Kisha
Në një Kishë të përgjithshme dhe apostolike
Fjala Kishë kupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në mbretërinë qiellore.
Në Shkrimin e Shenjtë Kisha quhet Trupi i Krishtit (Romanët 12; 1 Korinthianët 10, 12; Kolosianët 1) dhe Nusja e Krishtit (Efesianët 5; Zbulesa 21). Gjithashtu, quhet edhe Tempulli i Perëndisë së gjallë (Efesianët 2; 1 Pietri 2) dhe “shtylla dhe mburoja e së Vërtetës” (1 Timotheu 3:15).
Një Kishë
Kisha është Një, sepse Perëndia është një dhe sepse Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë një. Mund të jetë vetëm një Kishë dhe jo shumë. Dhe kjo një Kishë, meqenëse uniteti i saj varet në Perëndinë, Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, kurrë nuk duhet të jetë e ndarë. Kështu, sipas doktrinës orthodhokse, Kisha është e pandarë, Kisha është e padukshme; njerëzit mund të jenë brenda apo jashtë, por ata nuk mund ta ndajnë atë.
Sipas mësimit orthodhoks, uniteti i Kishës është uniteti i lirë i njeriut në të vërtetën dhe në dashurinë e Perëndisë. Një unitet i tillë nuk është themeluar nga ndonjë autoritet njerëzor apo fuqi juridike, por nga vetë Perëndia. Në masën që njerëzit janë në të vërtetën dhe dashurinë e Perëndisë, ata janë anëtarë të Kishës së Tij.
Të krishterët orthodhoksë besojnë se në Kishën historike orthodhokse ekziston mundësia e plotë e pjesëmarrjes totale në Kishën e Perëndisë dhe që vetëm mëkatet dhe rrugët e gabuara njerëzore (herezitë) i nxjerrin njerëzit jashtë këtij uniteti. Në grupet e krishtera joorthodhokse, orthodhoksët mendojnë se janë disa doktrina të gabuara, që ndryshojnë sipas grupeve dhe që, nëse këto pranohen e ndiqen nga njerëzit, do të jenë një pengesë për unitetin e tyre të përkryer me Perëndinë dhe kështu do të shkatërrojnë unitetin e vërtetë të Kishës (p.sh. doktrina e papatit në Kishën Katolike).
Brenda unitetit të Kishës, njeriu është njeriu i vërtetë, është ai për çfarë u krijua të jetë dhe mund të rritet në jetën hyjnore në kungim me Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Uniteti i Kishës nuk prishet nga koha dhe hapësira dhe nuk kufizohet vetëm tek të gjallët që rrojnë mbi dhe. Uniteti i Kishës është uniteti i Trinisë së Lumuruar dhe i gjithë atyre që jetojnë me Perëndinë; engjëjt e shenjtëruar, të drejtët që kanë ndërruar jetë; dhe ata që rrojnë mbi dhe sipas porosive të Krishtit dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë.
Kishë të Shenjtë
Kisha është e Shenjtë, sepse Perëndia është i shenjtë dhe sepse Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë të shenjtë. Shenjtëria e Kishës vjen nga Perëndia. Anëtarët e Kishës janë të shenjtë në masën që ata jetojnë në kungim me Perëndinë.
Brenda kishës tokësore, njerëzit marrin pjesë në shenjtërinë e Perëndisë. Mëkati dhe gabimi i ndajnë ata prej kësaj shenjtërie hyjnore, si dhe prej unitetit hyjnor. Kështu, anëtarët tokësorë dhe institucionet e Kishës, nuk mund të identifikohen si të tillë, me Kishën si të shenjtë. Besimi dhe jeta e Kishës në tokë shprehet në doktrinat e saj, misteret, shkrimet, shërbesat dhe shenjtorët, të cilët mbajnë unitetin esencial të Kishës dhe që mund të pohohen me siguri, si “të shenjta” për shkak të pranisë dhe veprimit të Perëndisë në ato.
Kishë e Përgjithshme (Katholike)
Kisha është, gjithashtu, e Përgjithshme për shkak të lidhjes së saj me Perëndinë, Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë. Fjala e përgjithshme (në greqisht “katholikin”) do të thotë e plotë, e tërë, e gjithë, që nuk i mungon asgjë. Vetëm Perëndia është i plotë dhe realiteti total; vetëm në Perëndinë nuk mungon asgjë.
Disa herë përgjithshmëria e Kishës është kuptuar në kuptimin e universalitetit të Kishës në tërë hapësirën e kohën. Ndonëse është e vërtetë që Kisha është universale – për tërë njerëzit, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet – ky universalitet nuk është kuptimi real i termit “katholikin – e përgjithshme” kur përdoret për të përcaktuar Kishën. Ky term që u përdor për të përkufizuar Kishën (qysh në dekadat e para të shekullit të dytë) ishte më tepër një përkufizim i cilësisë se sa i sasisë. Duke e quajtur Kishën “të përgjithshme” do të thotë të përkufizosh si është ajo, d.m.th. e tërë dhe e plotë, që përfshin gjithçka, dhe ku nuk mungon asgjë.
Edhe më përpara se Kisha të përhapej në tërë botën, ajo ishte përkufizuar si e Përgjithshme. Kisha fillestare e apostujve në Jerusalem, kishat e hershme në Antioki, Efes, Korinth ose Romë ishin të përgjithshme. Këto ishin të përgjithshme – siç është sot çdo Kishë Orthodhokse – sepse asnjë gjë esenciale nuk u mungonte atyre për të qenë Kisha e vërtetë e Krishtit. Vetë Perëndia është zbuluar i plotë dhe është i pranishëm në çdo Kishë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, duke vepruar në komunitetin lokal të besimtarëve me doktrinën e saj apostolike, shërbesën (hierarkinë) dhe misteret, duke mos dashur asgjë shtesë që të mund të marrë pjesë plotësisht në Mbretërinë e Perëndisë.
Prandaj, për të besuar në Kishën si të përgjithshme, duhet shprehur bindja që plotësia e Perëndisë është e pranishme në Kishë dhe që asaj nuk i mungon asgjë nga “jeta e bollshme”, që Krishti i jep botës në Shpirtin (Joani 10:10). Duhet pohuar që Kisha është me të vërtetë “të mbushurit (plotësia) e atij që mbush të gjitha në të gjitha” (Efesianët 1:23; gjithashtu Kolosianët 2:10).
Kishë Apostolike
Fjala Apostolike përshkruan atë që ka një mision, atë që është “dërguar” të kryejë një detyrë. Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë “apostolikë”, sepse që të dy janë dërguar nga Ati në Botë. Jo vetëm që përmendet shumë herë në Shkrimin që Krishti është dërguar nga Ati, dhe Shpirti është dërguar me anë të Krishtit prej Atit, por gjithashtu, thuhet haptazi që Krishti është “apostulli… i rrëfimit tonë” (Hebrenjtë 3:1).
Ashtu si Krishti u dërgua nga Perëndia, ashtu edhe Krishti Vetë zgjodhi dhe dërgoi apostujt e Tij. “Ashtu si Ati më ka dërguar mua, edhe unë ju dërgoj juve… merrni Shpirtin e Shenjtë”, u tha Krishti i ngjallur nxënësve të Tij. Kështu, apostujt shkuan në tërë botën, duke u bërë themeli i parë i Kishës së krishterë.
Në këtë kuptim Kisha është quajtur apostolike: Së pari, ajo është ndërtuar mbi Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë të dërguar nga Perëndia mbi apostujt, të cilët ishin dërguar nga Krishti, mbushur me Shpirtin e Shenjtë; dhe së dyti, Kisha në anëtarët e saj tokësorë është vetë e dërguar nga Perëndia, për të dëshmuar për Mbretërinë e Tij, për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punët dhe vullnetin e Tij në këtë botë.
Të krishterët orthodhoksë besojnë në Kishën ashtu siç besojnë në Perëndinë, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Besimi në Kishën është pjesë e pohimit të besimit të besimtarëve të krishterë. Kisha është në vetvete një objekt besimi si realiteti hyjnor i Mbretërisë së Perëndisë dhënë njerëzve nga Krishti dhe Shpirti i Shenjtë; komuniteti hyjnor i themeluar nga Krishti, kundër së cilës “dyert e ferrit nuk do të kenë fuqi” (Mattheu 16:18).
Kisha dhe besimi në Kishën, është një element themelor i doktrinës dhe jetës së krishterë. Pa Kishën, si një realitet hyjnor, mistik, shpirtëror dhe me jetën në misteret, në mes të botës së rënë dhe mëkatare, nuk mund të ketë kungim të plotë dhe të përkryer me Perëndinë.
Kisha është dhuratë e Perëndisë në botë. Ajo është dhurata e shpëtimit, e njohurisë dhe e ndriçimit, e faljes së mëkateve dhe e fitores mbi errësirën dhe vdekjen. Ajo është dhurata e kungimit me Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Kjo dhuratë është totalisht, një herë e përgjithmonë, pa rezerva nga ana e Perëndisë. Ajo mbetet përgjithmonë, deri në mbarim të kohës: e pathyeshme dhe e pamposhtur.
Njerëzit mund të mëkatojnë dhe të luftojnë kundër Kishës, besimtarët mund të largohen e të ndahen nga Kisha, por Kisha vetë, “shtylla dhe mburoja e së vërtetës” (1 Timotheut 3:15) mbetet përgjithmonë. “…(Perëndia) i vuri të gjitha nën këmbët e tij (Krishtit), edhe e bëri atë krye mbi të gjitha në kishë, e cila është trupi i atij, të mbushurit e atij që mbush të gjitha mbi të gjitha. …sepse me anë të atij kemi …të hyrët me një Frymë te Ati. Prandaj s’jemi më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtorëve e shtëpiakë të Perëndisë; Sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku guri i çipit është Krishti; mbi të cilin tërë ndërtesa e lidhur dhe e përmbledhur rritet në tempull të shenjtëruar mbi Zotin; mbi të cilin edhe ju jeni ndërtuar bashkë që të rrijë Perëndia me anë të Shpirtit. …Krishti e deshi kishën dhe dha veten e tij për atë, që ta shenjtërojë, duke e pastruar atë me anë të larjes së ujit, me anë të fjalës; që ta nxjerrë atë përpara vetes së tij kishë të lavdëruar, pa njollë e pa rrudha apo ndonjë gjë të këtillë, por që të jetë e shenjtëruar dhe pa të metë… Ky është një Mister i Madh… Krishti dhe Kisha…” (Efesianët 1:21-23; 2:19-22; 5:25-32).