Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasit, në datat 3-5 Prill 2009, në Qendrën Thavor të Kishës sonë u zhvillua kampi për vajza me temë: “Rikthim për në shtëpinë Atërore”. Gjatë kësaj fundjave, 70 vajza nga zona të ndryshme të Shqipërisë të moshës 13-22 vjeçe, ndoqën programin e përgatitur në përshtatje me periudhën e Kreshmës dhe Pashkës së Madhe.
    Ky kamp u drejtua nga Elisabeta Shqau dhe Parashqevi Gega, studente të vitit të fundit në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, shën Vlash, Durrës. Ndërsa pesë vajza të tjera nga Akademia Teologjike ofruan ndihmesën e tyre si drejtuese grupesh. Të gjitha vajzat pjesëmarrëse u pajisën me materiale të ndryshme si: libri “Pajtimi ynë me Perëndinë”, Himni Akathist, bllok, stilolaps dhe një ikonë prej druri, të cilat ndihmojnë në rritjen më Zotin.
    Programi përmbante shërbesën e Himnit Akathist ku të gjitha vajzat u bashkuan me komunitetin e Tiranës në Kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, vizitën në Manastirin e Hirshëm të shën Vlashit dhe takimin me Hirësi Nikollën, i cili drejtoi bisedën me temë: “Të jemi gjithmonë të gëzuar me ato që kemi – duke pasur në zemër vulën e falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Zotit për të gjitha”, vizitën në Shtëpinë e Fëmijëve të Shpresës, ku fëmijët na përshëndetën me një program të gëzuar me këngë e vjersha, ndërsa vajzat e kampit ofruan për ta dhurata të ndryshme.
   
    Më pas vizita vazhdoi në Malin e Lumërimeve, në shkollën “Kryqi i nderuar” në Sukth.
 
    Takimet në grupe dhe diskutimet mbi temat e përzgjedhura nga libri “Pajtimi ynë me Perëndinë” ndihmoi që të mësojmë më shumë për periudhën e Kreshmës dhe thirrjen që na bën Kisha për kthim te Zoti që së shpejti do t’i ofrohet pësimeve të mëdha për shpëtimin tonë.
    Programi i mbrëmjes të së shtunës përmbante prezantimin e secilit grup, i cili me drama, këngë e poezi paraqiti para vajzave të tjera ato që mësoi gjatë takimit në grup në lidhje me udhëtimin gjatë të Dielave të Kreshmës dhe me Pësimet e Zotit.
    Lutja e falënderimit mbylli programin e ditës së shtunë. Kampi u kurorëzua me Liturgjinë Hyjnore të ditës së diel, ku të gjithë vajzat pjesëmarrëse u bashkuan edhe një herë me komunitetin e Tiranës në Kishën e Ungjillëzimit. “Sa mirë kur vëllezërit banojnë bashkë”, dhe mësojnë e kujtojnë ligjin e Zotit dhe tërë mirësitë e Tij. Kjo kohë e bekuar së bashku na bëri të reflektojmë më shumë për udhëtimin tonë drejt Zotit të Ngjallur dhe të mendojmë si të rikthehemi çdo ditë e më shumë te dashuria e tij e pafund për ne.
 
Elisabeta Shqau
Studente në Akademinë Teologjike