Kjo kishë u ndërtua me iniciativën, kujdesin, dashurinë dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, për rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për Lavdi të Perëndisë.
    Guri i themelit u vu nga Kryepiskopi Anastas në nëntor 1994 dhe punimet ndërtuese përfunduan në fillim të vitit 2002. Në këtë kishë, në nëntor 1999, u prit me dhoksologji nga të krishterët orthodhoksë durrsakë Patriarku Ekumenik Vartholomeu I, në vizitën e Tij të parë në Shqipëri.  Shërbesat e para në këtë kishë filluan në Javën e Madhe të Pashkës 2002.
    Më 3 maj 2009, të Dielën e Miroprurëseve, kjo kishë përurohet nga Kryepiskopi Anastas me Shërbesën e Shenjtërimit që është një nga shërbesat më madhështore dhe panagjirike të Kishës.
    Të dhëna historike
 
   Krishterimi në Durrës është mjaft i hershëm. Tradita përmend se i pari që predikoi Krishterimin në këtë zonë ishte apostull Pavli, në shek. I. Vazhdimisht Durrësi përmendet në histori si seli mitropolitane dhe kryepiskopale, duke pasur disa episkopata në vartësi. Ai ka pasur mjaft figura të shquara episkopësh në jetën historike kishtare si edhe atë kulturore të vendit tonë. Mjaft prej tyre përmenden në Sinodet Ekumenike dhe ato rajonale. Titulli i tij historik, që nga shpallja e Autoqefalisë (1937) e deri më sot, vazhdon të përmendet bashkë me atë të Kryepiskopatës së Tiranës. Kur Tirana u bë kryeqytet selia u transferua në të.
  Në jetën kishtare durrsake rrezatojnë edhe shenjtorët: Shën Qesari, episkop i parë i Durrësit në shek. I (8 dhjetor); Shën Asti, episkop i Durrësit në fund të shek. I, që e kryqëzuan pranë mureve të kalasë së qytetit (6 korrik); 7 të krishterë nga Italia: Peregrini, Lukiani, Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani, që i mbytën në det kur kryqëzuan Astin (7 korrik); Shën Andoni, kryepiskop i Durrësit dhe më pas i Selanikut në shek. IX, që e internuan në kohën e Ikonoklastisë (2 nëntor); Shën Joan Kukuzeli (lindur në Durrës, në shek. XII/XIII), mjeshtër i muzikës kishtare bizantine (2 tetor).
    Monumentet historike dhe gjetjet arkeologjike vërtetojnë konkretisht jetën shekullore kishtare të qytetit dhe zonës së tij.
    Apostull Pavli dhe Shën Asti kanë qenë e janë shenjtorë popullorë ndër të krishterët orthodhoksë të Durrësit. Për nder të tyre janë ndërtuar edhe kisha. Sot komuniteti orthodhoks durrsak, përveç kishës së Shën Gjergjit (rikonstruktuar më 1994, 1997), ka tashmë dhe kishën e re të Apostull Pavlit e Shën Astit.
    Të dhëna për kishën
 
    Kjo kishë ngrihet përballë vendit ku ka qenë kisha e Shën Spiridhonit (shkatërruar më 1967) dhe selisë mitropolitane (sot e rrënuar).
    Projekti arkitektonik e konstruktiv i kishës u bë nga Zyra e Shërbimit Teknik të Kryepiskopatës, ndërsa zbatimi i punimeve u realizua nga firma ndërtuese vendase.
    
    Kisha është e tipit bazilikë me kupolë, me dy kate dhe me hajat përreth. E gjithë kisha është ndërtuar me beton-arme dhe e veshur me gurë. Ajo ka një sipërfaqe prej 606m2 dhe një vëllim prej 6800m3. Lartësia më e madhe e kupolës është 17.75m, ndërsa ajo e kambanores është 19m.
    Nga jashtë, kisha është e veshur me gurë të bardhë (marrë në Aranitas të Ballshit), me tulla dekorative në qemerë, korniza e dritare. Çatia është veshur me tjegulla bizantine. Nga brenda, kisha është zbukuruar me veshje dekorative artistike në kapitele, bazamente, dysheme mermeri, kolona dhe ballkon.
    Pas përfundimit të punimeve Kryepiskopi Anastas u kujdes në vazhdim edhe për plotësimin e sendeve dhe orendive adhuruese, duke dhuruar ikonostasin, fronin episkopal (punime gdhendjeje me dorë nga disa mjeshtër pogradecarë), 32 ndriçues polielei, 5 kambana me sistemin elektronik etj.
 
 
    Po kështu edhe mjaft besimtarë durrsakë po japin kontributin e tyre monetar për ikonat e ikonostasit dhe ato murale (punime të ikonografëve të Studios Ikonografike të Kryepiskopatës), analogun e psaltirit (punim i punishtes “Nazaret” të Kryepiskopatës), karrige etj.
    Kati i poshtëm është qendër shpirtërore kishtare për aktivitete të ndryshme shpirtërore e kulturore që organizohen gjatë vitit Në këtë mjedis, të pajisur me sistem modern ajrosjeje, ndodhen: biblioteka, salla e madhe e aktiviteteve dhe e pritjes, skena për shfaqje, bar-kuzhina, zyra, dhoma e pritjes, dhoma të katekizmit, ambiente për lojëra etj.
* * * * *
 
   Kisha është me të vërtetë një vepër e bukur arkitektonike dhe një monument tjetër iri, nëjetën e kulturën historike të qytetit. Një tempull i shenjtë që brumos e do të brumosë në shekuj tërësinë e krishterë orthodhokse me vizionin e përjetësisë së Jisu Krishtit, një tempull shpirtëror e kulturor me vizionin e vëllazërimit, dashurisë për njëri-tjetrin e për Lavdi të Perëndisë!
    Ndërtimi i kësaj kishe me emrin e Apostull Pavlit dhe Shën Astit është një rigjallërim i jetës së krishterë dhe traditës apostolike të qytetit të Durrësit, duke qenë përkrah krishterimit me themelim apostolik të qyteteve të tjera në shtetet fqinje.
 
Foto: Kryedhjakon Asti
 
Kisha e Apostull Pavlit dhe e Shën Astit
Lagja 3, Rruga “Skënderbej”, pranë BKT, Durrës.
Tel/Faks: 052 230 767