Biri i Tij i vetëmlindur. Kjo u formulua nga etërit e shenjtë të Sinodit të Nikeas si më poshtë: …dhe në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha…

     Këto rreshta flasin për Birin e Perëndisë, të quajtur gjithashtu Fjala (ose Logos) e Perëndisë, përpara lindjes së tij në mish njerëzor prej Virgjëreshës Maria në Bethlehem. Ka vetëm një Bir të Perëndisë të përjetshëm. Ai është quajtur i Vetëmlindur, që do të thotë i vetmi i lindur nga Perëndia Atë. I Lindur ka kuptimin jo i krijuar. Biri i Perëndisë ka lindur prej Atit “përpara gjithë shekujve”, d.m.th. përpara krijimit, përpara fillimit të kohës. Koha filloi me krijimin. Perëndia ekziston përpara kohës, në një ekzistencë të përjetshme, të pakohë, pa fillim dhe pa fund. Përjetësi, si fjalë nuk do të thotë një kohë pa fund, por do të thotë gjendje pa kohë – jo të kaluar ose të ardhshme, por vetëm një të tashme të vazhdueshme. Për Perëndinë nuk ka të kaluar apo të ardhshme. Për Perëndinë, gjithçka është tani.

      Në të përjetshmen “tani” të Perëndisë, përpara krijimit të botës, Perëndia Atë lindi Birin e Tij të vetëmlindur, në një lindje që mund të emërtohet e përjetshme dhe pa kohë. Kjo do të thotë që ndonëse Biri ka “lindur prej Atit”, lindja e tij është e përjetshme. Kështu, kurrë nuk ka patur një “kohë” kur nuk ka qenë Biri i Perëndisë. Heretiku Arios, pikërisht këtë thoshte, që ka patur një kohë që Biri nuk ka qenë. Mësimi i tij u dënua në Sinodin e Parë Ekumenik. Ndonëse i lindur nga Ati dhe e ka origjinën në Të, Biri i vetëmlindur gjithmonë ka ekzistuar, ose për ta shprehur më mirë “ekziston” gjithmonë si i pakrijuar, i përjetshëm dhe hyjnor. Kështu thotë Ungjilli i Shën Joanit: Në fillim ishte Fjala (Logos – Biri) dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi (Joani 1:1).

     Si i lindur i përjetshëm i Perëndisë dhe gjithmonë ekzistues me Atin në “lindjen e pa kohë”, Biri i Perëndisë është me të vërtetë “Dritë prej Drite, Perëndi i Vërtetë

 prej Perëndie të Vërtetë”. Sepse Perëndia është Dritë dhe çfarë ka lindur prej Tij duhet të jetë Dritë. Dhe Perëndia është Perëndi i Vërtetë dhe çfarë ka lindur prej Tij duhet të jetë Perëndi i Vërtetë. Ne e dimë nga rendi i gjërave të krijuara që çfarë është lindur duhet të jetë thelbësisht i njëjtë me atë që e ka lindur. Nëse një vjen nga një qenie, duhet të jetë e njëjta gjë. Kurrë nuk mund të jetë një gjë tjetër. Kështu, njerëzit lindin njerëz, zogjtë lindin zogj, peshqit peshq dhe lulet lindin lule. Kështu, Biri i lindur prej Atit, prej qenies hyjnore të përsosur, është krejtësisht si Ati, në të gjitha; me përjashtim të faktit që është lindur prej Atit dhe është Biri.

     Nëse Ati është hyjnor dhe përjetësisht i përsosur, i vërtetë, i ditur, i mirë, i dashur dhe gjithçka tjetër që ne dimë, se Perëndia është “i papërshkruar, i pakuptuar, i padukur, që egziston gjithmonë dhe përjetësisht i njëjti” (duke cituar Meshën), atëherë edhe Biri duhet të jetë i tillë në tërë këto gjëra. Një shenjt i Kishës thoshte “të thuash që çfarë është lindur nga Perëndia është më pak se Perëndia, do të thotë të mos nderosh Perëndinë”. Biri është “i lindur jo i bërë, që ka të qenët një me Atin”. “I lindur jo i bërë” mund të thuhet gjithashtu, “i lindur jo i krijuar”. Gjithçka që ekziston, përveç Perëndisë, është krijuar prej Tij: të gjithë gjërat e dukshme dhe të padukshme. Por Biri i Perëndisë nuk është një krijesë. Ai nuk u krijua ose u bë nga Perëndia. Ai u lind, doli prej vetë qenies dhe natyrës së Atit.

     Sipas kuptimit orthodhoks të zbulesës hyjnore, i përket vetë natyrës së Perëndisë – Perëndisë si Perëndi – që Perëndia është një Atë i përjetshëm nga natyra, dhe Ai do të ketë gjithmonë me Vete Birin e Tij të përjetshëm dhe të pakrijuar. I përket vetë natyrës së Perëndisë që Ai të jetë një qenie e tillë, meqenëse Ai është hyjnor i vërtetë dhe i për-sosur. I përket vetë natyrës së Perëndisë që Ai të mos jetë i vetëm i përjetshëm në hyjnishmërinë e Tij, por që qenia e Tij si Dashuri dhe Mirësi, duhet natyralisht “të derdhë vetveten” dhe “të riprodhojë vetveten” në lindjen e Birit hyjnor: “Birit të Dashurisë së Tij”, siç e quan atë apostull Pavli (Kolosianët 1:13). Kështu është një abis ndërmjet të krijuarës dhe të pakrijuarës, ndërmjet Perëndisë dhe gjithçkaje tjetër që Perëndia bëri nga hiçi. Biri i Perëndisë, nuk u bë nga hiçi. Ai është lindur përjetësisht prej qenies hyjnore të Atit. Ai i përket “anës së Perëndisë”.

    Duke qenë i lindur dhe jo i bërë, Biri i Perëndisë është çfarë Perëndia është. Shprehja që ka të qenët një me Atin do të thotë thjesht këtë: çfarë Perëndia Atë është, ashtu është edhe Biri i Perëndisë. Çfarë është Ati ashtu është edhe Biri. Ati është hyjnor, Biri është hyjnor; Ati është i përjetshëm, Biri është i përjetshëm; Ati është i pakrijuar, Biri është gjithashtu i pakrijuar; Ati është Perëndi dhe Biri është Perëndi. Ky është kuptimi kur ne pohojmë e rrëfejmë “i vetëmlinduri Bir i Perëndisë… që ka të qenët një me Atin”. Duke qenë gjithmonë me Atin, Biri gjithashtu ka një jetë, një vullnet, një fuqi dhe një veprim me Të. Gjithçka që Ati është dhe Biri është; kështu gjithçka që Ati bën, gjithashtu bën edhe Biri. Veprimi fillestar i Perëndisë jashtë ekzistencës së Tij hyjnore është veprimi i krijimit. Ati është krijuesi i qiellit dhe i dheut, i të gjithë dukurave dhe të padukurave. Dhe në veprimin e krijimit, ne pohojmë në Simbolin e Besimit, që Biri është ai “me anën e të cilit u bënë të gjitha”.

   Biri vepron në Krijimin, si përmbushësi i dëshirës së Atit. Veprimi hyjnor i krijimit – dhe me të vërtetë, çdo veprim drejt botës në zbulesën, shpëtimin dhe lavdërimin – është dëshiruar nga Ati dhe përmbushur nga Biri (ne do të flasim më poshtë për Shpirtin e Shenjtë) në një veprim hyjnor identik. Kështu, ne kemi në Gjenezën tregimin e krijimit të Perëndisë me anë të fjalës së Tij hyjnore (“Perëndia tha…”) dhe në Ungjillin e Shën Joanit zbulesën e mëposhtme: “Ai (Fjala-Biri) ishte në fillim me Perëndinë (Atin); të gjitha gjërat u bënë me anë të tij dhe pa të nuk u bë asgjë që është bërë” (Joani 1:2-3).

    Kjo është gjithashtu dhe doktrina e apostull Pavlit: “…me anë të atij (Birit) u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt dhe mbi dhe, të dukurat dhe të padukurat, a frone, a zotërime, a urdhëra, a pushtete – të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë. Ai është përpara të gjithave, dhe të gjitha me anë të atij qendrojnë” (Kolosianët 1:16-17). Kështu, Biri i përjetshëm i Perëndisë rrëfehet si ai “me anën e të cilit të gjitha u bënë” (Hebrejtë 1:2; 2:10; Romanët 11:36).

    Simboli i Besimit vazhdon “…Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri…”. Biri hyjnor i Perëndisë lindi në mish njerëzor për shpëtimin e botës. Kjo është doktrina qendrore e Besimit të Krishterë Orthodhoks; tërë jeta e të krishterëve mbështetet mbi këtë fakt. Simboli i Besimit thekson që Biri i Perëndisë erdhi “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë”. Kjo është doktrina biblike më qendrore, që “Perëndia kaq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16, cituar në çdo Meshë Hyjnore në qendër të lutjes eukaristike).

