Në 20 janar 1994 Komiteti Drejtues i Këshillit Botëror të Kishave, në seancën plenare të ditës së parë, votoi unanimisht për pranimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në KBK (WCC).

    “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, theksoi në përshëndetjen e tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka qenë e angazhuar në Lëvizjen Ekumenike që përpara Luftës II Botërore dhe po të mos e kishte ndërprerë këtë lidhje persekutimi ateist komunist, me siguri ajo do të kishte qenë ndër themeluesit e Këshillit Botëror të Kishave më 1948.”

    Pasi foli për gjendjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepiskopi Anastas theksoi, gjithashtu, faktin se, pavarësisht se është një ndër kishat më të varfra të Këshillit Botëror të Kishave, KOASH është me të vërtetë Kisha e Ngjalljes, që përbën një faktor të përhershëm bashkëpunimi harmonik, pajtimi dhe paqeje, me pjesëmarrje të gjallë në shqetësimet sociale, për ndërtimin në Shqipëri të një shoqërie të drejtësisë, të lirisë dhe dashurisë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë po bën të gjitha përpjekjet e mundshme të bashkekzistencës paqësore të komuniteteve fetare në rajonin e trazuar të Ballkanit dhe merr pjesë gjallërisht në dialogun ndërfetar botëror.
 

    – Komiteti Drejtues i KBK i zhvilloi punimet nga 20-28 janar 1994 në Qendrën Konferenciale “Eskom” midis qyteteve Johanesburg dhe Pretoria.
                                                                                     *   *   *                                                                                             
    Rev. Dr. Konrad Raiser ish-Sekretar i Përgjithshëm, i Këshillit Botëror të Kishave, i zgjedhur në këtë post në gusht 1992, gjatë punimeve të Komitetit Drejtues të KBK (WCC) në Johanesburg, dha një intervistë, ku ndër të tjera tha:
   
    “Çfarë është për familjen e madhe Ekumenike anëtarësimi në të i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?

    – Para së gjithash, ky anëtarësim është për ne një rast gëzimi dhe falënderimi, sepse, ashtu siç tha Kryepiskopi Anastas në përshëndetjen pas vendimit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të kishte qenë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave po të mos ish penguar nga situatat politike. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë qe e angazhuar në punimet e lëvizjes “Besim dhe Rend” para themelimit të Këshillit Botëror të Kishave. Fakti se një Kishë e cila kishte rrënjë dhe lidhje kaq të hershme me Lëvizjen Ekumenike mund të anëtarësohet me të drejta të plota, është për ne një shenjë, një burim gëzimi dhe falënderimi.

    Ky anëtarësim do të thotë se tashmë Kisha juaj mund të marrë pjesë plotësisht dhe mund të hyjë në mbështetjen e ndërsjellë dhe ndarjen e burimeve që karakterizon punën e Këshillit Botëror të Kishave. Mendoj se nuk do të ndryshojnë ndjeshëm marrëdhëniet që kemi me ju në mënyra të ndryshme, sepse edhe përpara këtij vendimi marrëdhëniet e Këshillit Botëror të Kishave me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë qenë njësoj sikur qe anëtare e rregullt.”