Shën Nikolla ose shën Kolli është një ndër shenjtorët më të nderuar e popullorë në të gjitha enoritë e Kishës sonë të Shenjtë Orthodhokse. Për nder të këtij shenjtori, i shquar për mbrojtjen e besimit të vërtetë dhe bamirësitë e lumëruara, shumë kisha në vendin tonë kanë qenë ndërtuar, janë rikonstruktuar ose janë ndërtuar të reja, duke mbajtur emrin e tij. Më 6 dhjetor, në ditën e kremtimit të shenjtit të lavdëruar Nikollë, në kishat e tij erdhën qindra e mijëra besimtarë.
 
    Shërbesat kishtare filluan në mbrëmjen e 5 dhjetorit. Në dy kisha të njohura që mbajnë emrin e tij në Mitropolinë e Tiranës, pikërisht në Elbasan dhe në Kavajë, besimtarë të shumtë të të gjitha moshave qëndruan deri në orët e vona, duke kërkuar mëshirën e Perëndisë përmes lutjeve të shenjtorit. Mëngjesi dhe dita e re sollën një mori besimtarësh nga qytetet dhe rrethina e tyre. Mbarë orthodhoksët me gojë e zemër i kënduan himne lavdërimi shën Nikollës, shenjtit të tyre të dashur për shpëtimin e shpirtrave dhe begatinë e jetës së tyre. Ka qenë traditë, e cila vazhdon të mbahet edhe në ditët e sotme, që pas Liturgjisë Hyjnore, orthodhoksët e këtyre zonave vizitojnë e urojnë në ambientet familjare miqtë dhe të afërmit që kanë emrin Nikolla, emrin e shenjtit.
 
*    *    *
 
    Në Mitropolinë e Beratit, festa u përqëndrua në fshatin Poro të Vlorës, kisha e të cilit mban emrin e shën Nikollës. Për besimtarët e Poros gëzimi ishte i dyfishtë, pasi këtë të kremte ata e festuan në kishën e re, e rikonstruktuar tërësisht, me fonde të dhuruara nga Kryepiskopi Anastas. Për të marrë pjesë dhe për të qenë sa më pranë besimtarëve në këtë gëzim, erdhi edhe Kryebariu i tyre Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës, dhe i gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, i cili drejtoi edhe Liturgjinë Hyjnore, i ndihmuar  nga klerikët e zonës. Imzot Ignati mbajti fjalën e rastit ku midis të tjerash ai tha: ”Të falënderojmë Zotin që na dha këtë dhuratë që të meshojmë sivjet në panairin e shën Nikollës në kishën e re. Të falënderojmë nga zemra Kryepiskopin Anastas që dha kontributin, lejen dhe bekimet për këtë punë të shkëlqyer, se patjetër, është mënyra e njeriut e para që adhuron Zotin, por është edhe vendi ku kryhet kjo nevojë, prandaj edhe Davidi, Profeti dhe Mbreti thotë: ‘në kisha lavdëroni Perëndinë’ ”. Më pas Mitropoliti foli për jetën e shën Nikollës, duke e quajtur atë si shenjtor popullor për shkak të urtësisë që e karakterizonte.
 
*    *    *
 
    Edhe në Mitropolinë e Gjirokastrës, shumë kisha mbajnë emrin e shën Nikollës. Me qindra besimtarë e kujtuan këtë ditë me lutje dhe përqëndrim tek jeta dhe veprat e shenjtit. Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij, Dhimitri mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore kryer në kishën e shën Nikollës në Përmet, duke bërë thirrje te besimtarët që të imitojnë të gjithë shën Nikollën, veprat dhe filantropinë e tij si edhe të kultivojmë unitetin brenda komunitetit tonë orthodhoks.
 
*    *    *
 
    Edhe në Mitropolinë e Korçës, e diela e 6 dhjetorit ishte e veçantë për qytetin me tradita të lashta në besimin orthodhoks. Vlen të veçohet manastiri tashmë i rikonstruktuar i fshatit Kamenicë, ku me dhjetëra besimtarë kishin ardhur për të kremtuar ditën e shenjtit mbrojtës. Pas Liturgjisë Hyjnore besimtarët u larguan nëpër shtëpitë e tyre duke marë me vete edhe bekimet e kësaj dite të shenjtë.
 
*    *    *
 
    Shën Nikolla është pranë nesh sa herë e kërkojmë dhe kemi nevojë për të, prandaj edhe shumë besimtarë mbajnë emrin e tij; anijet mbajnë ikonën e shenjtit, po ashtu ikona e tij mbahet edhe në shumë limane e porte në botë, sepse shën Nikolla është mbrojtësi i marinarëve. Panairi në nder të këtij shenjti ishte kudo madhështor, por sigurisht që stolia më e bukur e kishave ishin besimtarët të cilët festuan me devotshmëri këtë festë.
Në këtë artikull kontribuan:
Atë Spiro Bulika, Atë Stavri Çipi,
dhjakon Kristofor Malaveci, Orfea Beci, Aleks Curi,
Redaktor përgjegjës: Isidor Koti