Dhe Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.

   Jisui është Biri mbretëror i Davidit, për të cilin u profetizua nga engjëlli në lindjen e tij. “Ky do jetë i madh, edhe Bir i të Lartit do të quhet; edhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij; edhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, edhe mbretëria e tij nuk do ketë mbarim” (Lluka 1:32-33). Nëpërmjet pësimeve të tij si Krisht, Jisui arriti mbretërimin dhe zotërimin mbi gjithë krijimin. Ai u bë “Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve”, duke pasur të njëjtin titull me Vetë Perëndinë Atë (Dhefteronomi 10:17; Danieli 2:47; Zbulesa 19:16). Si njeri, Jisu Krishti është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Krishti erdhi pikërisht për të prurë mbretërinë e Perëndisë tek njerëzit. Fjalët e tij të para janë të njëjta me ato të Pararendësit, Joan Pagëzorit: “Pendohuni se mbretëria e qiejve u afrua” (Mattheu 3:2, 4:17). Nëpër tërë jetën e tij Jisui foli për mbretërinë. Në predikimet, si Predikimi në Mal dhe në shumë paravoli, ai foli për mbretërinë e përjetshme.

    Lum të varfërit në shpirt; sepse e atyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që ndiqen për punë drejtësie; sepse e atyre është mbretëria e qiejve. Ai, pra, që do zbatojë këto porosi dhe do mësojë ato do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. Po kërkoni më përpara mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij; edhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve. Nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve kushdo që më thotë, Zot, Zot; por ai që bën dashurinë e tim Eti që është në qiejt (Mattheu 5-7).

 

    Fara e sinapit, majaja, margaritari shumë i çmuar, thesari i fshehur në arë, monedha e humbur, rrjeta e peshkimit, dasma, banketi, shtëpia e Atit, vreshta… të gjitha këto janë shenja të mbretërisë. Jisui ka ardhur për të prurë këtë mbretëri. Dhe gjatë natës së Darkës së Tij të fundit me nxënësit, Ai iu flet atyre haptazi: “Edhe ju jini ata që keni qëndruar bashkë me mua në ngasjet e mia. Prandaj edhe unë bëj gati për ju një mbretëri, sikundër im Atë për mua, që të hani e të pini në tryzën time në mbretërinë time, edhe të rrini mbi frone duke gjykuar dymbëdhjetë farat e Izraelit” (Lluka 22:28-30; Ungjilli në Vigjiljen e të Enjtes së Madhe).

    Mbretëria e Krishtit “nuk është e kësaj bote” (Joani 18:31). Ai ia tha këtë Pontit Pilat, kur po e tallnin e po luanin me të si mbret, duke zbuluar në këtë përulje mbretërinë hyjnore. Mbretëria e Perëndisë, në të cilën Krishti do të mbretërojë, do të vijë me fuqi në fund të kohrave kur Zoti do të mbushë tërë krijimin dhe do të jetë me të vërtetë “i gjithë, dhe në të gjitha” (Kolosianët 3:11).

    Kisha, që në doktrinën popullore orthodhokse quhet Mbretëria e Perëndisë në tokë, tashmë është dhënë në mënyrë të mistershme në këtë përvojë.

    Në Kishë, Krishti tashmë është njohur, lavdëruar dhe shërbyer si i vetmi mbret dhe Zot; dhe Shpirti i Tij i Shenjtë, të cilin shenjtorët e Kishës e kanë identifikuar me Mbretërinë e Perëndisë, i është dhënë tashmë botës në Kishën me tërë hirin dhe fuqinë.

    Prandaj, Mbretëria e Perëndisë është një Realitet Hyjnor. Ky është realiteti i pranisë së Perëndisë ndërmjet njerëzve, nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. “Sepse Mbretëria e Perëndisë …është… drejtësi e paqtim e gëzim në Shpirtin e Shenjtë” (Romanët 14:17). Mbretëria e Perëndisë, si një realitet hyjnor e shpirtëror u është dhënë njerëzve nga Krishti në Kishë. Ajo kremtohet dhe ne marrim pjesë në të, në misteret e besimit. Për të dëshmohet në shkrimet, sinodet, kanonet dhe shenjtorët. Ajo do të bëhet realiteti universal, kozmik dhe përfundimtar i tërë krijimit, në fund të kohrave, kur Krishti do të vijë me lavdi, për të mbushur të gjitha gjërat me Vetveten, me anë të Shpirtit të Shenjtë, që Perëndia të jetë “gjithçka në të gjitha” (1 Korinthianët 15:28).