Në kuadrin e veprave të rëndësishme shpirtërore dhe sociale, Kisha jonë ka çelur këtë vit arsimor dy përkujdesje ditore të reja për fëmijë (kopshte), duke e çuar në 17 numrin e tyre në mbarë vendin. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, bashkë me ndërtimin e kishave të reja në Cërrik dhe Tepelenë, u ndërtuan edhe ambiente të veçanta për përkujdesjet ditore për fëmijë, të cilat vijnë në ndihmë të komunitetit, duke ofruar kushte bashkëkohore për fëmijët dhe një ambient të qetë e mikpritës. Secila përkujdesje ka 25 fëmijë të moshës 3-6 vjeç, dy edukatore me arsimin përkatës dhe një ndihmësedukatore bashkë me një kuzhiniere.
Në Cërrik ambienti është shumë i përshtatshëm, me dy salla mësimi të mëdha (40 m2 secila) të standardeve bashkëkohore me shumë ndriçim dhe mjetet më moderne të qëndrimit. “Ishte kërkesa e vazhdueshme e prindërve të Cërrikut që kjo përkujdesje ditore u hap në një kohë të shpejtë, duke ofruar gjithçka për fëmijët e këtij qyteti” – tha znj. Nafsika Melo, përgjegjëse e Zyrës së Përkujdesjeve ditore të Kryepiskopatës. “Prindërit janë shumë të kënaqur. Fëmijët vijnë të lumtur në këtë kopsht. Baza didaktike është shumë e pasur. Tekstet janë të bazuara në materialet e Ministrisë së Arsimit dhe mbi bazën e kurrikulave të dhëna nga Instituti i Studimeve Pedagogjike” – shpjegon znj. Melo.
Një përkujdesjen ditore të Tepelenës kërkesat e larta të prindërve për të regjistruar fëmijët kanë bërë që të pranohet një numër i kufizuar. “Ne ofrojmë shumë cilësi dhe kujdes të veçantë, duke fituar reputacion në mbarë komunitetin. Në raport me të gjitha kopshtet e tjera publike, përkujdesja ditore që ofron Mitropolia në Gjirokastër dallohen për standardin e lartë” – tha përgjegjësja e këtij sektori në Gjirokastër, znj. Ollga Kaçi. Suksesi i programit është evidentuar gjithashtu edhe në rezultatet e larta që japin fëmijët nëpër aktivitete të ndryshme që organizohen në raste festash dhe ngjarje të veçanta si konkurse, festivale, shfaqje etj.
Gjatë këtyre viteve është rritur ndjeshëm reputacioni i Përkujdesjeve ditore, të cilat i kanë ofruar shërbim më shumë se 8100 fëmijëve të moshave 3–6 vjeç. Përkujdesjet ditore të Kishës sonë janë të licencuara nga Ministria e Arsimit dhe vizitohen rregullisht nga Drejtoritë Arsimore të rretheve përkatëse, të cilat i kanë vlerësuar si për programin ashtu edhe për ambientin dhe materialet edukuese dhe didaktike që disponojnë.
Isidor Koti