Ditën e enjte, 22 tetor, në mjediset e hotel “Tirana International”, u bë ceremonia e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.  Krijimi i këtij këshilli u mbështet nga “Konferenca Botërore Fetë për Paqen” (Kryepiskopi Anastas është President nderi i këtij organizmi) dhe e ka fillesën që nga viti 2005, ndërsa në vitin 2007 u regjistrua si organizëm.
    Bashkëthemelues të tij janë krerët e të katër komuniteteve fetare tradicionale: Hirësia e Tij, Haxhi Selim Muça, Fortlumturia e Tij Anastasi, Imzot Rrok Mirdita dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi.
    Veprimtarinë e çeli sekretari i KNFSH, z. Genard Hajdini, dhe më pas përshëndeti Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i cili theksoi ndër të tjera se “…Kjo është vlera jonë e përbashkët dhe ky është virtyti ynë i rrallë, të cilin jo vetëm do ta eksportojmë kudo që të mundemi, por do ta ndajmë me shumë dëshirë me vendet dhe popujt e tjerë anembanë globit. Prandaj edhe jam sot këtu, jo vetëm për të kremtuar hapjen e një Këshilli kaq të nevojshëm e të dobishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërfetare në vendin tonë, por edhe për t’ju siguruar rreth mbështetjes së palëkundur personale e institucionale gjatë ndërmarrjes suaj kaq të vlefshme e të rëndësishme në shërbim të paqes, mirësisë, tolerancës, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”. Pastaj përshëndetën kryetarët e të katër komuniteteve fetare tradicionale. Temën kryesore të takimit e mbajti Prof Dr. Joseph Ellull, nga Malta.
 
    Më pas, veprimtarinë e përshëndeti Episkop Gunnar Stolset, nga Norvegjia, ish-anëtar i komisionit të Çmimit Nobel për paqen, bashkëthemelues dhe moderator të Këshillit Evropian të Liderëve Fetarë, në kuadrin e Konferencës Botërore Fetë për Paqen.
    Në fund u shfaq edhe një filmim i shkurtër për themelimin dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

 

Thoma Dhima

 Për më tepër informacion:   http://www.rfp-europe.eu/index.cfm?id=264191