– “Me dritën Tënde, do të shohim dritë” –
 
    
    Vera e sivjetshme shënoi vitin e 11- të për kampin veror të vajzave “Bariu i Mirë”, të zhvilluar në ambientin e bukur të Manastirit të Hirshëm të Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Ky aktivitet u ofron vajzave pjesëmarrëse nga e gjithë Shqipëria mundësi për njohje dhe përjetim të besimit tonë, rritje  shpirtërore, miqësi brenda komunitetit të krishterë, argëtim dhe krijueshmëri. Këto kampe zhvillohen me bekimin dhe mbështetjen financiare të Kryebariut tonë Anastas. Teksti i mëposhtëm tregon për zhvillimin e tre kampeve të sivjetshme.
 
 
 
     Kampi I, 27 korrik-5 gusht
 
Ti o Krisht drita e botës
për mua erdhe të më ndriçosh
Kishën, Misteret Ti më dhurove
Nëpërmjet tyre të jetoj.
 
 
    Këto vargje janë shkëputur nga himni i Kampit të vajzave “Bariu i Mirë” i cili mikpriti 75 vajza, të moshës 10-12 vjeç, nga Dioqeza e Tiranës, Beratit, Korçës, Gjirokastrës nga data 27 korrik deri më 5 gusht.
    Shpesh jeta na vendos në udhëkryqe të shumta dhe të ndryshme ku nevojitet dritë për të zgjedhur rrugën në të cilën duhet të ecim. Dritë nga drita që s’perëndon, dritë që ndriçon errësirën tonë, dritë që po t’i afrohemi nuk na lejon të turpërohemi. Kjo dritë është Perëndia, i cili u mishërua për ne dhe na fton që të bëhemi bij të dritës.  “Me dritën e Tënde, do të shohim dritë”, ishte tema e kampit për këtë vit, e cila na shoqëroi gjatë këtyre dhjetë ditëve si një thirrje dhe lutje për ndriçim, që duke qenë pranë dritës të mund të bëhemi bijtë e të Lartit.
    Gjatë ditëve të kampit vajzat ndoqën një program të larmishëm. Dita fillonte me lutje dhe mbaronte me lutje. Lutjet të cilat u kryen në kamp ishin Mëngjesore, Paraklis, Pasdarkë, Tipiko, Lutja e Jisuit, Meditimi i mbrëmjes dhe i mëngjesit dhe meditime të përgatitura nga drejtueset.
    Rritja shpirtërore e vajzave vazhdonte me mësimet e shkëputura nga libri “Kisha rritet”, që udhëzonte drejt qëllimit të kampit, i cili ishte bashkimi ynë me Perëndinë, pjesëmarrja në Misteret e Kishës. Këtë vit familjes së Krishtit iu bashkuan edhe 16 vajza me misterin e Pagëzimit.
    Kontribut të veçantë në këtë udhëtim shpirtëror përgjatë ditëve të kampit dhanë Hirësi Nikolla me referatin e tij “Ejani tek Ai dhe ndriçohuni dhe fytyrat tuaja nuk do të turpërohen”, Hirësi Andoni me temën “Lavdi ty që na rrëfeve dritën”, Atë Jani Trebicka si at shpirtëror, Atë Viktori me temën “Veshjet e klerikut dhe enët e shenjta”, i cili ishte dhe prifti i kampit si edhe Sonila Rrëmbeci me informacionet mbi kanalet mediatike të Kishës sonë, si një informacion shpirtëror përçdo besimtar.
    Përveç anës shpirtërore kampi përfshinte edhe anën artistike, kulturore, sportive dhe argëtuese.
    Një shije të veçantë i dhanë kampit kuarteti i radios “Ngjallja”, drejtuar nga Joli Nano, që kishte përgatitur një program me këngë tradicionale nga trevat e vendit tonë.
    Një pjesë tjetër e veçantë e kampit ka qenë mësimi i himneve të kishtare edhe drama të përgatitura nga vetë vajzat që paraqisnin jetët e apostujve, emrat e tetë prej të cilëve mbanin edhe grupet në kampin tonë.
    Nata shqiptare ishte një mbrëmje e veçantë ku të gjitha grupet do të paraqisnin traditën kishtare, artistike, kulturore të një qyteti, si Korça, Berati, Elbasani, Tirana, Gjirokastra etj.
    Kohë tërheqëse për vajzat ishte edhe puna e dorës. Ato shprehën talentin e tyre duke bërë kryqe me rruaza, kartolina të ndryshme, bluza me logo lidhur me temën e kampit etj.
    Në këtë kamp nuk munguan edhe lojërat sportive të cilat i futën vajzat në një konkurrencë argëtimi dhe miqësie, si volejboll, tërheqje me litar, lojëra me tullumbace, lojërat e pasditeve.
    Ditë e veçantë e këtij kampi ishte pjesëmarrja në Meshën Hyjnore të 2 Gushtit, ku të gjitha ne iu bashkuam komunitetit të Tiranës për të kremtuar së bashku 17 vjetorin e Fronëzimit të Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas.
    Programi i kampit të parë të vajzave u mbyll me lutje falënderimi për Perëndinë për këtë bekim që na dha dhe për të gjithë ata që mundësuan realizimin e tij.  Falënderojmë përzemërsisht kryebariun tonë Anastas, i cili financon edhe mbështet kampin e vajzave. Falënderojmë gjithashtu edhe grupin organizues të përbërë nga vajzat e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, vajzat e Qendrës Studentore të Kishës sonë në Tiranë si edhe të Rinisë së Tiranës. Me një ripërtëritje të thellë shpirtërore vajzat u larguan nga kampi me mirënjohje dhe lot në sy duke uruar njëra-tjetrën “mirë u takofshim në vitin tjetër”.
 
    Drejtueset e kampit të parë
    Elisabeta Shqau
    Parashqevi Gega
 
 
    Kampi II,  7-18 Gusht 2009
 
    Në kamp, nga data 7-18 gusht, morën pjesë rreth 70 vajza, të moshës 13-15 vjeçare, nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, të cilat gjatë kësaj periudhe u ndanë në 7 grupe, që emërtoheshin me emrat e 7 prej 12 apostujve.
    Çdo ditë të kampit vajzat i priste një program mjaft i larmishëm, i cili fillonte dhe mbaronte me lutje nga më të ndryshmet, si Mëngjesore, Paraklis, Pasdarkë, Lutje e Jisuit, kurorëzimi i të cilave ishin Liturgjitë Hyjnore.
    Prej drejtueseve të kampit u përgatitën disa meditime dhe studime biblike, me tema të marra nga Ungjilli ose Apostulli i ditës, nga libri “Pajtimi ynë me Perëndinë” etj. Përveç këtyre në kamp u mbajtën edhe disa tema nga referues të veçantë, që erdhën për të na vizituar, ndër ta mund të përmendim Hirësi Andonin, Hirësi Nikollën, Pamela Barksdale, Sonila Rrëmbeci.
    Rëndësi e veçantë iu kushtua dhe Misterit të Rrëfimit, që u krye nga Atë Justini.
    Risi për kampin ishin temat sociale, si jeta në familje, dhuna, trajtimi i personave me HIV/Aids dhe martesa midis sekseve te njëjta. Ato u zhvilluan nga vetë vajzat, në formë dramash dhe diskutimi. Gjithashtu kemi dhe momentin e shfaqjes së talenteve, ku të gjitha vajzave iu dha mundësia të shfaqnin talentet e tyre, si për shembull në muzikë dhe në pikturë dhe disa prej tyre u morën me zbukurimin e ambienteve të kampit.
    Veç këtyre u zhvilluan edhe shumë aktivitete të tjera, si punët rreth kampit, puna e dorës, lojëra, kokteil, zjarri i mbrëmjes, u shfaqën disa filma dhe dokumentarë, gjithashtu u zhvillua dhe Nata Shqiptare. Gjatë kësaj nate secili nga grupet prezantoi një nga qytetet e Shqipërisë, nga ana historike, fetare e kulturore. Secili nga grupet prezantoi me drama jetën e apostullit të grupit të tyre, duke paraqitur dhe troparin e secilit apostull.
    Gëzim i madh për kampin ishte dhe Misteri i Pagëzimit, që u krye nga Atë Viktor Bërdufi. U pagëzuan 11 vajza.
    Në 15 Gusht të gjitha së bashku shkuam për të vizituar Manastirin e hirshëm të Shën Vlashit. Aty morëm pjesë në Liturgjinë Hyjnore, të drejtuar prej Hirësi Nikollës. Pas Liturgjisë Hyjnore vizituam ambientet e Manastirit dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, pas këtyre vizitave iu drejtuam plazhit dhe kaluam një pasdite të këndshme.
    Programi u mbyll në mbrëmjen e 17 Gushtit, me një lutje të veçantë, të bërë nga vetë vajzat, gjatë së cilës ato falënderuan Perëndinë për mundësinë që iu dha të merrnin pjesë në kampin e Kishës Orthodhokse, për shoqërinë e mrekullueshme që njohën aty dhe jetën së bashku si një komunitet i krishterë.
    Edhe ne bashkë me vajzat falënderojmë Perëndinë, që na bekoi në këto 12 ditë të udhëtojmë së bashku. Falënderim i veçantë dhe për Kryebariun tonë, Kryepiskopin Anastas, i cili na besoi këtë shërbesë të rëndësishme. Falënderojmë dhe të gjithë ata që mundësuan realizimin e këtij kampi, veçanërisht drejtueset të ardhura nga Akademia Teologjike, Qendra Studentore Tiranë dhe Grupi Rinor i Durrësit.
 
