Vizita historike e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë, Fortlumturisë së Tij, Theodhorit II do të zhvillohet nga datat 31 tetor – 5 nëntor 2009. Kjo vizitë zyrtare merr një rëndësi të veçantë, pasi në jetën kishtare të çdo vendi, vizita të tilla mbartin një jehonë të fuqishme, për vetë karakterin e tyre të veçantë eklisiologjik dhe historik. Patriarku i Aleksandrisë, Theodhori II në vizitën e tij zyrtare dhe paqësore do të shoqërohet nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Kampalës dhe Eksarku i gjithë Ugandës, Imzot Jonai, nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Muanzisë, Imzot Jeronimi dhe nga Hirësia e Tij, Episkopi asistent, Imzot Nikodhimi i Nitrisë. Delegacioni zyrtar i Patriarkanës së Aleksandrisë do të pritet mëngjesin e së shtunës në Aeroportin “Nënë Tereza” nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Imzot Anastasi, i shoqëruar edhe nga anëtarë të Sinodit të Shenjtë, nga kleri dhe populli, besimtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pritja zyrtare e vizitorëve të lartë do të bëhet të njëjtën ditë, të shtunën, datë 31 tetor pranë Katedrales Orthodhokse, “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” në Tiranë, ku do të psalet edhe dhoksologjia dhe do të shkëmbehen përshëndetjet e mirëseardhjes mes dy Primatëve. Më pas Patriarku i Aleksandrisë dhe delegacioni që e shoqëron do të vizitojnë Manastirin e shën Vlashit, ku do të takojnë stafin pedagogjik dhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” si dhe mësuesit dhe nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”. Vizita pesëditore e Primatit të Kishës aleksandriane do të jetë e pasur me aktivitete dhe takime të shumta, nga të cilat mund të veçojmë bashkëmeshimin Patriarkal dhe Arkieratik të dy Primatëve në Katedralen Orthodhokse “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, të dielën, datë 1 nëntor. Paraditja e së hënës, datë 2 nëntor do t’i rezervohet takimeve zyrtare me krerët më të lartë të shtetit, me Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi, me Kryeministrin, z. Sali Berisha, me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar. Pasditen e së hënës, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës do të takohet me personalitete të fushave të ndryshme, politikanë dhe përfaqësues diplomatikë në ambientet e Hotel “Tirana International”, ku do të organizohet një pritje zyrtare në nderim të vizitës së tij. Ditën e martë datë 3 nëntor, Patriarku, Theodhor II do të jetë i pranishëm në aktivitetin jubilar me rastin e 10-vjetorit të funksionimit të Klinikës Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë. Ditët në vazhdim, ai do të vizitojë edhe Mitropolinë e Korçës, kisha dhe manastire dhe institucione të ndryshme të Kishës, për të parë nga afër veprën misionare që po kryhet në Shqipëri nën udhëheqjen e frymëzuar të Kryepiskopit Anastas. Ngjarje të tilla janë sanksionuar prej shekujsh në traditën kishtare orthodhokse dhe ato janë aq sa të rralla sa edhe të gjalla dhe madhështore për vetë simbolet dhe mesazhet që ato përcjellin. Mbas zgjedhjes dhe fronëzimit të çdo Patriarku apo Kryepiskopi, Primati të Patriarkanave apo Kishave Autoqefale anekënd botës, fillon edhe realizmi i një sërë vizitash zyrtare të quajtura “paqësore” në gjuhën kishtare. Këto vizita kryhen pranë Selive të Kishave të tjera Orthodhokse me qëllim njohjen nga afër të Krerëve të Kishave Lokale, për të ruajtur kështu lidhjen e unitetit kishtar që përbën edhe Institucionin e Kishës në tërësi. Patriarkana e Aleksandrisë, me seli në vendin e Nilit, Egjiptin, ka një histori të lashtë dhe të rëndësishme për vetë rolin që ka luajtur në jetën e krishtërimit. E themeluar që në shekullin e parë nga Apostulli i Krishtit, Marku, Kisha e Aleksandrisë është e njohur për shkollën e saj të famshme teologjike nga ku kanë dalë personalitete që kanë parashtruar fuqishëm tezat e tyre teologjike, që më vonë do të miratoheshin nga Sinodet Ekumenike, duke u pranuar si dogma të përjetshme të së vërtetës orthodhokse. Edhe sot, Patriarkana e Aleksandrisë udhëheq dhe zhvillon përpjekje të mëdha misionare në kontinentin e Afrikës dhe simbolikisht lidhet edhe me Kishën tonë, pasi Kryepiskopi Anastas para se të merrte përsipër udhëheqjen e ringritjes së Kishës të Shqipërisë, mbante mbi supe eksperiencën e suksesshme misionare, gjatë aktivitetit të tij të gjatë baritor si Mitropolit i Afrikës Lindore, që përfshinte nën juridiksion shtetet e Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë. Për të ndjekur informacione më të zgjeruara, galeri fotografike si dhe lajme të përditshme mbi çdo aktivitet që do të karakterizojë vizitën zyrtare dhe paqësore të Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Imzot Theodhorit II, si dhe për t’u njohur me biografitë e anëtarëve të delegacionit zyrtar, vizitoni websitin zyrtar të Kishës së Shqipërisë www.orthodoxalbania.org dhe atë të Patriarkanës së Aleksandrisë www.patriarchateofalexandria.com Është në nderin dhe krenarinë e çdo Kishe dhe kombi pritja e vizitorëve, udhëheqësve të lartë fetarë të Patriarkanave dhe Kishave Autoqefale, të cilët kudo në botë priten me nderet që i takojnë kryetarëve të shteteve. Aleks Curi
|