|
Foto nga: Mano Kritsotaki |
---|
Vijon vizita zyrtare dhe paqësore e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhorit të II.
Dita e dytë, datë 1 Nëntor 2009
Mëngjesin e së Dielës, populli besimtar dhe kleri i Shqipërisë përjetuan një ngjarje të veçantë kishtare, bashkëmeshimin e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Imzot Theodhorit II dhe Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Në katedralen orthodhokse, e cila ishte mbushur plot me njerëz, ndodheshin për të pritur Primatët, të gjithë anëtarët e Sinodhit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Gjatë këtij bashkëmeshimi Patriarku Theodhor dhe Kryepiskopi Anastas do të shkëmbenin përshëndetjet dhe mesazhet kryesore që karakterizojnë tradicionalisht vizitat zyrtare të këtij lloji.
Kryepiskopi Anastas do ta përshëndeste vizitën e Patriarkut Theodhor duke shprehur edhe gëzimin e tij me fjalët: “ Çdo vizitë zyrtare e një primati të Kishës Orthodhokse çel një dritare të madhe në mendjen dhe në zemrat e besimtarëve të Kishës lokale, për të kundruar më me kthjelltësi dimensionet e Kishës Orthodhokse në të cilën bëjmë pjesë, “nga njëri cep i botës në tjetrin”.
Kryepiskopi theksoi edhe lidhjen mistike që ekziston midis Kishës së Afrikës dhe asaj të Shqipërisë, sepse siç theksoi ai: “Përvoja e Afrikës ishte një parapërgatitje shumë e vyer për rrugëtimin në udhë të vështira dhe të rrëshqitshme të Shqipërisë postkomuniste për ringritjen e Kishës lokale. Dhe në çdo Liturgji Hyjnore, që ofrohet për Kishën, “nga njëri cep i dheut në tjetrin”, kemi bekimin të gjendemi përsëri, në mënyrë të mistershme, pranë vëllezërve të shtrenjtë tanë në Afrikë, grigjës Suaj të zgjedhur”.
Në përshëndetjen e tij, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori i II do të ripërsëriste edhe njëherë rolin që ka luajtur Kryepiskopi Anastas gjatë veprimtarisë së tij hierapostolike në Afrikë. Patriarku shprehu ngazëllimin e zemrës së tij, kur gjendej në bashkëmeshim me Kryepiskopin Anastas në kungim të përbashkët në dashurinë e Perëndisë Triadik dhe në misterin e unitetit të të dy Kishave, të cilat i bashkon një lidhje e hershme historike që konsiston në dhiakoninë hierapostolike të Kryepiskopit Anastas në Kenia, por edhe në vende të tjera të Afrikës. “Padyshim, Fortlumturi,- theksoi Patriarku Theodhor,- Ju bëni pjesë tek personalitetet e mëdha të epokës sonë. Të gjitha energjitë tuaja frymëzohen nga koncepti ekumenik i Kishës sepse dashuria juaj e parë ishte hierapostolia e jashtme”.
Në vijim, Primati i Kishës së Afrikës përmblodhi të gjithë veprimtarinë misionarike të Kryepiskopit Anastas, duke u ndalur edhe në thënie të shkëputura nga vepra të tij, të cilat sot kanë marrë një autenticietet ekumenik dhe janë kthyer në një himn orthodhoks mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e misionarizimit. Në fund, Patriarku uroi që marrëdhëniet e shkëlqyera të dy Kishave të forcoheshin edhe më tej.
Pas Liturgjisë Hyjnore u shkëmbyen edhe dhuratat simbolike midis dy primatëve. Kryepiskopi Anastas i dhuroi Patriarkut një Potir të Shenjtë, si shenjë e unitetit liturgjik të të gjithë Primatëve, sa herë që kujtohen diptikët në çdo liturgji Hyjnore. Ndërsa Patriarku Theodhor II lexoi vendimin e Sinodhit të Patriarkanës së Aleksandrisë, që i jepte Kryepiskopit Anastas çmimin e Kryqit të Madh të Shën Markut, si një shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij baritor në Afrikë. Ai i dhuroi edhe një engolpio në formën e shqiponjës, si edhe Kryqin e bekimit për Tryezën e Shenjtë, punuar në mënyrë artizanale nga murgjit e manastirit të Shën Andonit, si një kujtim të vizitës së Tij në Shqipëri.
Programi i ditës së dytë të vizitës së Patriarkut do të vijonte me një drekë zyrtare që Kryepiskopi Anastas kishte shtruar në qendrën shpirtërore Thavor. Aty Patriarku do të bisedonte me nëpunësit e departamenteve të ndryshme të Kishës mbi rëndësinë e punës së gjithsecilit për përparimin e të gjithëve. Patriarku theksoi se Kisha e Shqipërisë ka një fat të madh që ka për Primat të saj, Kryepiskopin Anastas.
Mbasditen e së Dielës, Patriarku së bashku me delegacionin që e shoqëronte do të ndiqnin një koncert festiv të përgatitur nga rinia orthodhokse “Bijtë e Dritës”. Në këtë koncert, që organizohej me rastin e përvjetorit të tetëdhjetë të lindjes së Kryepiskopit Anastas, do të performonin grupe të shumta rinore nga e gjithë Shqipëria. Patriarku dhe pjesëmarrësit e tjerë ndoqën edhe një film dokumentar mbi jetën dhe veprën e Kryepiskopit Anastas.
Në fund të festivalit, Patriarku Theodhor, duke mos e fshehur dot mallëngjimin, përshëndeti të gjithë të rinjtë duke u thënë atyre se Kryepiskopi juaj, ashtu si shën Pavli nuk dëshiroi ar dhe argjend, por të përkushtohej te Krishti duke e treguar me vepra dashurinë e tij për Të. “Kur pamë filmin, lotuam me gjendjen e mjerueshme të Kishës, që gjeti Kryepiskopi Anastas. Zoti, nëpërmjet Kryebariut tuaj, ju ka dhënë dhurata dhe do t’ju japë akoma më shumë. Pashë se me sa gëzim e tregoni mirënjohjen tuaj ndaj Kryepiskopit në këngët dhe në vallet tuaja. Kur unë të kthehem në Afrikë dhe të kërcej me tingujt e timpaneve më mijëra fëmijët e mij afrikanë, do t’ju kem edhe ju në zemrën time. Kur mbas shumë vitesh Kisha juaj të ketë përparuar, ju do të kujtoni gjithmonë njeriun që e ka ngjallur atë”. Patriarku shprehu urimin që mbas 20 vjetësh të vinte sërish në Shqipëri për të festuar edhe 100 vjetorin e Kryepiskopit Anastas.
Kryepiskopi Anastas në përshëndetjen e tij për rininë tha: “Nuk gjej dot fjalë për t’u shprehur. Zemra ime është e përmbushur me një mallëngjim të thellë që e shpreh fjala, faleminderit. Me të gjithë zemrën ju uroj dashuri, gëzim, paqe dhe gjithmonë me Krishtin”.
Me gëzim rinor dhe fjalët falënderuese të Primatëve, u mbyll edhe dita e dytë e vizitës zyrtare dhe paqësore të Patriarkut të Aleksandrisë.
Të hënën, datë 2 Nëntor, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Imzot Theodhori II do të takohet me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Jashtëm, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë dhe përfaqësues të trupave diplomatikë të akredituar në Shqipëri.
Aleks Curi