|
Besimtarët orthodhoksë të Beratit festuan më 6 janar Theofaninë ose Epifaninë e shenjtë të Zotit tonë Jisu Krisht. Krishti në moshën 30-vjeçare erdhi në Jordan tek Joan Pagëzori që të pagëzohet prej tij. Me pagëzimin e Tij, shenjtëroi natyrën e ujërave dhe varrosi në lumin e Jordanit mëkatet tona.
Kjo ngjarje u përjetua përsëri në qytetin e bukur të Beratit me Shërbesat e Shenjta të cilat u kryen me rastin e kësaj feste në datat 5 dhe 6 janar. Më datën 5 u kryen në kishën e Shën Spiridhonit Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit.
|
Më datën 6 u krye shërbesa e Liturgjisë së Joan Gojartit, shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit si edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit nga Ura e Goricës mbi lumin Osum. Këto shërbesa u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati.
Me qindra besimtarë morën pjesë në këto ditë të shenjta. Ata ndanë midis tyre ujin e mbushur me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të qëndrojë në shtëpitë e shpresëtarëve për një vit të tërë. Me dhjetëra djem sfiduan ujërat e ftohta të Osumit për të marr pjesë në bekimin e Kryqit të Shenjtë.
|
|
|
Te të gjithë besimtarët u nda një material shpjegues për ngjarjen e ditës, i përgatitur nga vetë Mitropoliti i Beratit Imzot Ignati, në të cilin ndër të tjera thuhej:
“Përse pagëzohet si mëkatar i pamëkatshmi? Për të dhënë tek ne tipin e pagëzimit. Për të bërë Ai fillimin. Të na tregojë rrugën e pastrimit moral të shpirtrave tanë, të na hapë rrugën e rilindjes sonë shpirtërore dhe të adoptimit tonë hyjnor. Pagëzohet, pa pasur Ai nevojë, për të na treguar nevojën që kemi për t’u pagëzuar.
“Ai do t’ju pagëzojë juve me Shpirt të Shenjtë” (Marku 1:8). Kjo profeci e Pararendësit për misterin e pagëzimit krijoi një pritje të shenjtë.
|
Por dhe profeti David, i ndriçuar nga fryma e Perëndisë, 1000 vjet para Krishtit, parashikoi dhe paralajmëroi pagëzimin e shenjtë, dhe që e dëshiroi me gjithë zemrën e tij. Pas mëkatit të frikshëm të tij iku i penduar dhe me shpirt të dërrmuar përpara Perëndisë dhe i lutej: “Lajmë krejt prej paudhësisë sime dhe pastromë prej mëkatit tim… Spërkatmë me hisop, dhe do të pastrohem…” (Psalmi 50: 4, 9). Por edhe nëpërmjet profetit Isaia, Perëndia tha për “pagëzimin me Shpirtin e Shenjtë”. I drejtohet njerëzve duke thënë: “Lahuni dhe bëhuni të pastër, largoni prej vetes tuaj dinakëritë e zemrave tuaja” (Isaia 1: 16).
|
|
|
Me këto ikona të gjalla, Perëndia parathotë dhe premton misterin e madh të pagëzimit. Të gjitha këto dëshmojnë rëndësinë e madhe të pagëzimit. Pa këtë nuk ka shpëtim, sado i mirë qoftë njeriu, sado vepra të mira të ketë kryer.
Mjaft qartë edhe Zoti predikoi domosdoshmërinë e pagëzimit duke thënë: “kush të besojë dhe të pagëzohet do të shpëtojë” (Marku 16: 16). Edhe tek apostujt dha porosinë të predikojnë ungjillin “duke i pagëzuar në emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë” (Marku 28: 19). Dhe apostujt, besnik të fjalës së Zotit, predikonin dhe pagëzonin.
|
Menjëherë pas predikimit të parë të Pjetrit, gjatë ditës së Pendikostisë, shumicë judenjsh me zemër të dërrmuar pyetën: “Çfarë duhet të bëjmë që të shpëtojmë?” dhe apostulli Pjetri u tha: “Pendohuni dhe pagëzohuni secilido prej jush në emrin e Jisu Krishtit për ndjesën e mëkateve dhe do të merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë” (Veprat 2: 37-38)… Pagëzimi është një ceremoni e shenjtë që e ka urdhëruar Zoti dhe që i transmeton të pagëzuarit dhuratat e paçmueshme të Shpirtit të Shenjtë.
|
|
Me këtë jepet falja e gjithë fajit të mëkatit stërgjyshëror që trashëgojmë që nga momenti që lindemi; dhe falja e mëkateve personale –nëse pagëzohet dikush i madh–, dhe mbetjet në prirje drejt të keqes, e cila nuk është mëkat, por tregohet shkak që njeriu të luftojë kundër mëkatit dhe të mos mëkatojë me dëshirë dhe me dashje. Me anë të pagëzimit marrim adoptimin, të cilin për shkak të mëkatit tonë, e kishim humbur. Bëhemi përsëri bij të Perëndisë dhe vëllezër të Zotit Krisht nëpërmjet Hirit. Pagëzimi është një derë nëpërmjet të cilës hyjmë në Kishën e Krishtit. Regjistrohemi si qytetarë të Mbretërisë së Qiejve. Na jepet e drejta që të marrim pjesë edhe në misteret e tjera, si rrëfimi hyjnor, kungata e shenjtë dhe misteret e tjera. Një i pa pagëzuar nuk ka të drejtë të afrohet në asnjë mister.
Nëpërmjet pagëzimit ndodh një vdekje shpirtërore dhe ngjallje shpirtërore. Vdes njeriu i vjetër i mëkatit dhe ngjallet njeriu i ri i Perëndisë… Kjo jetë e re është më e lartë edhe nga krijimi… Kjo jetë e re kërkon si kusht rinovimin e zemrës prej së cilës buron çdo jetë e moralshme. Nuk është e mundur të jetë rrjedha e ëmbël nëse nuk është burimi i ëmbël. Nga jeta e virtytshme, e nderur dhe e lavdishme më Krishtin buron bekimi, hiri i paqes, i gëzimit, i shpresës në jetën e amshuar.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, “U shfaq hiri i Perëndisë që sjell shpëtimin në gjithë njerëzit” na shpall sot apostull Pavli. “Zbulesa e përkryer e së vërtetës që e çliron njeriun nga tirania e mëkatit dhe e ringjall në një jetë të re, erdhi me anë të Jisu Krishtit” (Joani 1: 17). E reja, pra, që sjell Jisu Krishti është hiri, lajmi gazmor i Ungjillit, thelbi dhe thellësia e Krishtërimit. Hiri është karakteristika e veçantë dhe diferenca e Kishës nga sinagoga. Ajo që ka “krijesa e re”, dhe që nuk ekziston në botën e vjetër, është Hiri i shenjtë. Sot në këtë ditë panigjirike, me shfaqjen e Trinisë së Shenjtë, u bë njëkohësisht, hyrja në botë e Hirit hyjnor.
“Me Hirin e Perëndisë bëhemi trashëgimtar, sipas shpresës sonë, të jetës së amshuar”. U bëftë!”
Joan Qako
|