Sapo doli në qarkullim numri i parë i revistës periodike “Kërkim”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo do të përfshijë tematika në Teologji, Shkencë, Kulturë dhe Aktualitet. Kjo revistë e përgatitur nga një grup intelektualësh sheh dhe drejtohet drejt objektivit dhe horizontit të përcaktuar mjaft mirë nga parathënia e mëposhtme e saj shkruar nga Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi:
    Karakteristikë kryesore e shoqërisë sonë është kërkimi këmbëngulës dhe i vazhdueshëm në shkencat natyrore, që ka sjellë progres dhe zhvillim të pandalshëm teknologjik. Por kjo ndodh dhe në gjithë shkencat e tjera, për një dije sa më të thellë e objektive dhe për përmirësimin e shoqërisë.
    Në mënyrë paralele, edhe në jetën e krishterë, kërkimi shpirtëror i vazhdueshëm është një kusht parësor thelbësor për një kuptim sa më të plotë, për familjarizimin dhe njohjen me të vërtetën e zbuluar. Në të njëjtën kohë, detyrimi i Kishës, për të transmetuar mesazhin e përjetshëm në këtë vend dhe në të tashmen – pra në vendin konkret ku ndodhet dhe në kohën konkrete të aktivitetit të saj – e bën imperative nevojën për të studiuar vazhdimisht kushtet e reja të krijuara si në rrafshin lokal ashtu edhe në atë global. Fjala theologjike e përgjegjshme dhe dinamike mbështetet te kërkimi. Një Kishë e gjallë ka nevojë për një studim dhe thellim sistematik si në fjalën e përjetshme të Perëndisë së pafund, ashtu dhe në problemet e reja që përjetohen në botën kalimtare.
    Ky botim periodik, i quajtur “Kërkim”, parashikohet të qarkullojë çdo katër muaj (janar, në festat e dymbëdhjetëditëshit; maj, në periudhën paskale; shtator, në fillim të vitit të ri kishtar dhe shkollor) e ka si qëllim të mirëpresë: studime, artikuj, informacione, dokumente, tekste me një interes të gjerë fetar, shoqëror, shkencor. Do të kërkojë të çelë vazhdimisht horizonte për lexuesin dhe ta ndihmojë në një informim sa më të gjerë në çështje që shqetësojnë shoqërinë dhe në përgjithësi botën e sotme, që ndodhet në një kërkim të vazhdueshëm.