Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Krishtlindje 2009

Krishti, Drita e botës

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

 

 

 

 

     Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë

     Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, i cili vjen në botë” (Joan 1:9)

 

     Fjala “ishte drita e vërtetë, ajo që ndriçon çdo njeri i cili vjen në botë”. Në Krishtlindje kremtojmë këtë ngjarje tronditëse, e cila prek mbarë njerëzimin. Kjo e kremte e sotme e shkëlqyer, na fal siguri të tërëndritshme dhe shpresë që nuk zhgënjen.

     Në Lindjen e Krishtit, siç psal Kisha jonë, “drita prej dritës, që parashkëlqeu para çdo kohe, në kohë u shfaq në mish në ata që ishin mbi tokë dhe botën e ndriçoi” (Lutjesorja, ting. I, Mëngjesorja e së Enjtes).

     Jisu Krishti, Fjala e mishëruar e Perëndisë, pa perifrazime, në mënyrë të përsëritur dhe publike, shpalli: “Unë jam drita e botës” (Jn. 8:12, 9:4). Një dritë që lidhet drejtpërsëdrejti me jetën: “ai që më ndjek mua, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Jn. 8:12).

     Pas Kryqëzimit dhe Ngjalljes së Tij, gjithësia mbushet plotpërplot me dritë. Dhe kur historia e shpëtimit të njerëzve arrin në fundin e saj, në krijesën e re, drita do të jetë vetë Biri dhe Fjala e Perëndisë! (Zb. 21:23). Në këtë mënyrë, nga drita natyrale, që në jetën e përkohshme kombinohet me errësirën e natës, do të shkojmë përfundimisht drejt dritës që nuk perëndon, që është vetë Perëndia.

     Natyra e dritës gjendet gjithnjë në epiqendër të kërkimit njerëzor dhe lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin shkencor. Pasuria e re e njohurive në lidhje me dritën natyrale, “të krijuar”, i zgjeron edhe më tej simbolizmat për ndikimet e mahnitshme të dritës shpirtërore në botë.

     Drita e botës, Jisu Krishti, shfaqet e njohur dhe familjare, sikundër edhe drita natyrale. Por, në të njëjtën kohë, mbetet e paafrueshme dhe e pakonceptueshme për sa i takon esencës së saj. Perëndia quhet dritë sipas energjive të Tij, të cilat bëhen të kapshme për njerëzit dhe janë të kungueshme. Ndërsa esenca e Perëndisë është e panjohur dhe e pakungueshme për njerëzit (Shën Grigor Pallamai).

     Drita e Fjalës është dhuratë hyjnore, që i falet çdo njeriu gjatë lindjes së tij. Shën Kirilli i Aleksandrisë qartëson se “Fjala e Perëndisë ndriçon… vendos farë urtësie, pra perëndinjohjeje, në çdo njeri që vjen në jetë dhe mbjell brenda tij rrënjën e mençurisë”. Pra, do të guxonim të formulonim se në ndërgjegjen e çdo njeriu ekziston një foton nga drita e Krishtit, edhe sikur të jetë errësuar nga injoranca dhe indiferentizmi. Çdo gjë fisnike dhe e vërtetë në mendim, në sjellje, në jetën fetare të njerëzve është reflektim nga drita e Birit dhe Fjalës së Perëndisë.

     Sigurisht, kanë ekzistuar shumë raste me re të dendura arrogance, pabesie, urrejtjesh dhe net të errëta të interesave të paligjshme, të cilat u përpoqën ta pengonin dritën e Ungjillit të shkëlqejë në botë.

    Por edhe në këto periudha me re të errëta, drita e përshkon mistikisht atmosferën me mënyra të ndryshme. Shumëformësia e depërtimeve të dritës natyrale, siç e konstaton dhe shkenca bashkëkohore, nxit mendimin tonë për t’u ndërgjegjësuar për depërtimet mistike të dritës së Krishtit në ecurinë e njerëzimit, por edhe të jetës sonë personale, në rastet e tundimeve të shumëllojta dhe impakteve të errëta.

 

*        *        *

 

      Krishti, duke qenë Ai vetë drita e vërtetë, i ftoi nxënësit e Tij të bëhen edhe ata vetë dritë brenda botës: “Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë atin tuaj që është në qiejt” (Matth. 5:16). Ai e lidh shkëlqimin e dritës jo me gjendje ekstaze, të tipit neoplatonik ose indian, por me veprat e mira. Duke përthithur dhe shpërndarë pareshtur dritën e Krishtit, çdo besimtar ftohet të shprehë besimin e tij me vepra shërbese ndaj të gjithëve, pa bërë përjashtim. Pothuajse të gjitha iniciativat humanitare dhe strukturat që u zhvilluan kudo qoftë, për të lehtësuar dhimbjen, të qenit jetim, varfërinë, pleqërinë, të qenit i huaj, vetminë e kanë origjinën nga njerëz të ndriçuar -direkt ose indirekt- nga drita e Krishtit. Këtë traditë duhet ta vazhdojmë edhe ne, me ide krijuese, iniciativa bujare dhe veprimtari të larmishme.

      Ngjyra e bardhë e dritës, në shikim të parë, siç dihet, është sintezë e shtatë ngjyrave të ndryshme. Drita e kungueshme e Krishtit, në jetën personale e sociale, shpërhapet me ngjyrime të shumëllojta. Nga ky spektër i dritës, ne të krishterët “si bij të dritës”, ftohemi të shfaqim sa më shumë ngjyrime që është e mundur:

      Dritë paqeje, me veten tonë, me mjedisin që na rrethon dhe mbarë botën;

      Dritë të vërtetë, për kuptimin e shkakut më të thellë të korrupsionit dhe të krizës shumëformëshe;

      Dritë drejtësie, në përpjekjet shoqërore në nivel lokal e global;

      Dritë fryme krijuese, që inkurajon mendimin origjinal, shkencat, artet, qytetërimin;

      Dritë shprese, që fuqizon reciprocitetin e të gjithë popujve për shpëtimin e planetit;

      Dritë dashurie, me vepra, pa interes dhe me sinqeritet ndaj çdo njeriu;

      Dritë besimi që nuk perëndon, e cila çon në kapërcimin final të mëkatit, të prishjes dhe të vdekjes, me fuqinë e Kryqit dhe Ngjalljes së Krishtit.

      “Ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, i cili vjen në botë”.

      Le të hapen tejpërtej zemrat tona gjatë këtyre ditëve festive, që të depërtojë në thellësitë e qenies sonë Biri i mishëruar dhe Fjala e Perëndisë, “Drita e vërtetë”. Të ndriçojë mendimet tona, vendimet dhe veprimet tona. Që të gjallërojë qenien tonë. Le të urojmë që të mbështesë dhe të fuqizojë jetën e të dashurve tanë dhe të gjithë njerëzve. Dhe le të lutemi që drita e Krishtit të drejtojë ecurinë e botës.

      Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri 2010 qoftë i tëri i ndriçuar!

 

 

Me lutje të zjarrta te Perëndia

†Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë