Qendra Studentore fillon aktivitetet me sloganin: “Kjo është rruga, ecni në të!”
 
    Fillimi i vitit Akademik 2009-2010 shënoi edhe fillimin e aktiviteteve dhe shërbimeve që Kisha jonë ofron nëpërmjet Qendrës Studentore të Kishës Orthodhokse pranë Qytetit Studenti.
    Lutja e falënderimit të ditës së mërkurë dhe diskutimi në grupe të vogla mbi reflektimin e jetës sonë për muajt e verës do të hapte aktivitetet e Qendrës Studentore.
    Dita e enjte mblodhi sërish studentët për një diskutim më të gjerë në lidhje me temën e përgjithshme të këtij viti Akademik: “Kjo është rruga, ecni në të”. Diskutimi u bazua në vargjet biblike në lidhje me rrugën në të cilën Zoti na ka thirrur të ecim. Secili prej studentëve pjesëmarrës zgjodhi tre prej vargjeve biblike dhe ofroi përjetimin e tij personal në lidhje me to.
    Ndërsa e shtuna u organizua në formën e një grupi pune me temën: “Rigjallëro zellin”. Kjo punë në grup filloi në mëngjesin e së shtunës me lutje në të cilin merrnin pjesë 30 studentë. Pas mëngjesit studentët u bënë pjesë e aktivitetit të njohim njëri-tjetrin, i cili u pasua nga referati i drejtuar nga bashkëpunëtorja Pamela Barsdale, me temën “Rigjallëro zellin”, i mbështetur në mësimet e shën Theofan oshënarit. Pas drekës, studentët ndoqën me shumë interes dëshminë personale të z. Kristo Dingo, i cili prej 6 muajsh është diagnostikuar me kancer.
    Z. Kristo dëshmoi para të rinjve besimin e tij te Krishti dhe theksoi se tashmë është koha të përgatitemi për përjetësinë e të marrim seriozisht jetën dhe përgjegjësitë që kemi. Studimi biblik: “Të ecim me Krishtin në udhën e Kryqit”, i cili u organizua në grupe të vogla mbylli programin e ditës së shtunë. Pas këtij fillimi të bekuar, Qendra Studentore vazhdon aktivitetet e saj javore:
     Çdo të martë – referate të ndryshme shpirtërore dhe sociale;
     Çdo të mërkurë – Lutje dhe studim biblik;
     Çdo të enjte – Mësojmë mbi Misteret e Kishës sonë.
    Gjithashtu Qendra Studentore ofron në shërbim të studentëve materiale shpirtërore dhe sociale, sallë studimi me bibliotekë të pasur, mësime për pagëzim, kurse kompjuteri për formimin bazë si dhe sallë kompjuteri për përgatitjen e detyrave. Shumë aktivitete të tjera do të pasojnë në muajt e ardhshëm. Ftohen të gjithë studentët të bëhen pjesë e aktiviteteve dhe shërbimeve që Kisha jonë ofron nëpërmjet Qendrës Studentore me qëllim që të gjithë së bashku si komunitet të udhëtojmë në gjurmët e Krishtit dhe të përjetojmë gëzimin e jetës.
Ana Baba