Më 27 janar, me një shumicë të konsiderueshme votash, Mitropoliti 62-vjeçar i Smolenskut, Kirilli, u zgjodh Patriarku i 16-të i Moskës dhe i gjithë Rusisë.
    Shërbesa e Fronëzimit u krye më 1 shkurt, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, në Moskë, e rindërtuar madhështore pas shkatërrimit në kohën e Stalinit. Në ceremoni morën pjesë mijëra besimtarë, klerikët e lartë rusë, kryepiskopë e përfaqësues nga Kishat e tjera Orthodhokse, përfaqësues nga Kishat e tjera të Krishtera, politikanë më të lartë të Rusisë dhe të rajonit etj. Kisha jonë u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Kryepiskopi Anastas.
    Patriarku Kirill, me origjinë nga Shën Petërburgu, lindi në një familje klerikësh të përndjekur nga regjimi, gjyshi i tij prift, kaloi shumë kohë në burgjet staliniane. Ai është dalluar për kontributin e tij jo vetëm brenda Kishës Orthodhokse Ruse, por edhe në planin ndërkombëtar, si përfaqësues për shumë dekada në organizmat ndër të krishtera dhe veprimtaritë ndërfetare. Kjo u pasqyrua edhe në përshëndetjet e shumta nga e gjithë bota e krishterë, si nga Papa Benedikti XVI, Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca Evropiane e Kishave etj.
                
*  *  *
 
    Më 2 shkurt 2009, në rezidencën e Patriarkanës u zhvillua takimi i Patriarkut të Shenjtë të Moskës dhe të gjithë Rusisë Kirillit me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasin.
    “Ju përshëndes nga zemra ju dhe delegacionin e Kishës së Shenjtë Shqiptare që ju shoqëron. Për ne është një gëzim i madh pjesëmarrja juaj në fronëzim”, – tha Patriarku i Shenjtë Kirilli. Ai theksoi se me Fortlumturinë e tij Anastasin njihet prej 41 vjetësh. “Gjatë këtyre viteve të gjata, së bashku shumë herë kemi dalë në mbrojtje të Orthodhoksisë dhe kemi dëshmuar përpara botës vlerat tona orthodhokse”, – theksoi Fortlumturia e tij, duke përmendur dhe pjesëmarrjen e përbashkët në zhvillimin e dialogut ndërmjet Kishave Lokale Orthodhokse, në takime të ndryshme mbarëbotërore, dhe gjithashtu në veprimtarinë e Lidhjes Mbarëbotërore të Rinisë Orthodhokse “Sindesmos”.
    “Kur u zhvillua Asambleja Mbarëbotërore e Rinisë Orthodhokse unë pata rastin të vizitoja Kishën Orthodhokse të Shqipërisë”, – nënvizoi Patriarku Kirill.
  Gjatë bisedës Kreu i Kishës Orthodhokse Ruse falënderoi Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasin për pjesëmarrjen e tij në takimin e tetorit të Kryetarëve të Kishave Orthodhokse në Konstandinopojë (Stamboll): “Së bashku me ju në shumicën e gjërave kemi qenë bashkautorë të Mesazhit të Primatëve, i cili u nënshkrua pas diskutimeve të bëra. Për mua ishte një shembull i bekuar i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe në planin personal, dhe në atë të punës”.
    Fortlumturia e tij shprehu besimin se edhe në të ardhmen Kishat  Orthodhokse, ajo Ruse dhe ajo Shqiptare, do të punojnë, “duke mbështetur përpjekjet e shumicës për forcimin dhe ruajtjen e unitetit mbarorthodhoks, që dëshmia orthodhokse të forcohet gjithnjë e më tepër, që përpjekjet baritore dhe misionare të Kishave Orthodhokse të arrijnë një bashkëpunim më të madh”.
    “Unë e di sa e dashur është për ju tema e dëshmisë orthodhokse: Ju keni qenë profesor i apostullimit, keni punuar në Afrikë, – tha Patriarku Kirill. – Misioni është në qendër të vëmendjes sonë.
    Me të vërtetë Kisha sot i drejtohet botës, e cila në më të shumtën e rasteve i ka humbur rrënjët fetare. Kjo është thirrja e Kishave tona”. Gjithashtu Ai i uroi Kreut të Kishës Shqiptare Orthodhokse shëndet dhe fuqi shpirtërore në mbajtjen e kryqit të Primatit të Kishës së Shqipërisë.
    Fortlumturia e tij Anastasi ndër të tjera tha: “Unë jam i gëzuar sërish që po vizitoj tokën ruse, e cila ka lindur kaq shumë shenjtorë, mes të cilëve dhe misionarë të shenjtë”. Gjithashtu ai ndau me Patriarkun Kirill përshtypjet nga vizita në manastirin e Srjetenskit në Moskë, i cili u zhvillua përpara takimit me Kreun e Kishës Orthodhokse Ruse. Gjatë bisedës Fortlumturia e Tij shfaqi vizionin e tij për vazhdimin e konsultimeve mbarorthodhokse pas takimit të tetorit të krerëve të Kishave Orthodhokse në Fanar. “Dhe tani që bota e tërë ndodhet në krizë, dashuria na jep mundësi të gjejmë zgjidhje”, – theksoi Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Në takim morën pjesë edhe klerikë rusë, si dhe anëtarët e delegacionit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
 
Zyra e Shtypit e Patriarkanës së Moskës
Fotot janë marrë nga faqja zyrtare e Patriarkanës së Rusisë dhe delegacioni ynë shqiptar.