Takimi i parë zyrtar historik i Kryepiskopit Anastas me Papën Benedikti XVI Vatikan, 4 dhjetor 2009
|
|
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, po zhvillon nga 3-8 dhjetor, një vizitë zyrtare në Vatikan, me ftesë nga Papa Benedikti XVI.
Kryepiskopi Anastas shoqërohet nga: Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani; Episkopi i Apollonisë, Hirësia e Tij Nikolla, Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni; Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka dhe dhjakon Anastas Bendo.
Paraditen e ditës së sotme, 4 dhjetor, u bë takimi i parë zyrtar historik i Kryepiskopit Anastas me Papën Benedikti XVI.
Papa tha se ishte i gëzuar t’i uronte mirëseardhjen Fortlumturisë së Tij dhe përfaqësuesve të lartë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që e shoqëronin.
Papa kujtoi me admirim shembullin e të krishterëve shqiptarë që e mbajtën gjallë besimin e tyre edhe në vitet e represionit komunist, duke nënvizuar, se krishterimi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Ai theksoi se “Marrëdhëniet vëllazërore midis katolikëve dhe orthodhoksëve janë frymëzim për gjithë popullin shqiptar, dhe dëshmojnë se është e mundur për të krishterët që të jetojnë në harmoni…”
Papa Benedikti XVI vlerësoi lart kontributin e Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës në Shqipëri, duke e quajtur “një lëvizje rinovimi, që Fortlumturia Juaj e quan me të drejtë Ngjallja (shqip në origjinal)”
Pastaj Papa vuri në dukje kontributin e Kryepiskopit Anastas dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në dialogun ndërkombëtar katoliko-orthodhoks. Ai gjithashtu kujtoi dy nisma të rëndësishme: Krijimin e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale dhe të Komitetit për marrëdhëniet ndërfetare, që është i vlefshëm edhe për dialogun me besimet e tjera.
Kryepiskopi Anastas nga ana e tij e quajti takimin një ngjarje historike, sepse për herë të parë një përfaqësi zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë bën vizitë në Kishën e Romës, duke nënvizuar se bota e sotme ka nevojë për një afrim të ri midis të krishterëve, sepse dialogu teologjik dhe pajtimi janë një detyrë themelore për të gjithë udhëheqësit e Kishave.
Kryepiskopi Anastas bëri edhe një përshkrim të persekutimit dhe ringritjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Në ditët në vazhdim Kryepiskopi Anastas dhe përfaqësia që e shoqëron do të bëjnë vizita në institucione dhe vende kulti të Vatikanit dhe do të ketë takime të rëndësishme.
Ndërsa në datën 9 dhjetor, Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, do t’i dorëzohet në Napoli titulli Doktor Honoris Causa në Teologji, për kontributin e gjatë dhe intensiv shkencor, misionar dhe baritor, nga Universiteti Pontifikal i Italisë Meridionale.
Gjithashtu, Fortlumturia e Tij është ftuar nga Kryekancelari i këtij fakulteti, Arqipeshkvi i Napolit, Kardinal Kreshenzio Sepe, që të mbajë fjalën kryesore Lectio Magistralis të hapjes zyrtare të vitit të ri akademik, në Aula Magna të seksionit “San Tomaso”.
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë