Përfundoi takimet Asambleja e 13-të e Konferencës Evropiane të Kishave, e cila u mbajt në Lion, Francë në datat 15-21 korrik 2009. Kjo Asamble mblodhi rreth saj rreth 306 delegatë nga kisha të krishtera nga e gjithë Evropa. Një delegacion prej pesë anëtarësh i Kishës sonë, drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, zëvendëspresident i KEK, mori pjesë në këtë Asamble.
    Veprimtaria çelëse u mbajt në kishën historike të Shën Bonaventurës, ku ishin mbledhur të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kardinali Romanokatolik Filip Barbain, arqipeshkëv i Lionit dhe Atë Athanase Iskos, përfaqësues i Këshillit Lokal të Kishave (CREL). Predikimin me temë “Të thirrur në një shpresë më Krishtin”, me të cilën u hap veprimtaria, e mbajti Zëvendëspresidenti i Konferencës Evropiane të Kishave, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi.
    Pas kësaj veprimtarie, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në Qendrën Ndërkombëtare të Kongreseve, ku edhe u çelën punimet plenare. Përshëndetjet zyrtare për fillimet e kësaj asambleje u përcollën nga Senatori bashkiak i Lionit, Z. Gérard Collomb.
    Dita e Shpresës dhe dita e Vizionit, ishin tematika të lutjeve, diskutimeve në grup dhe forumeve, pjesë e aktivitetit të Asamblesë.
    Data 16 korrik i filloi punimet e saj me lutjen sipas traditës orthodhokse. Më pas seanca plenare vazhdoi me një prezantim të aktiviteteve të KEK me temë “Nga Trondheim në Lyon”.
    Gjatë mesditës diskutimet vazhdonin në forume të ndryshme, për tu mbledhur përsëri në seancën pasdite në seancë plenare. Folësi kryesor në seancën e pasdites së 16 korrikut ishte Patriarku i Kishës Orthodhokse të Rumanisë, Fortlumturia i Tij Danieli. Ai bëri një prezantim të temës kryesore të Asamblesë “Të thirrur në një shpresë më Krishtin”. Punimet e datës 16 korrik, ditës së Shpresës, u mbyllën me propozimet nga Komiteti i Çështjeve Publike, si edhe me draftin e parë të mesazhit të Asamblesë, paraqitur nga Komiteti i Mesazhit.
    Dita e Vizionit filloi me lutjet sipas traditës protestante, e cila u pasua me studimin biblik drejtuar nga Episkopi Wolfgang Huber, Kryetar i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani (EKD). Seancat më pas vazhduan me refleksionet në grupe të vogla, me prezantimin e takimit përpara Asamblesë nga Delegatët e rinj. Nga komiteti i emërimeve u paraqit raporti i parë i punës së bërë, i cili u pasua nga puna në grupe me diskutimet me temë: Duke parë drejt 2029 dhe Vizioni i KEK pas 2029.
    Në takimet konfensionale përfaqësuesit e lartë të kishave theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë Asamble, si edhe rolin që duhet të luajë çdo kishë në vizionin dhe organizimin e KEK, e parë si një organizëm shumë i rëndësishëm në Evropë.
    E shtuna, data 18 korrik, iu dedikua prioriteteve të punës së KEK gjatë viteve 2009-2015. Kjo ditë nisi me lutje sipas traditës anglikane dhe më pas vazhdoi me seancën mbi këtë temë, me një panel të ftuarish, njerëz të cilët prezantuan prioritetet e punës së KEK.
    Diskutimet në grup, të cilat vazhduan gjatë mesditës u përqendruan në tema si: Dialogu më Institucionet Evropiane, Një drejtësi sociale në Evropë, Të Drejtat njerëzore dhe liria e feve, Globalizmi, Misioni, Spiritualiteti, Shpresë për drejtësi – të mbrojmë refugjatët në Evropë në shekullin 21, Dëshmi dhe përgjegjësi, Vendi i KEK në Lëvizjen Ekumenike dhe KEK si një platformë për dialog me Kishat e tjera të krishtera dhe komunitete të tjera fetare.
    Rezultatet e punës në grup me temat e lartpërmendura u afishuan për të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë në vendin e prezantimeve.
    Kjo Asamble në axhendën e saj kishte edhe zgjedhjen e Këshillit të ri Qendror, i cili do të vazhdojë punën për gjashtë vitet e ardhshme. Në seancën e pasdites  u prezantuan emrat nga  komiteti i emërimeve. Komiteti i mesazhit dhe komiteti i çështjeve publike prezantuan gjithashtu punën e tyre.
    Nga prefektura e Lionit ishte organizuar një  pritje për të  gjithë  pjesëmarrësit e Asamblesë në Këshillin e përgjithshëm të Rhône. Gjatë saj përshëndeti prefekti, presidenti i KEK etj. I pranishëm në pritje ishte dhe Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu.
    Shërbesat e së Dielës u kryen në kishat lokale të Lionit, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të takoheshin me njerëzit e këtyre komuniteteve. Vizita në qytet përfundoi veprimtarinë e së dielës, për t’iu rikthyer seancave të Asamblesë dhe për të festuar së bashku 50-vjetorin e formimit të KEK. Kjo veprimtari ishte organizuar në formën e një historiku me të ftuar, njerëz të cilët kishin vënë fuqitë dhe punën e tyre në fillimet e krijimit të Konferencës Evropiane të Kishave. Për të festuar këtë përvjetor i pranishëm ishte edhe Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik Vartholomeu, i cili në fjalën e tij shprehu përgëzimet e punës së bërë nga KEK deri tani. Në mbyllje të  kësaj feste, nga zyra qendrore e Asamblesë u organizua një  pritje në hollin Qendrës Ndërkombëtare të Kongreseve.
    Data 20 ishte dita e marrjes së vendimeve, e cila filloi me lutjen sipas traditës armene. Seanca plenare vazhdoi me raportimet e komiteteve të ndryshme, si edhe me zgjedhjet e këshillit qendror të KEK. Asambleja përfundoi takimin plenar me raportimet finale për vendimet e mara. Komiteti i Mesazhit prezantoi mesazhin final me të cilin doli kjo Asamble, mesazh i cili u aprovua nga të gjithë pjesëmarrësit.
    Asambleja i mbylli punimet e saj me takimin e Këshillit të ri Qendror të KEK dalë nga kjo asamble, ku Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përfaqësohet me një anëtar. Asambleja formoi gjithashtu edhe një grup pune i cili do të ketë si prioritet punën mbi rishikimin e veprimtarisë së KEK. Edhe në këtë grup pune Kisha jonë u përfaqësua nga një anëtar.
     Delegacioni i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë mbështet dhe përkrah punën e bërë nga KEK gjatë këtyre viteve, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm.