Ngjallja
Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.
Krishti u ngjall së vdekurish! Ky është proklamimi kryesor i besimit të krishterë. Kjo formon zemrën e predikimit dhe adhurimit të Kishës dhe të jetës shpirtërore “…Edhe nëse Krishti nuk u ngjall, atëherë pa fjalë predikimi ynë është i kotë dhe besa jonë është e kotë” (1 Korinthianët 15:14).
Në predikimin e parë në historinë e Kishës së Krishterë, Apostull Pietri e filloi proklamimin e tij: “O burra Izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë; Jisu Nazaretin, njeri të treguar në ju nga Perëndia me fuqira e çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të atij, në mes tuaj, sikundër edhe vetë e dini, Këtë që qe dhënë sipas një plani të caktuar dhe pas paranjohjes së Perëndisë ju e zutë edhe me duar paudhërie e mbërthyet dhe e vratë; Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhembjet e vdekjes, sepse nuk mund të mbahej ai prej saj” (Veprat 2:22-24).
Jisui kishte fuqinë të jepte jetën e tij dhe gjithashtu, kishte fuqinë ta merrte atë përsëri: “Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri. As ndonjë s’e ngre prej meje, po unë e vë prej vetes; kam pushtet ta vë edhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë porosi mora prej tim Eti” (Joani 10:17-18).
Sipas doktrinës orthodhokse nuk ka konkurencë të “jetëve” ndërmjet Perëndisë dhe Jisuit, dhe as konkurencë “fuqish”. Fuqia e Perëndisë dhe fuqia e Jisuit, jeta e Perëndisë dhe jeta e Jisuit, janë një dhe e njëjta fuqi e jetë. Të thuash që Perëndia ngjalli Krishtin dhe që Krishti u ngjall nga fuqia e Tij është e njëjta gjë. “Sepse sikundër Ati ka jetë në vetvete”, thotë Krishti, “Kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij” (Joani 5:26). “Unë dhe Ati jemi një” (Joani 10: 30). Shkrimi e thekson që Perëndia e ngjalli Jisuin vetëm për të theksuar më tepër që Krishti e dha jetën e Tij plotësisht, e blatoi atë të plotë dhe pa rezerva tek Perëndia – që pastaj ia dha përsëri në ngjalljen prej së vdekurish.
Kisha Orthodhokse beson në vdekjen reale të Krishtit dhe në ngjalljen aktuale të tij. Megjithatë, ngjallje nuk do të thotë thjesht ngritje trupi. As Ungjilli dhe as Kisha nuk thonë që Jisui u shtri i vdekur dhe pastaj u gjallërua biologjikisht dhe eci në të njëjtën mënyrë si para se të vritej. Me një fjalë, Ungjilli nuk thotë që engjëlli lëvizi gurin prej varrit që Krishti të dilte jashtë. Engjëlli e lëvizi gurin për të treguar që Jisui nuk ishte më atje (Marku 16; Mattheu 28).
Në ngjalljen, Jisui është në një formë të re dhe të lavdishme. Ai shfaqet përnjëherë në vende të ndryshme. Ai njihet me vështirësi (Lluka 24:16, Joani 20:14). Ai ha e pi për të treguar që nuk është një hije (Lluka 24:30, 39). Ai i lejon që ta prekin (Joani 20:27; 21:9). Dhe ai shfaqet në mes të nxënësve të tij kur “dyert ishin të mbyllura” (Joani 20:19, 26). Dhe Ai “humbi prej syve t’atyre” (Lluka 24:31). Krishti u ngjall me të vërtetë, por njerishmëria e tij e ringjallur është plot me jetë dhe hyjnishmëri. Kjo njerishmëri është në formën e re të jetës së përjetshme të Mbretërisë së Perëndisë.
“Kështu edhe të ngjallurit e të vdekurve. Mbillet në prishje, e ngrihet në paprishje; Mbillet në çnderim e ngrihet në lavdi; Mbillet në dobësi e ngrihet në fuqi; Mbillet trup shtaze e ngrihet trup shpirti. Kështu edhe është shkruar, i pari njeri Adami “u bë shpirt i gjallë”; i pastajmi Adam (d.m.th. Krishti), frymë që jep jetë. Edhe nuk u bë më përpara ajo e shpirtit, po ajo e gjallesës, pastaj ajo e shpirtit. Njeriu i parë është prej dheut, prej balte; njeriu i dytë është Zoti prej qielli. Çfarë është ai prej balte, ashtu janë edhe ata të baltës, dhe çfarë është qiellori, ashtu janë edhe qiellorët. Edhe sikurse veshëm figurën e atij prej balte, ashtu do të veshim edhe figurën e qiellorit” (1 Korinthianët 15:42-50).
