Vendime dhe diskutime përpara Asamblesë së 13-të, që do të zhvillohet në korrik 2009, në Lion, Francë.
 
    Mbledhja e parë vjetore e Presidencës së Konferencës Evropiane të Kishave (KEK-CEC), u zhvillua në Shqipëri, me mikpritjen e Kishës sonë. Presidenca shërben si trupi ekzekutiv i Komitetit Qendror të KEK.

    Veprimtaria filloi ditën e shtunë 7 shkurt. Ditën e diel, 8 shkurt të gjithë pjesëmarrësit morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, që u krye në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, Tiranë, nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi (Zëvendëspresidenti i KEK), së bashku me  Mitropolitin Genadios i Sasimës (përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike) dhe Mitropolitin Athanasin e Akaias (përfaqësues i Kishës së Greqisë pranë BE, në Bruksel). Hirësia e Tij Genadios mbajti edhe predikimin e ditës.

    Në fund të Liturgjisë përshëndeti besimtarët Presidenti i KEK, Rev. Jean-Arnold de Clermont, nga Franca, i cili shprehu gëzimin e gjithë anëtarëve të Presidencës për këtë vizitë dhe njohje me një kishë që është “manifestimi i fuqisë së ngjalljes”.

    Presidenti Clermont falënderoi veçanërisht Kryepiskopin Anastas për “kohën, energjinë dhe urtësinë” që i ka kushtuar lëvizjes ekumenike, veçanërisht pas zgjedhjes së tij si Zëvendëspresident i KEK, në vitin 2003.

    Pas Liturgjisë anëtarët e Presidencës së KEK vizituan katedralen në ndërtim të Tiranës, qendrën shpirtërore-arsimore Thavor etj.

    Pasditen e të dielës filluan seancat e mbledhjes, në mjediset e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirin e Shën Vlashit dhe u mbyllën të martën në darkë, 10 shkurt. Në të u diskutua dhe u morën vendime në lidhje me asamblenë e ardhshme të KEK, që do të zhvillohet në Lion të Francës, nga 15-21 korrik 2009, e cila do të celebrojë edhe 50-vjetorin e krijimit të Konferencës Evropiane të Kishave, si edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me kishat anëtare.

    Gjithashtu u diskutua edhe për problemet ekonomike, duke pasur parasysh krizën ekonomike që po kalon Evropa dhe mbarë bota dhe u vendos që këto probleme të reflektojnë edhe në buxhetin e ardhshëm.

    Së fundi ata bënë edhe një deklaratë për kthimin e vendeve të shenjta në Shqipëri. (kliko)

    Në fund pjesëmarrësit falënderuan Kryepiskopin Anastas për mikpritjen e ngrohtë.

 
Thoma Dhima