– “Të lirë nga frika” –
 
Kampet verore, i ndihmuan djemtë
për të jetuar brenda miqësisë së krishterë
 
    “Të lirë nga frika”. Kjo ishte tema e kampeve verore me djemtë, në vazhdën e traditës së bukur që ndjek vit pas viti aktivitetin më të rëndësishëm të stinës së pushimeve, kur të rinjtë gjejnë çlodhjen shpirtërore dhe fizike në ambientet e Kishës sonë. Tema e kampit ishte frymëzuar nga Mesazhi i Kryepiskopit Anastas gjatë Pashkës 2009, një mesazh që jehon fuqishëm edhe në problematikat e shumta rinore. Përmes kësaj veprimtarie madhore, Kryepiskopi iu premton fëmijëve dhe të rinjve se edhe në të ardhmen Kisha do të qëndrojë gjithmonë pranë tyre, duke iu kërkuar në të njëjtën kohë të jenë aktivë në jetën kishtare dhe në të gjitha veprimtaritë që organizon Kisha Orthodhokse për të njohur edhe më shumë Krishtin dhe për të jetuar brenda miqësisë së krishterë.
    Kampet u organizuan në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Zvërnec të Vlorës dhe në Manastirin “Shën Gjergji” në Çukë të Sarandë. Çdo ditë zhvilloheshin shërbesa kishtare si dhe tema shpirtërore që referoheshin nga katekistët ose nga klerikë e teologë të ftuar. Programi niste me shërbesën e Mëngjesores, duke u pasuar me ngrënien e mëngjesit, vajtjen në plazh, drekën, kohën e pushimit dhe më pas me aktivitetet argëtuese e sportive. Pasditeve aktiviteti ditor vazhdonte me ngrënien e zemrës (ëmbëlsira/fruta) e më pas me bisedat shpirtërore, gjatë të cilave fëmijët dhe të rinjtë bënin shumë pyetje për të mësuar edhe më shumë rreth besimit të krishterë orthodhoks.
 
    Kampi I, dt. 16-26 qershor
 
    Në kampin e parë me fëmijët e moshës 6-13 vjeç, i organizuar në datat 16-26 qershor, në Zvërnec, ishin 180 pjesëmarrës. Ky kamp u dha mundësinë fëmijëve të njiheshin edhe më nga afër me besimin tonë, por edhe me vëllezër orthodhoksë të moshës së tyre nga e gjithë Shqipëria. Programi ishte rregulluar aq bukur që fëmijët të pushonin, të argëtoheshin, të njiheshin e të miqësoheshin me njeri-tjetrin, të mësonin dhe zhvillonin më shumë përjetimin e tyre rreth besimit.
 
    Një prej aktiviteteve më mbresëlënëse ishte vizita e tyre më 24 qershor në Tiranë, ku u takuan me Kryepiskopin Anastas, duke e falënderuar atë për kontributin e gjithanshëm në zhvillimin e Kishës. Pagëzimi i shumë kampistëve të ardhur për herë të parë në këtë kamp ishte një gëzim i veçantë për të gjithë. Edhe vizita e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit, ishte një tjetër ditë për të mos u harruar.
 
    Kampi në Sarandë
    Pas kampit të parë u realizua në fillim të muajit korrik edhe kampi i djemve në Çukë të Sarandës, në të cilin morën pjesë rreth 50 djem,  kryesisht nxënësit e shkollës “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër si dhe nxënësit e shkollës së mesme teknike “Apostull Pavli” në Mesopotam, me disa bashkëmoshatarë të ardhur edhe nga zonat e kësaj Mitropolie.
 
    Së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrin, ata mësuan më shumë rreth lirisë dhe frikës, duke u orientuar në mësimet e Kishës për besimin dhe zbatimin e porosive të Zotit. Një ditë e veçantë ishte edhe vizita në kishën e “Shën Harallambit” në qytetin e Sarandës, ku u organizua edhe ceremonia e diplomimit të brezit të parë të nxënësve të shkollës së mesme teknike “Apostull Pavli” në Mesopotam, që përfunduan këtë vit shkollor.
 
    Kampi II, dt. 11-21 korrik
 
    Kampi i dytë i grupmoshës 14-18 vjeç u organizua në datat 11-21 korrik, në Zvërnec, ku morën pjesë rreth 80 djem. Vetë programi i këtij aktiviteti 10 ditor ishte konceptuar i tillë, për të ndërthurur veprimtaritë shpirtërore me ato kulturore e argëtuese. Thelbësore ishin shërbesat kishtare të përditshme dhe diskutimet rreth Shkrimit të Shenjtë, rrëfimet tek Atë Jani Trebicka si edhe pagëzimi i 20 djemve. Gjithashtu ditët ishin të mbushura edhe me veprimtari të larmishme kulturore e sportive, kampionatet e shahut, ping-pongut, volejbollit, futbollit etj., ku një atmosferë të veçantë krijonte edhe radio e improvizuar e kampit.
    Drejtues i kampit ishte dhjakon Spiro Kostoli, pedagog i muzikës bizantine në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Sh. Vlash, i cili ka patur edhe eksperiencë në kampe të mëparshëm në role të ndryshme drejtuese. Ndërsa drejtues grupesh ishin studentë të Akademisë Teologjike dhe të sapodiplomuar në këtë akademi.
    Zelli me të cilin punoi stafi i tij, si dhe energjitë e pashtershme të të rinjve që shfaqeshin në çdo çast të kampit, në lojëra, në këngët e ndryshme, në temat shpirtërore, në miqësitë që krijuan gjimnazistët ndërmjet njëri-tjetrit, por edhe rritja e tyre shpirtërore dhe shija e një bashkësie vëllazërore e krishterë që ata morën ishin një motiv edhe për të shpresuar që këtë frymë ata ta vazhdojnë edhe në enoritë e tyre.
 
    Kampi III, dt. 25 korrik – 5 gusht
 
    Kampi i tretë dhe i fundit që u organizua po në Zvërnec, ishte ai me të rinjtë e moshës 18-25 vjeç në datat 25 korrik deri në 5 gusht. Vlen të shënohen dy momente të veçanta; vizita në kamp e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joanit, i cili foli për disa çështje të besimit si dhe vizita e kampistëve në Tiranë, në kuadër të 17 vjetorit të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas.
 
    Vlen të përmendet gjithashtu edhe pasuria e aktiviteteve brenda kampit që ilustroheshin dhe merrnin jehonë nërmjet radios së improvizuar të kampit. Në kuadrin shpirtëror, por jo të përditshëm, nuk lëmë pa përmendur edhe Liturgjinë Hyjnore të së dielës dhe të kremteve, si dhe një ditë ku kampistët patën mundësinë për t’u rrëfyer tek ati shpirtëror, Atë Justini, i cili erdhi në kamp për të ndihmuar në rritjen shpirtërore të pjesëmarrësve.
 
Isidor Koti & Joan Meni