Pres ngjalljen e të vdekurve. Dhe jetën e ardhshme të amëshuar.

Kisha Orthodhokse nuk beson vetëm thjesht në pavdeksinë e shpirtit dhe në mirësinë dhe shpëtimin përfundimtar të vetëm realitetit shpirtëror.

Duke ndjekur Shkrimin e Shenjtë, të krishterët orthodhoksë besojnë në mirësinë e trupit njerëzor dhe të gjithë krijimit material e fizik. Kështu, në besimin në ngjalljen e jetës së amshuar, Kisha Orthodhokse nuk pret ndonjë “tjetër botë” për shpëtimin, por këtë botë kaq të dashur nga Perëndia, të ringjallur dhe të lavdëruar prej Tij, dhe të mbushur nga vetë prania e Tij hyjnore.

Në fund të kohës, Perëndia do të zbulojë praninë e Tij dhe do të mbushë tërë krijimin me Vetveten. Për ata që e duan Atë, do të jetë parajsë. Për ata që e urrejnë atë, do të jetë ferr. Dhe tërë krijimi fizik, së bashku me të drejtët, do të gëzohet e do të ngazëllohet në ardhjen e Tij.

“Shkretëtira dhe vendet e vetmuara do të gëzohen; shkretëtira do të ngazëllohet dhe do të lulëzojë me bollëk” (Isaia 35:1). “Dhe ja Unë krijoj qiej të rinj e një tokë të re thotë Zoti, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen dhe as do të përmenden. Por gëzohu dhe ngazëllohu përgjithmonë në ato që Unë krijoj, sepse ja Unë krijoj Jerusalemin, një ngazëllim dhe popullin e tij, një gëzim” (Isaia 65:17-18).

 

Vizionet e profetëve dhe të apostujve të krishterë rreth gjërave që do vijnë janë të njëjtë: “Edhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; sepse qielli i parë dhe toka e parë shkoi; edhe deti nuk është më. Edhe (unë Joani) pashë qytetin e shenjtëruar, Jerusalemin e ri, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia, që ishte bërë gati posi nuse e stolisur për burrin e saj. Edhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, edhe do të rrijë bashkë me ata, edhe ata do të jenë populli i tij, edhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata Perëndi i atyreve. Edhe (Perëndia) do të fshijë çdo lot nga sytë e atyre, edhe vdekja nuk do të jetë më; as vaj, as të bërtirura, as dhembje nuk do të ketë më, sepse të mëparshmet shkuan'” (Zbulesa 21:1-4). Kur Mbretëria e Perëndisë do të mbushë tërë krijimin, të gjitha gjërat do të bëhen të reja. Kjo botë do të jetë përsëri ajo parajsë, për të cilën u krijua fillimisht. Kjo është doktrina orthodhokse për destinacionin përfundimtar të njeriut dhe universit.

Megjithatë, disa herë është debatuar, nëse kjo botë do të shkatërrohet krejtësisht dhe Perëndia do të krijojë çdo gjë të re “nga hiçi”, në një krijim të dytë. Ata që mbështesin këtë opinion mbështeten në një pjesë të letrës së dytë të Shën Pietrit: Edhe dita e Zotit do të vijë posi vjedhës natën; në të cilën qiejt do të shkojnë me krismë, dhe elementet do të treten me zjarr, edhe dheu dhe punërat që janë në të do të digjen tej për tej (2 Pietri 3:10).

Meqenëse Shkrimi kurrë nuk flet për një “krijim të dytë” dhe meqenëse është dëshmuar vazhdimisht që Perëndia e do botën që Ai ka krijuar dhe bën gjithçka që mundet ta shpëtojë atë, Tradita Orthodhokse kurrë nuk i interpreton këto pjesë, si dëshmi për asgjësimin e krijimit të Perëndisë. Ajo i interpreton këto pjesë si një metaforë për katastrofën e madhe që krijimi do të pësojë, duke përfshirë madje edhe të drejtët, me qëllim që gjithçka të pastrohet, të lahet, të bëhet e përkryer dhe të shpëtohet.

Ajo mëson gjithashtu që ka një “zjarr të amëshuar” për të pabesët. Por në çdo rast “prova me zjarr”  që “shkatërron të pabesët” në asnjë mënyrë nuk është kuptuar nga Orthodhoksia në kuptimin që krijimi është dënuar me shkatërrimin total, dhe përbuzur nga Zoti i dashur, i cili e krijoi dhe e quajti atë “shumë të mirë” (Gjeneza 1:31;gjithashtu 1 Korinthianët 3:13-15; Hebrejtë 12:25-29; Isaia 66; Zbulesa 20-22).