     Për shkak të dashurisë së Tij të përsosur, Perëndia dërgoi Birin e Tij në botë. Perëndia e dinte qysh në krijimin, që të kesh një botë ajo do të kërkojë mishërimin e Birit të tij në mish njerëzor. Mishërimi si fjalë do të thotë të marrësh tërësinë e natyrës njerëzore, trupin dhe shpirtin. “Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin’ e ati, lavdi porsi të vetëmlinduri prej Atit), plot me hir e me të vërtetë… Edhe të gjithë ne muarrmë prej plotësisë së tij, hir përmbi hir” (Joani 1:14-16).

     Zbriti prej Qiejve. . . Pohimi që Biri “zbriti prej qiejve dhe u mishërua”, nuk do të thotë që Ai ishte diku “atje lart” në univers dhe pastaj zbriti në planetin tokë. “Zbriti prej qiejve” është një shprehje biblike për të thënë që Biri i Perëndisë erdhi prej ekzistencës hyjnore që është krejtësisht “tjetër”, jashtë kufijve të hapësirës dhe kohës. Nuk duhet të harrojmë karakterin simbolik të të gjitha fjalëve dhe pohimeve tona rreth Perëndisë. Pohimi që Biri “zbriti prej qiejve”, gjithashtu, nuk duhet të interpretohet në kuptimin që përpara mishërimit Biri i Perëndisë mungonte krejtësisht nga bota. Biri i Perëndisë ishte gjithmonë “në botë” sepse “bota u bë me anën e atij” (Joani 1:10). Ai ishte gjithmonë i pranishëm në botë, sepse Ai personalisht është jeta dhe drita e njeriut (1 Joani 4).

    Çdo njeri, si “i krijuar në shembëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë” – vetëm duke qenë njeri – është një pasqyrim i Birit hyjnor, i Cili është Vetë shëmbëlltyra e pakrijuar e Perëndisë (Kolosianët 1:15; Hebrejtë 1:3). Kështu, Biri ose Fjala, ose Shembëlltyra (Imazhi), ose Rrezatimi i Perëndisë, siç quhet Ai në Shkrimin e Shenjtë, ishte gjithmonë “në botë” duke qenë gjithmonë i pranishëm në çdo “shembëlltyrë të krijuar” të tij, jo vetëm si krijuesi i tyre, por që tërë krijesat janë krijuar që të marrin pjesë në qenien e tij dhe ta pasqyrojnë atë. Kështu, në mishërimin e tij, Biri vjen personalisht në botë dhe bëhet Vetë njeri. Por edhe përpara mishërimit, Ai ishte gjithmonë në botë nëpërmjet pranisë dhe fuqisë së veprimit të tij krijues në krijesat e tij, veçanërisht tek njeriu.

    Për më tepër, doktrina Orthodhokse i sheh shfaqjet e Perëndisë tek shenjtorët e Dhiatës së Vjetër, të ashtuquajtura theofaní (që do të thotë shfaqje hyjnore), si shfaqje të Atit, nëpërmjet, dhe në Birin e tij ose Logos. Kështu, për shembull, shfaqjet tek Moisiu, Elia ose Isaia janë ndërmjetuar prej Birit hyjnor dhe të pakrijuar të Perëndisë. Gjithashtu doktrina orthodhokse na mëson, që Fjala e Perëndisë, e cila erdhi tek profetët dhe shenjtorët e Dhiatës së Vjetër, si dhe fjalët e Ligjit të Dhiatës së Vjetër së Moisiut, që në hebraishte quhen “fjalët” dhe jo si në shqip “urdhërimet”, janë gjithashtu zbulesa të Perëndisë me anë të Birit të Tij, Fjalës hyjnore. Kështu, për shembull, ne kemi dëshmi në Dhiatën e Vjetër për zbulesën e Fjalës së Perëndisë, si ajo tek Profeti Isaia, pothuaj në të njëjtën formë personale si në Ungjillin e krishterë: Ashtu si shiu dhe bora që zbresin nga qielli dhe nuk kthehen më atje, por bëhen ujë në tokë, duke e bërë atë të japë prodhime, duke dhënë farë tek mbjellësi dhe bukë tek ngrënësi, kështu dhe fjala që del nga goja ime; nuk do të kthehet e zbrazët, por do të kryejë atë që unë mendoj, dhe do të lulëzoj në gjërat për të cilat e dërgova (Isaia 55:10-11).

     Kështu, përpara lindjes së Tij personale si njeri prej Virgjëreshës Mari, Jisui, Biri hyjnor dhe Fjala e Perëndisë ishte në botë nëpërmjet pranisë dhe veprimit të Tij në krijimin, veçanërisht në njeriun. Ai ishte i pranishëm dhe aktiv; gjithashtu në theofanitë e shenjtorëve të Dhiatës së Vjetër; dhe në fjalët e ligjit dhe të profetëve, në shkrimet dhe në traditën gojore.