|
Foto nga: Mano Kritsotaki |
Në vijim të vizitës së tij paqësore dhe zyrtare në Shqipëri, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori i II ka parë nga afër institucione dhe departamente të ndryshme shërbimi të Kishës sonë, themeluar dhe ndërtuar me iniciativë dhe fonde të mbledhura nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi.
Kështu, dy Primatët vizituan Kompleksin Polifunksional “Nazaret”, ku ndodhet punishtja e qirinjve, studio ikonografike, përpunim dhe gdhendje druri dhe shtypshkronja “Ngjallja”. Në vazhdim, Patriarku Theodhor do të vizitonte edhe Institutin e Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, që tashmë, pas dhjetë vjetësh eksperiencë pedagogjike, sipas një dëshire të hershme të Kryepiskopit Anastas, do të shndërrohet në Universitetin Jo-Publik “Logos” me programe studimore të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe me nivel të njehsuar me Shkollat e Larta, që njihen zyrtarisht nga shteti dhe funksionojnë në Shqipëri.
Vizita e Patriarkut, do të shënonte stacionin e radhës në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, ku do të zhvillohej një aktivitet jubilar me rastin e 10 vjetorit të funksionimit të kësaj klinike. Në këtë aktivitet, Patriarku Theodhor dhe delegacioni që e shoqëronte do të njiheshin me statistika të sakta mbi numrin e vizitave, specialitetet dhe aparaturat moderne që dispononte klinika, si dhe planet dhe objektivat për të ardhmen.
Patriarku Theodhor do të shprehte habinë e tij për ato çka kishte parë këto ditë në Shqipëri, si edhe për nivelin e lartë të shërbimit që ofrohej në Klinikën “Ungjillëzimi”. Ai theksoi se edhe gjatë vizitës së tij paqësore, po vazhdonte të mësonte prej veprës së Kryepiskopit Anastas, madje kishte porositur shoqëruesit e tij të mbanin shënime të veçanta, që të merrnin eksperiencë dhe të mund të aplikonin edhe në Afrikë shërbime dhe ndihmesa të ngjashme. “Kryepiskopi Anastas,-nënvizoi Patriarku,- e di se njeriu nuk është vetëm shpirt dhe lutje, por edhe mish dhe trup dhe këtë e tregon edhe me kujdesin e tij social dhe shëndetësor që ka organizuar në Shqipëri. Ju përgëzoj për përparimin dhe punën e mrekullueshme”.
Kryepiskopi Anastas në fjalën e tij falenderoi Patriarkun Theodhor për fjalët e tij të mira dhe vlerësimin e lartë dhe vijoi se suksesi nuk i dedikohet vetëm një personi, por të gjithë ekipit që punon me dashuri dhe përkushtim. Ai vuri në dijeni vizitorët e lartë se përballë Qendrës Diagnostike, në një ndërtesë të blerë posaçërisht do të hapet së shpejti një klinikë okulistike moderne, si një sfidë e re për dhjetëveçarin e ardhshëm që po fillon në departamentin e shëndetësisë së Kishës.
Vlen të theksojmë se në Polilklinikën Orthodhokse, që prej kohës kur u inaugura nga Patriarku Ekumenik, Vartholomeu I, në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, e deri më sot janë kryer mbi 900.000 vizita, analiza dhe ekzaminime të ndryshme mjekësore .
Më pas, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori II, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u nis drejt qytetit të Korçës. Aty do t’i rezervohej një pritje madhështore, e denjë për një qytet me kulturë dhe tradita të lashta orthodhokse. Sheshi para Katedrales ishte mbushur plot me njerëz dhe të rinjtë vallëzonin nën tingujt e gëzueshëm të muzikës tradicionale korçare.
Pritja zyrtare që iu rezervua Patriarkut aleksandrian kulmoi me dhoksologjinë që u psal në Kishën Katedrale të “Ngjalljes së Krishtit”. Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani i uroi mirëseardhjen Patriarkut në qytetin e Korçës dhe theksoi se ardhja e tij përbënte një ngjarje historike, pasi për herë të parë në historinë e të gjithë Kishës, Patriarku i Aleksandrisë viziton vendin tonë dhe qytetin e Korçës. Mitropoliti i Korçës përmendi faktin se Patriarku i Aleksandrisë sjell me vete dhe historinë e lavdishme dhe ndriçimin e Fronit aleksandrian, si dhe të Patriarkëve të Mëdhenj të Aleksandrisë, Athanasit të Madh, Kirillit, Joan Përdëllimtarit që mbeten mësues të përjetshëm të teologjisë dhe të vërtetës orthodhokse. Ai iu drejtua edhe Kryepiskopit Anastas: “Ju faleminderit Fortlumturi që sollët në qytetin tonë Patriarkun e Aleksandrisë dhe sinodhinë e tij të nderuar. Ju faleminderit Fortlumturi që zgjodhët të festonit 80 vjetorin e lindjes suaj së bashku me ne. Ju e dini që Korça ju do dhe ju vlerëson shumë për të gjithë punën tuaj për ngjalljen e Kishës sonë, sepse ne ishim të vdekur shpirtërisht dhe ju na dhatë jetë përsëri më Krishtin”.
Patriarku Theodhor në përshëndetjen e tij falenderoi Mitropolitin Joan për pritjen mbresëlënëse që kishte organizuar, si dhe gjithë qytetarët e Korçës. “Mësuesi im, Kryepiskopi Anastas,-vijoi Patriaku,-më tha se në Korçë ndihet si në atdheun e tij. Për këtë arsye ai ka një kujdes dhe dashuri të veçantë për ju. Prandaj ju ka caktuar edhe një Mitropolit të ri dhe energjik, vëllain tim shumë të dashur më Krishtin, Imzot Joanin. Ai është biri juaj, nga Shqipëria, që flet me ju në gjuhën tuaj, që ju kupton shumë mirë hallet dhe brengat tuaja dhe që përpiqet me gjithë shpirt për t’ju ndihmuar dhe udhëzuar për shpëtimin tuaj, të bijve shpirtërorë që i ka besuar Perëndia. Në Kishën Orthodhokse bindja ndaj Episkopit është rregull thelbësor për suksesin dhe përparimin shpirtëror. Ju këshilloj që t’i qëndroni afër Mitropolit tuaj dhe t’i bindeni atij në çdo gjë, ashtu siç këshillojnë Etërit e Kishës, që të keni gjithmonë hirin dhe bekimin e Perëndisë”.
Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Imzot Theodhori II do të qëndrojë edhe ditën e mërkurë në qytetin e Korçës. Në katedralen e qytetit do të kryhet edhe bashkëmeshim Patriarkal dhe Sinodial me pjesëmarrjen e dy Primatëve. Më pas Patriarku do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh zyrtare që janë organizuar për nder të vizitës së tij paqësore në Shqipëri.