|
Në 33 qytete dhe fshatra të Shqipërisë u zhvilluan kampe ditore-njëjavore për fëmijët e moshës 6-12 vjeç. Këto kampe u organizuan nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përgjatë muajve Korrik-Gusht dhe Shtator dhe në to orën pjesë rreth 1700 fëmijë. Organizimi dhe realizimi i këtyre kampingjeve u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit që Zyra Qendrore e Fëmijëve pati me klerikë të dioqezave të ndryshme, me katekistë si dhe me shumë vullnetarë, pjesëmarrës në grupet rinore të Kishës.
|
Zonat ku u zhvilluan këto kampingje ishin: Tiranë (Katedralen Ungjillëzimi , Bathore, Romët, Tabor, Kodra e Priftit), Gramsh, Cërrik, Shën Joan Vladimir, Fikas, Kuqan, Kryezjarr, Shtërmen, Grabovë, Librazhd, Shelcan, Vrakë, Shkodër, Sheqishte, Kavajë, Bubullimë, Halilaj, Verri, Vajkan, Rrupaj, Krutje, Shën Pjetër, Topojë, Poro, Dëllënjë, Berat (Kala, Qendër, Gorricë), Kozarë.
|
|
|
Tema e kampit të këtij viti ishte “Shenjtorët e gjallë”. Programi zgjaste çdo ditë rreth 4 orë e gjysmë me diskutime në grupe të vogla mbi jetët e shenjtorëve, me këngë të ndryshme, lojëra, punëdore dhe me një himn kampi. Një e veçantë e kampit të këtij viti ishte se në fund të mësimit të katërt, atij të Shën Julitës dhe Kirikut, pasi kishim diskutuar shumë se kush është një i krishterë dhe kush janë simbolet e Krishtërimit, të gjithë fëmijët morën nga një kryq dhuratë, si simbol të besimit dhe për të treguar se ne jemi të krishterë.
|
Një ditë e paharruar në kamp ishte edhe dita e lojërave olimpike ku fëmijët kishin përgatitur nga një himn dhe flamur që përfaqësonin grupin e tyre. Në ditën e shtatë dhe të fundit të kampit, fëmijët kaluan një ditë të bukur dhe festive në praninë e mësuesve, prindërve, të afërmve dhe të njëri-tjetrit. Një ngjarje e veçantë ndodhi në kampin e Shën Pjetrit ku u pagëzuan 10 nga fëmijët pjesëmarrës.
Organizimi dhe zhvillimi i këtyre kampingjeve bën të mundur rritjen e nivelit shpirtëror, edukativ dhe argëtues të fëmijëve. Gjatë këtyre kampingjeve fëmijët patën mundësi që të mësonin më shumë përreth shenjtorëve dhe jetëve të tyre, të mësonin më tepër rreth besimit të krishterë. Por mbi të gjitha mësuan si të jetonin besimin e krishterë duke u përpjekur që çdo ditë të kultivonin në jetët e tyre virtytet e krishtera.
|
|
|
|
|
|
|
|
Mikea Topanxha
|