|
|
Me madhështi të veçantë u kremtua këtë vit në Berat “Java e Madhe dhe e Shenjtë”, sepse duke filluar nga e “Diela e Dafinave” besimtarët beratas patën mundësinë të ndjekin të gjitha shërbesat në Katedralen e sapondërtuar të “Shën Dhimitrit” në qendër të qytetit. Megjithëse e pa kompletuar përfundimisht me të gjitha sendet e përshtatshme, Hirësia e Tij Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, me qëllim për t’i shërbyer sa më mire grigjës së tij bekoi dhe mundësoi në një kohë shumë të shkurtër, me përpjekje të jashtëzakonshme, fillimin e shërbesave të shenjta në këtë Kishë.
|
|
Me qindra e qindra besimtarë erdhën të “Dielën e Dafinave” për tu falur në katedralen e “Shën Dhimitrit” dhe morën pjesë në Liturgjinë e parë Hyjnore që u celebrua në këtë Kishë. Në fjalën përshëndetëse Imzot Ignati theksoi dhe falënderoi në radhë të parë Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasin për ndërtimin e kësaj kishe madhështore në qendër të qytetit, gjithashtu falënderoi dhe dhuruesit dhe ndihmëtarët e tjerë të cilët mundësuan funksionimin e kësaj kishe.
|
|
|
|
Gjithashtu Hirësia theksoi duke thënë se sot është një ngjarje Historike për qytetin e Beratit sepse kryhet pas 40 vjetësh Liturgjia Hyjnore në katedralen e Shën Dhimitrit, e cila u shkatërrua plotësisht nga regjimi ateist dhe në truallin e së cilës u ndërtua Komiteti i Partisë (sot Bashkia e qytetit), por me përpjekjet e mëdha të Kryepiskopit Anastas u sigurua një truall shumë afër me kishën paraekzistuese dhe u mundësua nga ana e tij ndërtimi i kësaj vepre mbresëlënëse.
|
|
Me qindra besimtarë ndoqën në vijim shërbesat e shumta të kësaj jave, të cilat u celebruan qe të gjitha në praninë e Hirësisë së tij Imzot Ignatit. Të gjithë ne përjetuam Pësimet e Shenjta dhe morëm pjesë në shërbesat përkatëse. U kryen me madhështi shërbesat e Dhëndrit, Liturgjitë e Parashenjtëruara, Efqelia e të Mërkurës së Madhe, Liturgjia e Darkës Mistike duke iu afruar në këtë mënyrë kulmit të përjetimit shpirtëror në Javën më të shenjtë të të gjithë orthodhoksëve.
|
|
|
|
Mbresëlënëse ishte shërbesa e të Enjtes në darkë ku Krijuesi i gjithësisë u duk i kryqëzuar mbi dru në mes të Kishës. Emocione të mëdha përjetuam kur në mes të kishës doli Epitafi i Shenjtë, në të cilin përgjatë gjithë ditës u falën mijëra besimtarë beratas. Madhështore ishte shërbesa e darkës, ku pas vajtimeve të shenjta, të kënduara në kor nga burrat e qytetit, i erdhi radha litanisë së Epitafit ku pas shumë vitesh do të kryhej në Katedralen e Shën Dhimitrit. Epitafi i ndjekur nga besimtarë të panumërt përshkoi si fillimisht rrugën e vjetër që ndiqte para mbylljes së kishave.
|
|
Kaloi pranë shtëpive të besimtareve, të cilët kishin ndezur qirinj nëpër dritaret e shtëpive, u duk qartë mallëngjimi i njerëzve kryesisht të të moshuarve, të cilët ndjenë emocionet që kishin vite pa i përjetuar. Epitafi përshkroi një rrugë shumë të gjatë, derisa arriti në fillim të shëtitores së qytetit, aty ishte një tjetër moment madhështor sepse u bashkuan dy Epitafe bashkë dhe pikërisht Epitafi i kishës katedrale të Shën Dhimitrit me Epitafin e kishës së Shën Spiridhonit. Të dy së bashku përshkruan shëtitoren kryesore të shoqëruar nga Banda frymore e qytetit.
|
|
|
|
Në qendër të Beratit, përballë me kishën e Shën Dhimitrit ishte ngritur një podium ku Hirësi Ignati në prani te dy Epitafeve dhe të qindra besimtarëve theksoi rëndësinë e kësaj ditë të madhe. Hirësi Ignati theksoi se bashkimi i Epitafeve simbolizon unitetin e Kishës në këtë qytet, ai tha se të gjithë ne sot vuajmë, por vuajtjet tona do të shpërblehen me Ngjalljen e Shpëtimtarit.