 
    Drejtueset e kampit të dytë
    Varvara Boço
    Nestilda Dangaj
 
 
    Kampi III,  20-31 Gusht 2009
 
    Kampi i tretë i këtij viti, i kryer nga 20-31 Gusht, shënoi dhe kampin e 33 të organizuar në këtë ambient. Këtë vit ky kamp mblodhi brenda tij rreth 60 vajza nga vende të ndryshme të vendit tonë, si Korça, Delvina, Gjirokastra, Vlora, Elbasani, Fieri etj.
    Duke njohur nga afër nevojat e të rinjve kampi kishtar me bekimin e Kryebariut tonë Anastas ofron mundësinë tek secila kampiste të përvetësojë të vërtetat e besimit orthodhoks dhe të jetojë në përputhje me to.
    Kampi i fton vajzat në një bashkëpunim krijues të Kishës me brezin e ri. Ato ushtrohen në një jetë të përbashkët me shoqëri dhe iniciativa të reja drejt një jete me përgjegjësi.
     Programi i kampit na ftonte të jetonim, të ecnim, të vepronim dhe të imitonim Krishtin si dritën e vërtetë të botës. Prandaj i kushtuam një kohë të veçantë lutjeve të ndryshme, studimit biblik, liturgjisë hyjnore, pagëzimit, misterit të rrëfimit, agripnisë si dhe referateve që na mësuan shumë mbi dritën e Krishtit dhe të qenit dritë në këtë botë. Këto referate  u mbajtën nga, Hirësi Nikolla, Hirësi Andoni, Pamela Barksdale, Rozeta Baba, Ekaterina Papadhopuli etj.
     I frymëzuar nga mësimi e Ungjillit tek Mattheu 25:31-46 dhe nga thënia e Kryebariut tonë “Liturgji pas Liturgjisë”, kampi organizoi vizita baritore tek familjet në nevojë, tek njerëzit me aftësi të kufizuara, në spitalin e fëmijëve, në azil dhe në qendrën rehabilituese.
    Çdo pasdite në kohën e kokteilit vajzat paraqitnin drama dhe diskutonin për çështje sociale si: Dhuna në familje, aborti, racizmi etj. Pas diskutimit mbi çështjet përkatëse, mbyllnim temën me ato çfarë Zoti thotë rreth tyre, sepse të gjitha ato që ndodhin rreth nesh e kanë përgjigjen dhe zgjidhjen në Shkrimin e Shenjtë.
    Ekskursioni i kryer në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit, ishte njohja dhe prekja e një mrekullie të ringjalljes së kishës sonë. Shëtitja në mal dhe në lumin pranë Manastirit të Shën Joan Vladimirit na ofroi në kontakt me krijimin e mrekullueshëm të Perëndisë.
    Konkursi sportiv, konkursi Biblik, gara humoristike, dramat në lidhje me jetën e apostujve, emrat e të cilëve mbanin grupet në kamp, mësimi i himneve kishtare, punimet e dorës si: komboskini, byzylyk, qëndisje etj. ishin pjesë krijuese e programi të kampit.
     Të gjitha vajzat pjesëmarrëse u pajisën me dosje e cila përmbante: Shkrimin e Shenjtë, librin “Pajtimi ynë me Perëndinë”, shërbesat e Mëngjesores, Paraklisit të vogël të së Tërëshenjtës Mari, Pasdarkës, Tipikosë, dhe broshura të ndryshme në lidhje me çështjet sociale e shëndetësore. Gjithashtu si kujtim morën me vete punimet e tyre të dorës si dhe fotografi nga kampi.
     Ky udhëtim 12 ditor kishte si qëllim rritjen shpirtërore të vajzave për  një fillim të ri në Krishtin dhe përhapjen e Dritës së Tij.
 
    Drejtuesja e kampit të tretë
    Marina Baba