Natën midis 18 dhe 19 nëntorit, është vjedhur kisha monument Fjetja e Hyjlindëses Mari, në Leusë, Përmet, Mitropolia e Gjirokastrës. Grabitësit kanë shpërthyer derën dhe më pas kanë zhveshur ikonostasin e saj me famë për vlerat e rralla nga pjesët e gdhendura.
 
    Pas konstatimit të vjedhjes, në vendngjarje kanë shkuar forcat e specializuara të policisë, që po kryejnë hetimet e rastit. Por shqetësimi për cënimin e këtyre veprave të papërsëritshme dhe mosgjetjen e autorëve është mjaft i madh, duke parë se autorët e grabitjeve të mëparshëm në këto zona nuk janë gjetur (kujtojmë se vetëm kisha e Bënjës është vjedhur tri herë gjatë vitit 2009).
 
    Ky ikonostas konsiderohej si një kryevepër e arteve të aplikuara në objektet e kultit të vendit tonë dhe datonte vitin 1817. Ndërsa afreskimi i kishës është bërë në vitin 1812, ndërsa besohet se ndërtimi fillestar i saj është më i hershëm dhe se ka pësuar rikonstruksione në vite.
 
    Në vitet 1999-2000, kjo kishë ishte konsoliduar, pasi paraqiste rrezik rrëshqitjeje dhe është rikonstruktuar tërësisht, si strukturë dhe afresket, me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas.
 
 
 
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë