![]() |
Në Saint Augustine, Florida, në datat 20-21 maj, u përurua Qendra e Trajnimit dhe Administrative e Misionit të Krishterë Orthodhoks (OCMC), e cila u pagëzua me emrin e Kryepiskopit Anastas dhe Kryepiskopit Dhimitër. Në këtë eveniment morën pjesë përfaqësues nga të gjitha juridiksionet e Kishës Orthodhokse në Amerikë, përfshi edhe dioqezat shqiptare, si dhe mbi 300 të ftuar me këtë rast. Qendra e re e Trajnimit është një investim rreth 4 milion dollarë dhe ky investim është përftuar në sajë të kontributeve të besimtarëve, shoqatave filantropike dhe të kishave të ndryshme në Amerikë.
|
|
Ceremonia nisi me një pritje në Renaissance Resort në World Golf Village, ku Presidenti i Bordit të OCMC, C. Argue, u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen dhe bëri një përshkrim në kohë të aktivitetit dhe punës së kësaj qendre misionare.
Kjo qendër është e pranishme me anë të vullnetarëve të saj, në shumë vende të botës si në Shqipëri, Tanzani, Uganda, Rumani, për të ndihmuar përpjekjet e kishave orthodhokse lokale. Drejtor i kësaj qendre është atë Martin Ritsi, një klerik që ka jetuar dhe ka punuar disa vite edhe në Shqipëri, pranë Kryepiskopit Anastas.
|
![]() |
![]() |
Në darkën që pasoi, folës të ndryshëm, përfaqësues të të gjitha komuniteteve orthodhokse në Amerikë nxorën në pah rolin primar dhe iniciues që ka luajtur Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, si dhe Kryepiskopi Dhimitër, primat i Kishës Orthodhokse Greke në Amerikë dhe Kryetar i Këshillit të Përhershëm të Konferencës së Episkopëve Orthodhoksë të Amerikës (SCOBA), në veprën apostolike në pjesë të ndryshme të globit.
|
|
U nxor në pah ngritja e kishave orthodhokse në Uganda, Tanzani dhe në Kenia nga Kryepiskopi Anastas gjatë veprës së tij apostolike në Afrikë, frytet e kësaj pune të cilat vazhdojnë të kenë lulëzim edhe sot, si dhe vepra e jashtëzakonshme e ringjalljes së Kishës në Shqipëri. Më pas u trajtua puna e madhe baritore dhe administrative e Kryepiskopit Dhimitër në një front kaq të vështirë dhe kompleks siç paraqitet kontinenti amerikan sot, për konsolidimin e besimit orthodhoks dhe Kishës Orthodhokse.
|
![]() |
![]() |
Atë Chad Hatfield, dekani i Seminarit të Shën Vladimirit, përmendi në fjalimin e tij rëndësinë e jashtëzakonshme të misionit orthodhoks në Amerikë, i cili ishte vendimtar në ngritjen e komuniteteve orthodhokse në Amerikën e Veriut nga shenjtorë si shën Hermani i Alaskës, shën Inocenti i Moskës, shën Tihoni dhe vazhdon të jetë i domosdoshëm edhe në ditët tona. Ai tha në diskutimin e tij se sot Orthodhoksia ekziston dhe është një shpresë e gjallë për mbarë kontinentin amerikan falë lutjeve, kuptimit dhe përpjekjeve të tyre shumë të mëdha të atyre barinjve dhe besimtarëve të frymëzuar që iu përgjigjën me tërë zemër thirrjes së Krishtit për të mësuar dhe për të bërë nxënës në të gjitha kombet.
|
|
Mëngjesi i ditës së enjte, 21 maj, nisi me një Liturgji Hyjnore në kishën e Trinisë së Shenjtë, në Saint Augustine. Pas celebrimit të Liturgjisë, pjesëmarrësit shkuan në ambientet e Qendrës së Trajnimit dhe të Administratës së Misionit Orthodhoks, ku nën kryesimin e Kryepiskopit Anastas, Kryepiskopit Dhimitër dhe Kryepiskopit Jona u krye Shërbesa e Bekimit dhe e dedikimit kësaj qendre.
Kryepiskopi Anastas, gjatë kësaj shërbese i dhuroi për më tepër Qendrës së re Misionare një pjesë nga lipsani i shenjtë i Shën Kozmait të Etolisë, duke theksuar rolin e madh të shenjtorit si një prej vazhduesve më të shquar të veprës apostolike dhe vuri në pah jetën e shenjtë dhe sakrificën e madhe të isapostullit (barazapostullit) të madh, si një model i gjallë dhe frymëzues për çdo njeri që ka thirrjen nga Perëndia për përhapjen e Ungjillit të Krishtit.
Kryepiskopi Dhimitër dhuroi një ikonë të shenjtorëve misionarë Kirill dhe Metod, ndërsa Kryepiskopi Jona një pjesë të lipsanit të Shën Inocentit të Alaskës.
Pas kësaj ceremonie, të ftuarit e shumtë u drejtuan përsëri në Renaissance Resort, ku u dha një drekë në nder të Kryepiskopit Anastas dhe Kryepiskopit Dhimitër. Në këtë drekë, atë Aleksandër Veronis bëri një prezantim të personalitetit dhe veprës së Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, ku risolli kujtime vetjake të shumë viteve më parë. Në këto refleksione atë Aleksandri kujtoi kontributin dhe rolin e madh dhe të veçantë që Kryepiskopi Anastas luajti në rilindjen dhe në gjallërimin e lëvizjeve hierapostolike, si në ambientet universitare, ashtu edhe në ato kishtare, gjatë viteve 50-60. Ai përmendi disa prej ideve të guximshme që Kryepiskopi Anastas parashtroi në atë kohë si linja në të cilat duhet të zhvillohej dhe të jepte fryte e gjithë kjo punë hierapostolike, ide që ngelen të freskëta dhe me një rëndësi të madhe edhe sot për mbarë Kishën Orthodhokse.
Pas këtij prezantimi, Kryepiskopi mbajti një fjalim përshëndetës, ku foli dhe parashtroi shumë ide dhe refleksione që burojnë nga një përvojë e gjallë dhe frymëzuese në lëmin e veprës hierapostolike. Ai rikujtoi vitet e kaluara në Afrikë, vështirësitë dhe sfidat e shumta si në ambientin e brendshëm kishtar, ashtu edhe në atë të jashtëm, përgjegjësinë e madhe ndaj Zotit që na urdhëroi të predikojmë në mbarë botën dhe rëndësinë e një thirrjeje të tillë. Ai solli para të pranishmëve, me një përshkrim tërheqës, skena nga jeta dhe vepra e Kishës në kontinentin afrikan. Në refleksionin e tij, Kryepiskopi Anastas e lidhi veprën hierapostolike me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht, si një ngjarje vendimtare që jep shpresë, dritë dhe fuqi në perspektivën e trishtë të jetës njerëzore.
Ai theksoi se Zoti i porositi nxënësit e Tij të shkonin dhe të predikonin në mbarë kombet, pasi ata kishin parë dhe jetuar Ngjalljen e Tij më përpara dhe pasi u veshën me fuqinë dhe shpresën e kësaj ngjarjeje unikale. Prandaj edhe për një njeri që është i thirrur në këtë vepër hierapostolike, është diçka esenciale në punën dhe në jetën e tij, që përpara gjithë të tjerave, të jetë vetë një shembull dhe provë e gjallë e Ngjalljes së Zotit dhe kjo është mënyra më e mirë që Ungjilli të predikohet saktë dhe në mënyrë efikase. Kryepiskopi Anastas, në fund të refleksioneve të veta, tha se edhe kjo qendër që sapo u përurua, përbën një çast të rëndësishëm në tërë përpjekjen hierapostolike të Kishës dhe një fillim për të punuar më me përgjegjësi dhe autenticitet në këtë fushë kaq të vështirë.
Ndërsa Kryepiskopi Dhimitër i Amerikës, në fjalën e tij, përmendi domosdoshmërinë e veprës hierapostolike brenda Amerikës, si një mundësi që shumë njerëz që deri më sot nuk e kanë njohur Krishtin të krijojnë një njohje personale me Atë. Ai përmendi numrin e madh të statistikave që flasin për një rritje të numrit të madh të atyre njerëzve që deklarohen ateistë, ose agnostikë në këtë kontinent dhe foli për detyrën që Kisha Orthodhokse në Amerikë ka për të përçuar të vërtetën në këto shtresa të popullsisë.
Ai nxori në pah problematika të ndryshme që lidhen me sfidat që krishterimi ballafaqohet në një shoqëri multifetare dhe etnike siç është ajo e Amerikës dhe nevojën e jashtëzakonshme që kanë njerëzit për të njohur Krishtin. Për më tepër vepra hierapostolike ka edhe një përmasë tjetër që është eskatologjike dhe gjithëpërfshirëse, pasi pranimi i Ungjillit nga njerëzit në botë, do të thotë afrim edhe i Ardhjes së Dytë të Zotit dhe i Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj edhe kjo është një detyrë për të gjithë të krishterët, kudo që ndodhen e jo vetëm e klerikëve ose e atyre që janë thirrur për të bërë vepër hierapostolike, tha midis të tjerave Kryepiskopi Dhimitër në fjalimin e tij.
Gjatë këtij evenimenti, kishte një interesim të madh nga media e krishterë, e cila e mbuloi gjerësisht këtë ngjarje, duke transmetuar dhe botuar shkrime e intervista të të ftuarve të nderit dhe të atyre që zbatuan dhe vunë në jetë këtë projekt.
Dhjak Anastas Bendo
Intervista dhe fotot janë marrë nga http://myocn.net/
|