Ngjallja e Krishtit është fryti i parë i ngjalljes së tërë njerëzimit. Ajo është përmbushje e Dhiatës së Vjetër, “sipas Shkrimeve”, ku është shkruar.
“Sepse nuk do të lesh shpirtin tim në Sheol (d.m.th. në mbretërinë e vdekjes), as do të lesh Shenjtin tënd të shohë prishje” (Psalmi16:10; Veprat 2:25-36).
Në Krishtin të gjitha shpresat dhe kërkesat u plotësuan: “O Vdekje ku është thumbi yt? O Sheol, ku është fitorja tënde?” (Osea 13:34).
“Ai do ta shkatërrojë vdekjen përgjithmonë, dhe Zoti Perëndi do të fshijë lotët nga të gjithë sytë… Do të thuhet në atë ditë, Ja, ky është Perëndia ynë, ne e kemi pritur Atë, le të gëzohemi e le të ngazëllohemi në shpëtimin e Tij” (Isaia 25:8-9).
“Eja, le të kthehemi tek Zoti: Sepse Ai ka thyer, që të mund të na shërojë; Ai ka goditur, dhe ai do na bashkojë; Mbas dy ditësh ai do na gjallërojë; Në të tretën ditë Ai do na ngjallë, që të mund të rrojmë përpara Tij” (Osea 6:1-2).
“Kështu thotë Zoti Perëndi: Ja, Unë do të hap varret tuaja, dhe do t’ju ngre ju prej varreve tuaja, o populli im… Dhe ju do ta mësoni që Unë jam Zoti, kur Unë do të hap varret tuaja, dhe do t’ju ngre ju prej varreve tuaja, O populli im. Dhe Unë do të ve Shpirtin tim në ju, dhe ju do të rroni…” (Ezekiel 37:12-14).
Rreth Vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit.
- Dje unë isha kryqëzuar me Atë; sot unë jam lavdëruar me Atë.
- Dje unë vdiqa me Atë; sot unë jam bërë i gjallë me Atë.
- Dje unë u varrosa me Atë; sot unë jam ngritur me Atë.
- Le t’i blatojmë Atij që pësoi dhe u ngjall për ne… vetvetet, pasuria më e çmueshme dhe më e përshtatshme tek Perëndia.
- Le të bëhemi si Krishti, meqenëse Krishti u bë si ne.
- Le të bëhemi Hyjnorë për hir të Atij, meqenëse Ai u bë për ne njeri.
- Ai mori mbi vete më të keqen që të na japë ne më të mirën.
- Ai u bë i varfër që nëpërmjet varfërisë së Tij ne të mundim të bëhemi të pasur.
- Ai pranoi formën e një shërbëtori që ne të mundim të fitojmë përsëri lirinë tonë.
- Ai zbriti poshtë që ne të mundemi të ngjitemi lart.
- Ai u tundua që nëpërmjet Tij ne të fitojmë.
- Ai u turpërua që të na lavdërojë ne.
- Ai vdiq që të na shpëtojë ne.
- Ai u ngjit që të mund të na marrë tek Vetvetja, neve që ishim hedhur poshtë nga rënia në mëkat.
- Le të japim gjithçka, le të blatojmë gjithçka tek Ai që dha Vetveten si Shpërblim e Pajtim për ne.
- Ne kishim nevojë për një Perëndi të mishëruar, një Perëndi të dënuar me vdekje, që të mundim të rrojmë.
- Ne u dënuam me vdekje së bashku me Atë që të mundim të pastrohemi.
- Ne u ngjallëm me Atë sepse u dënuam me vdekje me Atë.
- Ne u lavdëruam me Atë sepse u ngjallëm me Atë.
- Pak pika Gjaku dhe rikrijuan tërë krijimin.Shën Grigor Theologu (Ligjëratat e Pashkës)