Shpirti i Shenjtë   

 

Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.

    

Shpirti i Shenjtë ka titullin e Zotit, së bashku me Perëndinë Atin dhe Krishtin Birin. Ai është Shpirti i Perëndisë dhe Shpirti i Krishtit. Ai është i përjetshëm, i pakrijuar dhe hyjnor; që ka qenë gjithmonë me Atin dhe me Birin; vazhdimisht i adhuruar dhe i lavdëruar me ata në unitetin e Trinisë së Shenjtë.

    Ashtu si edhe me Birin, nuk ka patur asnjë kohë kur Shpirti i Shenjtë nuk ka qenë. Shpirti është përpara krijimit. Ai del nga Perëndia, ashtu si edhe Biri, në një burim të përjetshëm dhe të pa kohë. “Ai buron prej Atit”, në përjetësi në një lëvizje të njëhershme, hyjnore dhe të vazhdueshme (Joani 15:26).

   Doktrina orthodhokse pohon që Perëndia Atë është origjina dhe burimi i përjetshëm i Shpirtit, ashtu siç është dhe i Birit. Por, Kisha pohon, gjithashtu, që mënyra se si Ati zotëron dhe prodhon Shpirtin dhe Birin ndryshon, sipas ndryshimit ndërmjet Birit që është “lindur” dhe Shpirtit që “buron.”

    Janë bërë shumë përpjekje nga njerëz të shenjtë të frymëzuar prej Perëndisë me një përvojë të vërtetë rreth jetës së Tij Trinitare, për të shpjeguar dallimin ndërmjet burimit të Shpirtit dhe lindjes së Birit. Për ne është mjaft që të kuptojmë, që ndryshimi ndërmjet tyre është në dallimin ndërmjet personave hyjnorë dhe veprimeve të Birit dhe të Shpirtit në lidhje me Atin dhe gjithashtu, në lidhje me njëri-tjetrin dhe me botën.

    Është e nevojshme të theksohet, që të gjitha fjalët dhe konceptet rreth  hyjnisë dhe Perëndisë, duke përfshirë dhe ato të “burimit” dhe “lindjes”, nuk mund ta japin të plotë vizionin mistik të Realitetit Hyjnor. Perëndia mund të kuptohet deri diku nga njerëzit, përsa Ai Vetë e ka zbuluar Vetveten. Megjithatë, esenca e qenies së Tij Trinitare mbetet – dhe do të mbetet gjithmonë – esencialisht e pakonceptueshme dhe e pashprehshme për mendjet dhe gojët e krijuara. Kjo nuk do të thotë që fjalët rreth Perëndisë janë pa kuptim, por do të thotë që ato nuk mund të shprehin dot këtë Realitet. Në këtë pikë është gjithashtu e nevojshme të theksohet që kishat Katoliko-Romane dhe Protestante kanë në besoren një shtesë, që Shpirti i Shenjtë buron prej Atit “dhe Birit” (filioque) – një shtesë doktrinore e papranueshme për Orthodhoksinë, sepse nuk përputhet me Shkrimin e Shenjtë dhe me vizionin Orthodhoks të Perëndisë.

    Me pohimin e hyjnishmërisë të Shpirtit të Shenjtë, dhe të nevojës së adhurimit dhe lavdërimit të tij me Atin dhe me Birin, Kisha Orthodhokse pohon që Realiteti Hyjnor, i quajtur gjithashtu Hyjni ose Perëndi, në Traditën Orthodhokse është Trinia e Shenjtë (ose Shën Trinia) (shih kapitullin Trinia e Shenjtë).

    Shpirti i Shenjtë është esencialisht një në ekzistencën e tij të përjetshme me Atin dhe me Birin; dhe kështu, në çdo veprim të Perëndisë drejt botës, Shpirti i Shenjtë është në mënyrë të nevojshme aktiv. Prandaj, në tregimin e Gjenezës për krijimin është shkruar: “Shpirti i Perëndisë vërtitej mbi faqen e ujrave” (Gjeneza 1:2). Eshtë i njëjti Shpirt që është “fryma e jetës” për gjithë gjëtë e gjalla dhe veçanërisht për njeriun, të krijuar sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë (Gjeneza 1:30; 2:7). Në përgjithësi, në hebraisht, Shpirti është quajtur “frymë” ose “erë” e Jahves. Ai i jep jetë gjithçkaje, “dhënësi i jetës” që mban gjithë universin në gjallëri dhe në jetë (p.sh. Psalmi 104:29, Jobi 33:4).

    Shpirti i Shenjtë është gjithashtu, Ai që frymëzon shenjtorët për të folur fjalët e Perëndisë dhe për të bërë vullnetin e Tij. Ai lyen profetët, priftërinjtë dhe mbretërit e Dhiatës së Vjetër; dhe “në të mbushurit e kohës” është i njëjti Shpirt që “zbret dhe qëndron” mbi Jisuin e Nazaretit, duke e bërë atë Mesian (të Lyerin) e Perëndisë dhe duke e shfaqur atë si të tillë në botë. Kështu, në Dhiatën e Re në epifaninë e parë (që literalisht do të thotë shfaqje) të Krishtit si Mesia – pagëzimi i Tij prej Joanit në Jordan – Shpirti i Shenjtë është zbuluar duke zbritur dhe qëndruar mbi të “si një pëllumb prej qiellit” (Joani 1:32; Lluka 3:22. Shih gjithashtu Mattheu 3:16 dhe Marku 1:9).

    Eshtë e rëndësishme të vihet re, si këtu ashtu edhe në ardhjen e Shpirtit në Ditën e Rushajeve, si edhe në pjesë të tjera të Shkrimeve, që fjalët “si” dhe “në ngjashmëri” janë përdorur për të shmangur ndonjë interpretim të gabuar “fizik” të ngjarjeve të treguara, ku Shkrimi po flet në një mënyrë simbolike dhe metaforike. Jisui e filloi shërbesën e tij publike mbas pagëzimit të tij, dhe përnjëherë i referohet profecisë së Isaisë rreth Mesias, direkt tek vetvetja: “Shpirti i Zotit është mbi mua…” (Isaia 61:1; Lluka 4:18).

    Tërë ditët e jetës së Tij Jisui është “i mbushur me Shpirtin e Shenjtë” – duke predikuar, mësuar, shëruar, përzënë demonët dhe duke kryer çdo shenjë dhe mrekulli të mesianisë (të qenurit Mesia) së tij, me anë të fuqisë së Shpirtit. (Lluka 4:11) Eshtë shkruar që madje dhe vetëblatimi i tij tek Perëndia në kryq u bë me anë të Shpirtit të përjetshëm (Hebrejtë 9:14). Dhe me anë të të njëjtit Shpirt hyjnor, ai dhe gjithë njerëzit me Të, janë ngjallur prej së vdekurish (Ezekieli 37:1-4).

Në ditën e Rushajeve, Shpirti i Shenjtë erdhi mbi nxënësit e Jisuit në formën e “gjuhëve si të zjarrit” me oshëtimën “në ngjashmërinë e një ere që fryn me fuqi” (Veprat 2:1-4). Këtu vemë re përsëri përdorimin e “si” dhe “në ngjashmërinë”. Ardhja e Shpirtit të Shenjtë në Rushajet, është përmbushja finale e misionit mesianik tokësor të Jisuit, fillimi i Kishës së Krishterë.

Gjithashtu është përmbushja e profecisë së Dhiatës së Vjetër që në kohën e Mesias-mbret, Shpirti i Perëndisë do të “derdhet mbi çdo mish” (Joeli 2:28; Veprat 2:17).

    Kisha e krishterë jeton me anë të Shpirtit të Shenjtë. Shpirti vetëm është garantuesi i Mbretërisë së Perëndisë mbi dhe. Ai vetëm është garantuesi, që jeta e Perëndisë dhe e vërteta e dashuria janë me njerëzit. Vetëm me anë të Shpirtit të Shenjtë mundin njeriu dhe bota të përmbushin atë për të cilën ata janë krijuar nga Perëndia. Të gjitha veprimet e Perëndisë ndaj njeriut dhe botës – janë prej Atit me anë të Birit (Fjala) në Shpirtin e Shenjtë; dhe tërë aftësitë e njeriut për t’iu përgjigjur Perëndisë janë në të njëjtin Shpirt, me anë të Birit tek i njëjti Atë.

    Shpirti i Shenjtë është Shpirti i jetës. “Nëse Shpirti i atij që ngjalli Jisuin rri ndër ju, ai që ngjalli Krishtin së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit që rri në ju” (Romanët 8:11).

    Shpirti i Shenjtë është Shpirti i së vërtetë. “Por kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, do t’ju udhëheqë juve në të vërtetën, sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë sa do të dëgjojë, edhe do t’ju tregojë juve gjërat që do të vinë” (Joani 16:13; shih gjithashtu Joani 14:25; 15:26).

    Shpirti i Shenjtë është Shpirti i birërisë hyjnore. “Sepse sa udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë. Sepse s’keni marrë Shpirt robërie, që të keni frikë përsëri, po keni marrë Shpirt birërie, me anë të të cilit thërresim ‘Abba! o Atë!’ Vetë Shpirti dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi bij Perëndie” (Romanët 8:14; gjithashtu Galatianët 4:6).

    Shpirti i Shenjtë është prania personale e dhiatës së re dhe të përjetshme ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, vula dhe garantuesi i Mbretërisë së Perëndisë, fuqia dhe banimi i Perëndisë në njeriun. “…ju jeni një letër e Krishtit, e dërguar nga ne, e shkruar jo me bojë, por me Shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në pllaka të gurta, por në pllaka të mishta të zemrave… por trimëria jonë është nga Perëndia, që na bëri të zotë të jemi shërbëtorë të dhiatës së re, jo të shkronjës por të Shpirtit; sepse shkronja vret por Shpirti jep jetë” (2 Korinthianët 3:2-6). “A nuk e dini se ju jeni tempull Perëndie, edhe Shpirti i Shenjtë rri ndër ju… Sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtëruar” (1 Korinthianët 3:16; gjithashtu Romanët 6:19). “Sepse me anë të tij (Krishtit) kemi të dy të hyrët me një Shpirt te Ati. Prandaj s’jemi më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe shtëpiakë të Perëndisë; Sepse u ndërtuam mbi themelin e Apostujve e të profetëve, ku guri i çipit është vetë Jisu Krishti; mbi të cilin tërë ndërtesa është e lidhur bashkë dhe rritet në një tempull të shenjtëruar në Zotin; mbi të cilin edhe ju jeni ndërtuar bashkë, që të rrijë Perëndia me anë të Shpirtit” (Efesianët 2:18-22; gjithashtu 1 Pietri 2:4-9).

    Në Shpirtin e Shenjtë njerëzit kanë mundësinë e marrjes së çdo dhurate nga Perëndia, të marrin pjesë në natyrën dhe jetën e Tij hyjnore, duke bërë çfarë Krishti ka bërë nëpërmjet përmbushjes së “porosisë së tij të re”, për të dashur njëri-tjetrin ashtu si ai na deshi ne, “sepse Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë që na është dhënë” (Romanët 5:5). “Fruti i Shpirtit është dashuri, gëzim, paqtim, zemër e gjerë, ëmbëlsi, mirësi, besë, butësi, vetëpërmbajtje… Edhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe dëshirat. Nëse rrojmë pas Shpirtit… ai që mbjell në Shpirt, prej Shpirtit do të korrë jetë të përjetshme” (Galatianët 5:22-25; 6:8).