Nga 9 deri në 17 dhjetor 2009 zhvilloi punimet në Qendrën Orthodhokse të Patrikanës Ekumenike në Chambésy (Gjenevë) Komisioni Parapërgatitor Ndërorthodhoks i Sinodit të Madh të Shenjtë të Kishës Orthodhokse nën drejtimin e Hirësisë së Tij Mitropolitit të Pergamit z. Joan dhe sekretar Hirësinë e Tij, Mitropolitin e Zvicrës z. Jeremia. Kisha jonë u përfaqësua nga Hirësia e Tij Mitropoliti i Gjirokastrës z. Dhimitër (anëtar) dhe teologu z. Pirro Kondili (konsulent). Programi parashikonte diskutimin e tri çështjeve themelore për Kishën Orthodhokse, si autoqefalia dhe dhënia e saj, autonomia dhe dhënia e saj dhe diptikët.
Për arsye kohe u diskutuan vetëm dy çështjet e para, ndërsa ajo e diptikëve, së bashku me detajet që mund të rezultojnë në vazhdim prej dy të parave, u përcollën për shqyrtim në Komisionin e radhës. Vlen të theksohet se çdo marrëveshje që arrihet në punimet e këtij lloji kërkojnë unanimitet të plotë të të gjitha Kishave, prandaj dhe u konsiderua sukses miratimi i tekstit që përshkruan mënyrën e shpalljes së autoqefalisë së një Kishe vendore, e cila përbush kriteret e nevojshme: Duke shprehur miratimin e Kishës – mëmë dhe konsensusin mbarëorthodhoks, Patriku Ekumenik shpall zyrtarisht autoqefalinë e Kishës që e kërkon atë nëpërmjet lëshimit të Tomosit të Autoqefalisë. Tomosi nënshkruhet prej Patrikut Ekumenik, me bashkëdëshmitarë nëpërmjet nënshkrimi të tyre Fortlumturitë e Tyre Primatët e Kishave fort të shenjta Orthodhokse, të cilët ftohen për këtë qëllim prej Patrikut Ekumenik. Po ashtu u konsiderua përparim i dukshëm edhe hartimi dhe miratimi unanim i tekstit final të autonomisë dhe mënyrës së shpalljes së saj.
Me gjithë vështirësitë që karakterizojnë veprimtari të tilla, ajo që mbizotëroi ishte klima e mirëkuptimit dhe e dëshirës së mirë të të gjitha Kishave për të shkuar sa më parë drejt të shumëpriturit Sinod të Madh të Shenjtë të Orthodhoksëve, i cili do të fuqizojë unitetin e tyre e do të hapë një faqe të re në historinë moderne të orthodhoksisë së përbotshme.
Pirro Kondili