Çlirimi
Dhe u Kryqëzua për ne, në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros.
Ndonëse Jisui nuk mëkatoi dhe nuk duhej të pësonte dhe të vdiste, ai vullnetarisht mori mbi vete mëkatet e botës dhe vullnetarisht e dha veten në vuajtje dhe vdekje për hir të shpëtimit. Kjo ishte detyra e tij si Mesia-Shpëtimtar: “Fryma e Zotit është mbi mua, që të sjellë sihariq tek të vuajturit… për t’i dhënë kurajo zemërthyerve, për të shpallur çlirimin tek robërit, dhe për të hapur burgun e atyre që janë lidhur… për të ngushëlluar tërë ata që janë në zi… për t’u dhënë atyre një kurorë në vend të hirit e dheut, vajin e gëzimit në vend të vajtimit” (Isaia 61:1-3).
Në të njëjtën kohë, Jisui duhet ta bënte këtë si shërbëtori i përvuajtur i Jahves-Perëndi. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjes, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona: por ne e konsideruam të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. U soll për therje si dele. Dhe sikurse qengji i pafajshëm nuk nxjerr zë përpara atij që e qeth, kështu nuk e hapi gojën e tij. Me përuljen e tij, gjykimi i tij u ngrit. Po origjinën e tij kush do ta tregojë? Sepse ai u largua nga toka e të gjallëve dhe u godit për shkak të shkeljeve të popullit tim. Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, por kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante.
Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetëve dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.
Këto fjalë të profetit Isaia, të shkruara shekuj para lindjes së Jisuit, tregojnë historinë e misionit të tij mesianik. Ky mision filloi zyrtarisht para syve të të gjithëve, në pagëzimin nga Joani në Jordan. Duke e lejuar veten të pagëzohej me mëkatarët, ndonëse ai nuk kishte mëkat, Jisui tregoi që ai e pranon thirrjen e tij që të identifikohet me mëkatarët: “i Dashuri” i Atit dhe “Qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës” (Joani 1:29; Mattheu 3:17). Jisui filloi të mësonte pikërisht në të njëjtën ditë kur nxënësit e tij e rrëfyen për herë të parë Mesia, “Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë.” Jisui u tregon përnjëherë për misionin e tij për “të shkuar në Jerusalem, dhe të pësonte shumë … edhe të vritet, edhe të tretën ditë të ngjallet” (Mattheu 16:16-23; Marku 8:29-33)apostujt shqetësohen shumë nga kjo. Jisui u tregon përnjëherë atyre hyjninë e tij duke u shpërfytyruar para tyre në mal, në lavdinë hyjnore, në prani të Moisiut dhe Elisë. Ai u thotë atyre përsëri: “Biri i Njeriut do të jepet në duart e njerëzve dhe ata do vrasin atë, edhe të tretën ditë do të ngjallet” (Mattheu 17:1-23; Marku 9:1-9).
Fuqitë e së keqes, në fund, u shumuan kundër Krishtit: “Mbretërit e dheut u mblodhën së bashku kundër Zotit dhe Krishtit të Tij” (Psalmi 2:2). Ata po kërkonin shkaqe për ta vrarë atë. Akuza zyrtare ishte blasfemia, “sepse ti, ndonëse je njeri, e bën vetveten tënde Perëndi” (Joani 10:31-38). Por arsyet e thella ishin më personale: Jisui u tregoi njerëzve të vërtetën dhe zbuloi kokëfortësinë e tyre, marrëzinë e tyre, hipokrizinë e tyre dhe mëkatin e tyre. Për këtë arsye, çdo mëkatar, i rënduar nga mëkatet e tij dhe duke refuzuar të pendohet, dëshironte kryqëzimin e Krishtitit.
Vdekja e Krishtit erdhi nga duart e udhëheqësve politikë e fetarë të kohës së tij, me aprovimin e masës: kur Kaiafa ishte kryeprift, “nën Pontin Pilat.” Ai “u kryqëzua për ne… dhe pësoi dhe u varros”, që të ishte me ne në pësimet dhe vdekjet tona, të cilat ne i sollëm mbi vetet tona, për shkak të mëkateve tona: “Sepse paga e mëkatit është vdekje” (Romanët 6:23). Në këtë kuptim Apostulli Pavël shkruan për Krishtin që “u bë një mallkim për ne” (Galatianët 3:13), “Sepse Perëndia atë që s’njohu faj për ne e bëri të jetë faj, që të bëhemi ne drejtësia e Perëndisë me anë të atij” (2 Korinthianët 5:21).
Pësimi dhe vdekja e Krishtit në bindjen ndaj Atit, zbulon dashurinë hyjnore të mbibollshme të Perëndisë për krijimin e tij. Sepse kur gjithçka ishte mëkat, mallkim dhe vdekje, Krishti u bë mëkat, mallkim dhe vdekje për ne – ndonëse ai kurrë nuk pushoi së qenuri drejtësia, bekimi dhe jeta e Vetë Perëndisë. Në këtë thellësi, që më thellë nuk mund të zbulohet apo imagjinohet, Krishti e përuli vetveten “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë”. Sepse duke qenë Perëndi, ai u bë njeri; dhe duke qenë njeri, ai u bë një shërbëtor; dhe duke qenë një shërbëtor, ai u bë i vdekur dhe jo vetëm i vdekur, por i vdekur në kryq. Nga ulja më e thellë e Perëndisë rrjedh lartësimi i përjetshëm i njeriut. Kjo është doktrina qendrore e besimit të krishterë orthodhoks e shprehur në mënyra të ndryshme gjatë historisë së Kishës Orthodhokse. Kjo është doktrina e Çlirimit (e Shpengimit, Shpëtimit, Shpërblimit) – sepse ne jemi shpërblyer, d.m.th. “blerë me një çmim”, çmimin e madh të gjakut të Krishtit (Veprat 20:28; 1 Korinthianët 6:20).
“Edhe le të jetë mbi ju po ajo mendje që ishte edhe mbi Jisu Krishtin; I cili duke qenë në formë të Perëndisë, nuk e numëroj për rrëmbim të qenurit si një me një me Perëndinë, Po zbrazi veten e tij edhe mori formë shërbëtori, e u bë porsi njerëzit në ngjashmëri; Edhe duke u gjendur në formë porsi njeri, e përunji veten e tij, e u bë i bindur gjer në vdekje, edhe vdekje kryqi. Prandaj dhe Perëndia e lartoj fort tepër, edhe i fali atij një emër që është përmbi çdo emër; Që në emrin e Jisuit të ulet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhet e nën dhet, Edhe çdo gjuhë të rrëfej se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianët 2:5-11).
Në veprimin çlirues dhe shpëtimtar të Krishtit, është bërë diçka tradicionale të theksohen tri aspekte, të cilat në realitet nuk janë të ndara dhe nuk mund të jenë; por në teori (d.m.th. në vizionin e veprimit dhe qenies së Krishtit si Shpëtimtar i botës) mund të dallohen. I pari nga këto tri aspekte të veprës çliruese të Krishtit, është fakti që Jisui e shpëton njerëzimin duke i siguruar imazhin e përsosur dhe shembullin e jetës njerëzore, të mbushur me hirin dhe fuqinë e Perëndisë.
Jisui, Shembëlltyra e Përsosur e Jetës Njerëzore
Krishti është Fjala e mishëruar e Perëndisë. Ai është Mësuesi i dërguar nga Perëndia në botë. Ai është trupëzimi i Vetë Perëndisë në formë njerëzore. Ai është “shembëllesa e Perëndisë së padukur” (Kolosianët 1:15). Në Atë “rri gjithë të mbushurit e hyjnisë trupërisht” (Kolosianët 2:9). Personi që sheh Jisuin sheh Perëndinë Atë (Joani 14:9). Ai është “paqyrimi i lavdisë së Perëndisë dhe shpreh vulën e qenies së Tij” (Hebrenjtë 1:3). Ai është “Drita e botës”, që “ndriçon çdo njeri… që vjen në botë” (Joani 8:12, 1:9). Të jesh i shpëtuar prej Jisu Krishtit, para së gjithash, duhet të jesh i ndriçuar prej Tij; ta shohësh Atë si Dritë, dhe të shohësh çdo gjë nën dritën e Tij. Ta njohësh Atë si “E Vërteta” (Joani 14:6); dhe të njohësh të vërtetën në Atë. “Edhe do të njihni të vërtetën, edhe e vërteta do t’ju lirojë juve” (Joani 8:31).
Kur dikush është shpëtuar prej Perëndisë në Krishtin, ai njeh të vërtetën duke plotësuar dëshirën e Perëndisë për krijesat e Tij, sepse “Perëndia Shpëtimtari ynë… dëshiron të shpëtohen të gjithë njerëzit, dhe të njohin të vërtetën” (1 Timotheu 2:4). Duke shpëtuar botën e Perëndisë, Jisu Krishti ndriçon krijesat e Perëndisë me anë të Shpirtit të Shenjtë, Shpirtit të Perëndisë që është Shpirti i së Vërtetës që buron prej Atit dhe është dërguar në botë nëpërmjet Krishtit. “Nëse më doni, ruani porosit e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe Ai do t’ju japë një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju përjetë, Frymën e së Vërtetës, të cilën bota s’munt ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; po ju e njihni, sepse banon me ju, edhe do të jetë me ju” (Joani 14:15-17). “Po kur do të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t’ja dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati, do të dëshmoj për mua (Joani 15:26). Po kur të vijë Fryma e së Vërtetës, do t’ju udhëheqë juve në të vërtetën” (Joani 16:13).
Kështu, aspekti i parë i shpëtimit në Krishtin është të ndriçohesh prej Atij dhe të njohësh të vërtetën rreth Perëndisë dhe njeriut, me anë të udhëheqjes së Shpirtit të Shenjtë, Shpirtit të së Vërtetës, të cilin Perëndia e jep nëpërmjet Atij tek ata që besojnë.
Kjo dëshmohet në shkrimet apostolike të Shën Joanit dhe të Shën Pavlit: “Edhe ne s’kemi marrë frymën e botës, por Frymën që është nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar nga Perëndia. Për këto edhe flasim, jo me fjalë të mësuara prej diturisë së njerëzve, por me fjalë të mësuara prej Frymës së Shenjtë, duke barazuar punët shpirtërore me punët shpirtërore… Sepse cili njohu mendjen e Zotit, që ta mësojë Atë? Po neve kemi mendje Krishti” (1 Korinthianët 2:12-16).
“Duke bërë që ne të njohim misterin e dashurisë së tij, pas pëlqimit të tij, që e pat vënë ndër mend me veten e tij, që në të mbushurit e kohës, të përmbledhi të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë në tokë. […] Mua… m’u dha ky hir… që t’i ndriçoj të gjithë, që të dinë çfarë është të pasurit pjesë në misterin fshehur prej jetëve te Perëndia… që të njihet me anë të kishës dituria e pafund e Perëndisë…” (Efesianët 1:9-10; 3:9-10).
“Sepse dua… që të ngushëllohen zemrat e atyre, duke u bashkuar në dashuri, edhe mbi çdo farë pasjeje të kuptimit të mbaruar, që të njohin misterin e Perëndisë Atit dhe të Krishtit; Tek i cili janë fshehur gjithë thesaret e urtësisë dhe të diturisë” (Kolosianët 2:1-3).
“Edhe ju jeni të lyer prej Shenjtit, edhe i dini të gjitha. Nuk ju shkrova juve sepse nuk dini të vërtetën, por sepse e dini, edhe sepse çdo gënjeshtër nuk është nga e vërteta. […] …Edhe të lyerit që muarët nga Ai mbetet në ju, edhe s’keni nevojë t’u mësojë juve ndonjë; sikundër të lyerit ju mëson juve për të gjitha, dhe është e vërtetë, edhe nuk është gënjeshtër, edhe sikundër u mësoj juve do të mbeteni në atë. […] Edhe nga kjo e njohim se mbetet ndër ne, nga Fryma që na u dha.” (1 Joani 2:20-27; 3:24).
Prandaj, aspekti i parë i shpëtimit të njeriut në Krishtin, është aftësia dhe fuqia për të parë, njohur, besuar dhe dashur të vërtetën e Perëndisë në Krishtin, i cili është e Vërteta, me anë të Shpirtit të së Vërtetës. Kjo është dhurata e njohurisë dhe diturisë, e ndriçimit dhe e pastrimit. Ky është kushti i të qenurit i “mësuar prej Perëndisë”, siç u paratha nga profetët dhe u përmbush nga Krishti (Isaia 54:13; Jeremia 31:33-34; Joani 6:15). Kështu, në Kishën Orthodhokse, hyrja në jetën shpëtimtare të Kishës, nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes, është quajtur “ndriçimi i shenjtë” (Shih kapitullin Adhurimi). “Sepse Perëndia që tha ‘le të ndriçojë drita në errësirë’, është Ai që ndriçoi zemrat tona për të dhënë të ndriturit e të njohurit e lavdisë së Perëndisë në faqen e Jisu Krishtit” (2 Korinthianët 4:6).
Jisui, Pajtuesi i Njeriut me Perëndinë
Aspekti i dytë i aktit të pandarë të Krishtit, në shpëtimin e njeriut, është kryerja e pajtimit të njeriut me Perëndinë Atë, nëpërmjet faljes së mëkateve. Ky është çlirimi dhe pajtimi, shpengimi prej dënimit të shkaktuar nga mëkati. Sepse kur ishim ne të sëmurë, Krishti vdiq në kohën që ishte urdhëruar për të pabesët. Sepse mezi për njeri të drejtë do ndonjë të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë.
Po Perëndia tregon dashurinë e Tij mbi ne, sepse tek ishim fajtorë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër pra si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Sepse nëqoftëse kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të Tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij. Edhe jo vetëm këtë, po edhe mburremi në Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të cilit morëm tani pajtimin (Romanët 5:6-11).
Prandaj, nëse ndonjë është në Krishtin, ky është krijesë e re, të vjetrat shkuan, ja tek u bënë të gjitha të reja. E gjithë kjo është nga Perëndia, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit; Do me thënë Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij, pa iu numëruar atyre fajet e tyre; edhe vuri ndër ne fjalën e të pajtuarit (2 Korinthianët 5:17-19). Falja e mëkateve është një nga shenjat e ardhjes së Krishtit, Mesias. Kjo ishte parathënë në Dhiatën e Vjetër: …ata të gjithë do të më njohin, nga më i madhi deri tek më i vogli, thotë Zoti; sepse unë do e fal padrejtësinë e tyre, dhe nuk do e kujtoj më mëkatin e tyre (Jeremia 31:34).
“Krishti është Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës, Qengji që është therur, që nëpërmjet Atij të faleshin të gjitha mëkatet. Ai është gjithashtu kryeprifti, që blaton blatën e përsosur me anë të së cilës njeriu është pastruar prej mëkateve të tij dhe është larë prej padrejtësive të tij. Jisui blaton, si kryeprift, blatën e përsosur të vetë jetës së Tij, vetë trupin e Tij, si Qengji i Perëndisë në drurin e kryqit. Sepse për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti pësoi për ju, e u la juve një shembull, që të ecni pas gjurmëve të tij; I cili ‘nuk bëri faj, as u gjend kobim në gojën e tij’. I cili kur përqeshej nuk përqeshte, kur pësonte nuk kërcënonte, po e jepte veten e tij në dorë të atij që gjykon me të drejtë; I cili vetë mbajti fajet tona në trup të tij mbi dru, që si të vdesim në fajet, të rrojmë në drejtësi; ‘me plagën e tij u shëruat’. Sepse ishit ‘si dhen të arratisura’; po tani u kthyet tek Bariu dhe tek Peshkopi i shpirtrave tuaj” (1 Pietri 2: 21-25).
Blatimi dhe flijimi kryepriftëror i Birit të Perëndisë tek Ati i Tij i përjetshëm përshkruhet me detaje në Letrën e Hebrejve. Në ditët e mishit të Tij, Jisui pasi pruri të falura dhe të lutura, me klithmë të fortë dhe me lot tek Ai që mund ta shpëtonte Atë nga vdekja, edhe u dëgjua për të druajturit e Tij nga Perëndia. Ndonëse ishte Bir, Ai mësoi nga ato që pësoi të jetë i bindur, edhe si u bë i përsosur u bë burim për shpëtim të përjetshëm për të gjithë ata që i binden Atij, duke qenë i quajtur nga Perëndia kryeprift pas urdhërit të Melkisedekut (Hebrenjtë 5:7-10).
Por si erdhi Krishti, kryeprifti i të mirave që kanë për të ardhur me anë të më së madhes e më të mbaruarës tendë, që s’është bërë me dorë (d.m.th. në prani të Perëndisë) …po me anë të gjakut të tij hyri një herë në Shenjtoren e Shenjtë, duke siguruar kështu një shpengim të përjetshëm. Sepse nëqoftëse gjaku i demave e i cjepve, edhe hiri i mëshqerës që spërkat të ndyrët shenjtëron për pastrimin e mishit, Sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së përjetshme pruri veten e tij për flijim të pa njollë te Perëndia, do të pastroj ndërgjegjen tuaj nga punëra të vdekura, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë. Prandaj është ndërmjetës i një dhiate të re, që me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e të shkelurit të porosive në kohën e dhiatës së parë, të marin ata që janë thirrur zotimin e trashëgimit të përjetshëm (Hebrenjtë 9:11-15).
Sipas Shkrimeve, mëkatet e njeriut dhe të gjithë botës janë falur nga flijimi i Krishtit, nga blatimi i jetës së Tij – trupi i Tij dhe gjaku i Tij, i cili është “gjaku i Perëndisë” (Veprat 20:28) – në kryq. Ky është “çlirimi”, “shpërblimi”, “shlyerja”, “pajtimi”, për të cilat flitet shpesh në Shkrimin e Shenjtë. Krishti “pagoi çmimin” që ishte i nevo-jshëm për t’u paguar, që bota të falej dhe të pastrohej nga të gjitha padrejtësitë dhe mëkatet (1 Korinthianët 6:20; 7:23).
Në historinë e doktrinës së krishterë ka patur një debat të madh rreth problemit se kujt “i pagoi çmimin” Krishti për çlirimin e botës dhe për shpëtimin e njerëzimit. Disa thanë që “pagesa” iu bë djallit. Kjo është pikëpamja që djalli ka disa të “drejta” mbi njeriun dhe botën për shkak të mëkatit të njeriut. Në rebelimin e tij kundër Perëndisë, njeriu e “shiti veten tek djalli”, duke e lejuar kështu të Ligun të bëhet “princi i kësaj bote” (Joani 12:31). Krishti erdhi t’i paguajë borxhin djallit dhe të çlirojë njeriun nga robëria e tij me anë të flijimit të Tij në kryq. Të tjerë thanë që “pagesa” e Krishtit për njerëzit iu bë Perëndisë Atit. Kjo është pikëpamja që e interpreton vdekjen flijimore të Krishtit në kryq, si pagesa e duhur për të zbutur zemërimin e Perëndisë ndaj racës njerëzore. Perëndia ishte fyer nga mëkati i njeriut. Ligji i Tij ishte shkelur dhe drejtësia e Tij ishte fyer. Njeriu duhej të paguante dënimin për mëkatin e tij duke paguar dënimin e duhur. Por asnjë pagesë njerëzore nuk mund ta përmbushte drejtësinë e Perëndisë, sepse drejtësia e Tij është hyjnore. Kështu, Biri i Perëndisë duhej të lindte në botë dhe të merrte dënimin që duhej të paguhej nga njerëzit. Ai duhej të vdiste, që Perëndia të merrte pajtimin e duhur për fyerjen e njeriut ndaj Tij. Krishti dha veten e Tij për ne dhe vdiq për mëkatet tona, duke dhënë gjakun e Tij, si një flijim pajtues për mëkatet e botës. Duke vdekur në kryq, në vend të njeriut mëkatar, Krishti pagoi çmimin e plotë për mëkatet e njeriut. Fyerja e njeriut u shlye dhe bota u pajtua me Krijuesin e saj.
Duke komentuar se kujt “i pagoi çmimin” Krishti për shpëtimin e njeriut, Shën Grigor Theologu, në shekullin e katërt, shkroi sa më poshtë në Ligjërimin e dytë të Pashkës: Tani do të shqyrtojmë një tjetër fakt dhe dogmë, harruar nga pjesa më e madhe, por sipas mendimit tim ia vlen të shqyrtohet. Kujt iu ofrua ky Gjak i blatuar që u derdh për ne, dhe përse u Ai derdh? Dua të them Gjaku i çmuar i Perëndisë tonë dhe Kryepriftit tonë dhe Flijimit tonë. Ne ishim mbajtur në robëri nga i Ligu, të shitur nën mëkatin, dhe duke marrë kënaqësi për dobësinë. Tani, meqenëse një pagesë i takon vetëm atij që mban në robëri, Unë pyes kujt iu dha dhe përse? Nëse iu dha të Ligut, çfarë fyerje! Nëse grabitësi merr shpërblesën, jo vetëm prej Perëndisë, por një shpërblim që është Perëndia Vetë, dhe të ketë një pagesë të tillë të shkëlqyeshme për tiraninë e tij, atëherë do të ishte e drejtë për atë të na kishte lënë të gjithëve! Por nëse tek Perëndia Atë, së pari unë pyes: Qysh? Sepse ne nuk ishim shtypur prej Tij. Dhe së dyti, në çfarë parimi Gjaku i Birit të Tij të vetëmlindur kënaqi Atin, i cili nuk pranoi madje Isakun, kur ai do të flijohej nga ati i tij, (Abrahami), por e zëvendësoi flijimin me një dash në vend të flijimit njerëzor? (Gjeneza 22). A nuk është pra e qartë që Ati e pranoi Atë, po nuk e kërkoi Atë; por për hir të mishërimit, dhe meqenëse Njerishmëria mund të përmbushej nga Njerishmëria e Perëndisë, që Ai të mund të na dorëzonte Vetë, dhe të mundte tiranin (d.m.th. djallin) dhe të na tërhiqte tek Vetvetja me anë të ndërmjetimit të Birit të Tij, i cili gjithashtu e përgatiti këtë në nderim të Atit, dhe u bind në të gjitha.
Në përgjithësi, në teologjinë orthodhokse mund të thuhet, se termat “pagesë” dhe “shpërblim” janë kuptuar më tepër në një mënyrë simbolike dhe metaforike, për të thënë që Krishti bëri gjithçka të nevojshme për të shpëtuar dhe çliruar njerëzimin e skllavëruar tek djalli, mëkati dhe vdekja, dhe nën zemërimin e Perëndisë. Ai nuk e “pagoi çmimin” në një kuptim legalistik, juridik apo ekonomik. Ai nuk e “pagoi çmimin” tek djalli, që i kishte fituar të drejtat mbi njeriun me mashtrim e tirani. Ai nuk e “pagoi çmimin” tek Perëndia Atë, në kuptimin që Perëndia zbutet me vuajtjen e Tij dhe merr “satisfaksionin” prej krijesave të Tij në Atë. Më mirë mund të themi që Ai e “pagoi çmimin” tek Vetë Realiteti. Ai e “pagoi çmimin” për të krijuar kushtet në dhe, nëpërmjet të cilave njeriu mund të merrte faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme, me anë të vdekjes dhe ngjalljes në Atë, në rinimin e jetës (Shih Romanët 5-8; Galatianët 2-4).
Me anë të vdekjes në kryq dhe ngjalljes së vdekurësh, Jisu Krishti e pastroi botën prej mëkatit dhe së keqes. Ai e mundi djallin “në territorin e tij” dhe “në kushtet e tij”. “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romanët 6:23). Kështu, Biri i Perëndisë u bë njeri dhe mori mbi Vete mëkatet e botës dhe vdiq vullnetarisht. Me anë të vdekjes së Tij të pamëkatshme dhe të pafajshme të bërë krejtësisht nga vullneti i tij i lirë – dhe jo nga një nevojë fizike, morale apo juridike – Ai e bëri vdekjen të vdesë dhe të bëhet një burim dhe rrugë për jetën e përjetshme. Këtë këndon Kisha në të kremten e Ngjalljes, Pashkës së Re në Krishtin, Qengjit Paskal të ri, që u ngjall së vdekurësh: Krishti u ngjall së vdekurësh, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali! (Tropari i Pashkës).
Dhe ja se si lutet Kisha në Meshën Hyjnore të Shën Vasilit të Madh: “Po, meqënëse ishte Perëndi para jetëve, u duk mbi dhe, dhe u shoqërua me njerëzit; dhe duke u mishëruar prej Virgjëreshës së Shenjtë, e përuli veten dhe mori formë shërbëtori, duke u bërë një me formën e trupit tonë të përulur, që të na bëjë dhe ne njësoj me formën e ikonës të lavdisë së Tij. Sepse meqë mëkati erdhi në botë me anën e njeriut, dhe nga shkaku i mëkatit vdekja, prandaj dhe Biri yt i vetëmlindur që është në gjirin tënd, o Perëndi Atë, dhe që lindi prej gruaje, prej Hyjlindëses së Shenjtë dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari, iu nënshtrua ligjit dhe denjoi të dënojë mëkatin në trupin e tij; në mënyrë që, ata që vdesin më Adamin, të ngjallen në vetë Krishtin tënd. Dhe duke jetuar në këtë botë, duke dhënë porosira shpëtimi, duke na larguar nga gënjeshtrat e idhujve, na solli në njohjen tënde, Perëndisë së vërtetë dhe Atit, dhe na bëri për veten e tij popull të zgjedhur, priftëri mbretërore, komb të shenjtë. Dhe duke na pastruar me ujë, dhe duke na shenjtëruar me Shpirtin e Shenjtë, dha veten këmbim te vdekja prej së cilës mbaheshim të shitur nga mëkati. Dhe duke zbritur me anën e kryqit në Ferr që të plotësojë tërë misionin e Tij, zhduku dhembjet e vdekjes; dhe pasi u ngjall të tretën ditë dhe i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish, meqë nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes kryetari i jetës. Dhe u bë fillimi i të fjeturve, i paralinduri i të vdekurve, që të jetë Ai gjithçka, duke qenë i pari në të gjitha…” (Lutja Eukaristike e Meshës së Shën Vasilit).
Jisui, Shkatërruesi i Vdekjes
Aspekti i tretë dhe i fundit i aktit shpëtimtar të Jisuit është më i thelli. Eshtë shkatërrimi i vdekjes prej vetë vdekjes së Krishtit. Ky është transformimi i vdekjes në një akt jete. Eshtë rikrijimi i Sheolit – gjendja shpirtërore e të qenurit i vdekur – në parajsë të Perëndisë. Kështu, në dhe nëpërmjet vdekjes së Jisu Krishtit, vdekja vdiq. Në Atë, i cili është Ngjallja dhe Jeta, njeriu nuk mund të vdesë, por jeton përgjithmonë me Perëndinë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, edhe i beson Atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, edhe në gjyq nuk vjen, por shkon prej vdekjes në jetë (Joani 5:24).
“Unë jam Ngjallja dhe Jeta, ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë. Edhe kushdo që rron edhe më beson, nuk do të vdesë kurrë” (Joani 11:25-26). “Krishti është ai që vdiq, po edhe më tepër ai që u ngjall, i cili është në të djathtë të Perëndisë, i cili edhe lutet për ne. Kush do na ndaj nga dashuria e Krishtit? […] Sepse më është mbushur mendja se as vdekje, as jetë, as engjëj, as pushtete, as fuqira, as ato që janë tani, as ato që do të vinë, as lartësirë, as thellësirë, as ndonjë tjetër krijesë nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Jisu Krishtin Zotin tonë” (Romanët 8:34-39).
“Sepse në Atë rri tërë plotësia e hyjnisë trupërisht; edhe ju jeni tek plotësia e jetës në Atë… duke u varrosur me Atë në pagëzim, në të cilin edhe u ngjallët bashkë me anë të besës së veprimit të Perëndisë, i cili e ngjalli Atë prej së vdekurish. Edhe ju ishit të vdekur në fajet… Perëndia ju bëri të gjallë bashkë me Atë, duke ju falur juve gjithë fajet; duke shuar dorëshkrimin e porosive që qëndronte kundër nesh me të drejtë, edhe këtë e hoqi nga mezi, duke e mbërthyer atë në kryq. Edhe pasi i ç’armatosi urdhërat dhe pushtetet (demoniake) i turpëroi haptas, duke triumfuar kundër atyre …Sepse vdiqtë, edhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia” (Kolosianët 2:9-15,…).
Kjo është doktrina e shkrimeve të Dhiatës së Re, përsëritur shpesh në mënyra të ndryshme në traditën e Kishës: në misteret, në himnologjinë, në teologjinë dhe ikonografinë. Fitorja e Krishtit mbi vdekjen është çlirimi i njeriut prej mëkatit dhe fitorja e njeriut mbi robërinë e djallit, sepse në dhe nëpërmjet vdekjes së Krishtit, njeriu vdes dhe lindet përsëri në jetën e përjetshme. Në vdekje mëkatet nuk janë llogaritur më. Në vdekje djalli nuk e mban më atë. Në vdekje ai ka lindur përsëri në jetën e re dhe është çliruar prej gjithçkaje që është e keqe, e rreme, demoniake dhe mëkatare. Me një fjalë, ai është çliruar prej gjithçkaje që është e vdekur me anë të vdekjes dhe ngjalljes në dhe me Krishtin.
“Po Jisunë që ishte bërë pak gjë më poshtë se engjëjt e shohim, për pësimin e vdekjes, të kurorëzuar me nder e lavdi, që me hirin e Perëndisë të shijojë vdekjen për çdo njeri. […] Edhe meqenë që bijtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe Ai gjithashtu mori pjesë prej gjithë këtyre gjërave, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të shpëtojë gjith’ ata, të cilët për frikën e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre në skllavëri” (Hebrenjtë 2:9-15).
“Po tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur. Sepse sikundër vdekja erdhi nga një njeri, edhe ngjallja erdhi nga një Njeri. Sepse sikundër të gjithë vdesim në Adamin, kështu të gjithë marrim jetë në Krishtin […] Edhe thumbi i vdekjes është faji; edhe fuqia e fajit është ligji. Po i falemi nderit Perëndisë që na dha fitoren me anë të Zotit Jisu Krisht” (1 Korinthianët 15:20-22, 56-57).
_______________________
* Fjala “Çlirim” është përdorur këtu për të përkthyer fjalën anglisht “Redemption”, nga latinishtja redemptionis, që do të thotë të çlirosh një peng. Krishti na çliroi ne të gjithëve që ishim marrë peng nga Satanai, duke u bërë Çlironjësi ynë. Në Dhiatën e Vjetër, ky ishte një emër që i jipej shpesh edhe Perëndisë. (Psalmi 19:14; 78:35). Në LXX (Septuagjintën), hebraishtja Goel (Çlironjës) është përkthyer Λυτρωτής, që do të thotë shpengues, çlirues.