U lind në Kretë më 1954, me emrin Nikolas Horeftakis, ku edhe plotësoi shkollimin e tij. U diplomua në Shkollën Kishtare “Rizarios” të Athinës, dhe mori gradë shkencore nga Fakulteti Teologjik, i Universitetit “Aristoteli” të Selanikut. Gjithashtu, studioi Histori Arti dhe Letërsi e Filozofi në Odesë, në Rusi.
Gjatë viteve 1975-1985 shërbeu si kryedhjakon dhe më pas si protosingjel në Mitropolinë e Shenjtë të Lambis dhe Sfakion, ku zhvilloi një aktivitet tërëndësishëm predikues, baritor dhe filantropik.
I thirrur të kthehej në Patriarkanën e vjetër të Aleksandrisë, nga Patriarku Nikolla VI, ai u emërua Eksark Patriarkal në fronin e Rusisë, me bazë në Odesë, midis viteve 1985-1990.
Në vitin 1990 u dorëzua (hirotonis) Episkop i Kirenës dhe u emërua përfaqësues i Patriarkut Partheni III, në përfaqësinë e kësaj Patriarkane në Athinë (1990-1997). Ai shoqëroi Patriarkun e atëhershëm si në udhëtimet misionare në kontinentin afrikan, ashtu edhe në asambletë ndërkombëtare, ndërfetare a teologjike.
Në vitin 1997 u caktua Vikar Patriarkal i Alekasandrisë nga Patriarku i ndjerë Petro VII. Në shtator të të njëjtit vit u caktua Mitropolit i Kamerunit. Gjatë kësaj kohe ai zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm hierapostullor. Ai ndërtoi kisha, institucione arsimore dhe klinika, duke ndihmuar pa rënë në sy shumë vetë.
Në vitin 2002 u caktua në Mitropolinë e Zimbabves, ku ngriti 4 qendra misionare në kryeqytetin Harare, 2 qendra misionare në Malavi, qendra shëndetësore, shkolla teknike dhe përkujdesje për fëmijët e vegjël. Ai gjithashtu drejtoi themelimin e shumë kishave dhe ndihmoi në krijimin e komuniteteve të besimtarëve në Botsvanë dhe Angolë.
Më 9 tetor 2004, u zgjodh unanimisht nga hierarkët e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës së Aleksandrisë në Fronin e Patriarkut të Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës.
Fronëzimi i tij u bë më 24 nëntor 2004, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në Aleksandri, në prani të shumë primatëve dhe përfaqësuesve të Kishave Orthodhokse dhe të Krishtera, liderëve politikë dhe mijëra besimtarëve.
Veprimtaritë e shumta hierapostolike të Fortlumturisë së Tij, ashtu si sjellja e dashur dhe e ëmbël me të gjithë, janë arsyet e dashurisë që kanë për të të gjithë besimtarët e Afrikës.