Në datat 8-12 Tetor u festua 200 vjetori i themelimit të Akademisë Teologjike të Shën Petërsburgut në Rusi. Ajo i ka fillesat e saj si një shkollë fillore, më pas si një seminar, për t’u transformua në vazhdim në Akademi Teologjike nga Mitropoliti Ambros, në vitin 1809. Kjo Akademi, e cila mban emrin e shën Joan Teologut, ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën kishtare të shën Petërsburgut, por edhe në gjithë jetën e Kishës Ruse, madje edhe më gjerë në tërë botën e krishterë, pasi nga bankat e kësaj akademie kanë dalë klerikë, teologë, misionarë dhe shenjtorë. Kujtojmë këtu personalitete të larta si Mitropolitin e Moskës Makarion, misionarin e Japonisë Nikolla Kasatkin, shenjtorin dhe Patriarkun e Moskës Filaretin, shën Joan Kronshtadin dhe ish Patriarkun e Rusisë Aleksin e II-të.
   Në këto festime morën pjesë përfaqësues nga Kisha dhe Akademi Teologjike të vendeve të ndryshme si të Patriakanës Ekumenike të Kostandinopojës, të Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë, Polonisë, Çekisë, nga Seminare Teologjike të Moskës, Ukrainës, Kryqit të Nderuat në Boston etj. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë dhe Akademia e saj Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në shën Vlash të Durrësit, u përfaqësua nga Episkopi Ndihmësi i Kryepiskopit Episkopi i Apollonisë Nikolla.
   Aktivitetet filluan që në pasditen e datës 8 Tetor në ambientet e Akademisë Teologjike të shën Petërsburgut me mbrëmësoren dhe mëngjesoren e festës së shën Joan Teologut, për të vazhduar ditën tjetër me Liturgjinë Hyjnore dhe konferencën përkatëse kushtuar jetës dhe veprimtarisë 200 vjeçare të kësaj Akademie. Në këto festime ishte i pranishëm dhe vetë Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë Kirili. Ky patriark ka një lidhje të veçantë me shën Petërsburgun dhe Akademinë Teologjike të tij, pasi ai ka lindur dhe është rritur në Petërsburg, ka studiuar në këtë Akademi Teologjike dhe gjatë viteve 1974-1984 ka qenë dhe rektor i kësaj Akademie.
    Ditën e Shtunë, 10 Tetor, u zhvilluan disa seanca në çështjet teologjike, kanonike, praktike dhe baritore për të vazhduar me një tryezë të rrumbullakët, në të cilën u diskutua për problemet e tanishme të edukimit shpirtëror. Në këtë takim u theksua në mënyrë të veçantë nevoja e bashkëpunimit midis Akademive Teologjike të të gjitha Kishave Orthodhokse. Kjo ditë përfundoi me një vizitë në manastirin e themeluar nga shën Joan Kronshtadi, në të cilën ndodhej dhe varri dhe lipsani i tij, si dhe në paraklisin e shën Ksenias.
     Liturgjia Hyjnore e së dielës u ndoq në Katedralen e shën Sofisë, në qytetin Tsaskoye Sole, që ka qenë dhe rezidenca e Carit. Më pas u bë një vizitë në një qendër sociale, në të cilën banonin 25 të moshuar, të ngritur nga Kisha dhe nën përkujdesjen e plotë të saj.
    Festimi i 200 vjetorit të themelimit të Akademisë Teologjike të shën Petërsburgut ishte gërshetuar me përkujtimin e 30 vjetorit të fjetjes së Mitropolitit Nikodhim (Rotov) dhe me 80 vjetorin e lindjes së tij. Për këtë, në ditën e fundit të këtyre festimeve, të Hënën më datë 12, u bë një përkujtimore në varrin e këtij mitropoliti nga vetë Patriarku i Rusisë Kirili, i cili ishte i pranishëm dhe në konferencën përkushtuar jetës dhe veprimtarisë së Mitropolitit Nikodhim, që ishte mitropolit në një kohë një kohë të vështirë dhe përndjekjeje për Kishën.
Episkop Nikolla
Për më tepër informacion klikoni këtu: 
http://www.patriarchia.ru/db/text/643662.html