Pas përjetimit të mundimshëm i erdhi radha natës ngadhënjimtare të Ngjalljes. Besimtarë të panumërt kishin ardhur për të dëgjuar lajmin shpëtimtar se “Krishti u Ngjall”.
|
|
Pas thirrjes së Kryebariut për të marrë Dritën që nuk Perëndon të gjithë iu drejtuan sheshit përpara katedrales. Pikërisht përball me kishën u dha dhe lajmi nga Imzot Ignati se Krishti u Ngjall! Mbi podiumin e ngjalljes u lexua dhe mesazhi i Imzot Ignatit drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë, në të cilin ndër të tjera theksohej: “Ndërkohë që kambanat e kishave bien gëzueshëm dhe dallgët e dritës kanë tejmbushur tempujt e shenjtë dhe “Krishti u Ngjall” jehon nga çdo skaj i Orthodhoksisë dhe bota e krishterë me ngazëllim të madh shkëmben puthjen e dashurisë dhe stina më e ëmbël e vitit përqafon panairin më të shkëlqyeshëm të besës, ungjillor Joani në Ungjillin e shenjtë të meshës së Pashkës me zë gjëmues shpall arsyen për të cilën u ngjall Krishti. U Ngjall sepse “në atë ishte jetë”. (v. 4).
|
|
|
|
Sepse kishte brenda Tij jetë. Nuk ishte vetëm njeri Ai që vdiq mbi kryq, por ishte edhe Perëndi. “Dhe Fjala ishte Perëndi”. (vargu 1). Dhe Perëndia është i pavdekshëm. Perëndia jeton përjetë. Ai është burimi i pashterur, i përjetshëm i jetës.
Gjithë krijesat, me shpirt apo pa shpirt, të dukshme a të padukshme, të logjikshme dhe jo të logjikshme, e morën ekzistencën dhe fillimin nga i tërëfuqishmi, Krijuesi që është përpara jetëve. Dhe Krijuesi i të gjithave nuk është tjetër veç Zotit Krisht që u ngjall mbas tre ditësh nga varri.
|
|
Varri i zbrazët i Zotit është vërtetimi i hapjes së gjithë varreve. Për kryesinë e jetës. Për pavdekësinë. Pothuajse një javë para ngjarjes së madhe kishte thënë fjalë tronditëse: “Ai që beson tek unë edhe nëse vdesë do të rrojë”. Një realitet që tronditi botën e Judesë. Hapi varret. Ngjalli të vdekurit. Rrënoi tempujt e idhujve te kombet dhe tempullin e madh në Jerusalem dhe shpërndau anembanë dheut jehonën e tij. Krishti u Ngjall! ”
Kanoni i Ngjalljes dhe Liturgjia e Shenjtë vazhdoi ngazëllueshëm me përsëritjen e vazhdueshme te himnit “Krishti u Ngjall së vdekurish…” deri në orët e vona dhe duke u mbyllur me dhënien e Trupit dhe Gjakut të Zotit Krisht për shpresëtarët e devotshëm.Të nesërmen ne ditën festive të Pashkës në orën 11 u krye Mbrëmësorja e Dashurisë, ku leximi i Ungjillit dhe tropari “Krishti u Ngjall” u thanë në shumë gjuhë të ndryshme. Më pas vijuan urimet e përvitshme në Mitropolinë e Beratit ku për të uruar Pashkën e Shenjtë erdhën shumë personalitete, ndërmjet tyre dhe Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë z. Genc Pollo, Kryetari i Bashkisë së Beratit z. Fadil Nasufi, Kryetari i LSI z. Ilir Meta, deputeti i Parlamentit Shqiptar z. Marko Bello, përfaqësues të Komunitetit Mysliman, Romano-Katolik si dhe shumë besimtarë të tjerë.
|
|
|
|
|
|
|
|
Joan Qako
|
|