|
|
Mijëra bësimtarë orthodhoksë të Tiranës përjetuan këto ditë Javën e Madhe dhe të Shenjtë që u finalizua më madhështi në Triumfin e Ngjalljes. Java e Pësimeve të Zotit Krisht dhe shkëlqimi i Ngjalljes u shoqëruan me shërbesat e rastit, të cilat u ndoqën gjatë kësaj kohe nga besimtarët në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” dhe u kryesuan nga Kryepiskopi Anastas, i cili përcolli çdo ditë mesazhe dhe këshilla shpirtërore.
|
|
Vlen të theksohet se pjesëmarrja e besimtarëve këtë vit ishte shumë e lartë, aq sa disa besimtarë të vjetër kujtuan vitet e para të hapjes së kishave, kur mijëra e mijëra besimtarë dyndeshin nëpër kisha, të etur për të dëgjuar Fjalën e Zotit të Ngjallur. Përshëndetja e ngazëllueshme: Krishti u Ngjall! – Vërtet u Ngjall! jehoi me gëzim të papërshkruar, pas ditëve të bekuara të kreshmës. I gjithë shkëlqimi i Ngjalljes ndriçoi kudo dhe ishte e mbushur me emocione, gjatë së cilës u lexua edhe mesazhi paskal i Kryepiskopit Anastas.
|
|
|
|
Të Shtunën e Madhe në mbrëmje, pak minuta para orës 00.00, Kryepiskopi lexoi mesazhin e Ngjalljes. Me mijëra besimtarë kishin mbushur kishën, ambientin përreth katedrales si edhe sheshin në rrugën e Kavajës, në sheshin ku do të zhvillohej edhe ceremonia e pritjes të Ngjalljes së Krishtit. Pas leximit të mesazhit të Kryepiskopit, dëgjua thirrja ngazëllyse “Krishti u Ngjall”, e pasuar nga tingujt e gëzueshëm të kambanave dhe nga urimet e shumë besimtarëve, të cilët me qirinj në duar uronin njëri-tjetrin.
|
|
Më pas, në kishë vijoi Shërbesa e Ngjalljes e cila edhe këtë vit u transmetua direkt nga Televizioni Publik Shqiptar. Interesim të madh treguan edhe televizione shqiptare e të huaja, të cilat transmetuan kronika të ndryshme të festës.
Këtë vit në Tiranë, përveç pjesëmarrjes së lartë të besimtarëve nëpër shërbesa, spikati edhe kultura e qëndrimit në kishë si dhe kuptimi i mënyrës së të festuarit. Serioziteti dhe kontributi i besimtarëve orthodhoksë, nga viti në vit, po rritet dhe në festën e festave, Ngjalljen e Zotit Krisht, merr formën e plotë dhe të vërtetë.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Isidor Koti
Foto: Nathan Hoppe
|
|