Ditën e premte, më 13 Nëntor, pas kremtimit të Liturgjisë Hyjnore, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua një aktivitet nga studentët e vitit të tretë me rastin e fillimit të kreshmës së Krishtlindjes.
Programi filloi me përlëshoren e Krishtlindjes e psalur nga kori i Akademisë nën drejtimin e pedagogut të muzikës bizantine z. Harallamb Terziu dhe vazhdoi me referuesit, të cilët kishin përgatitur temat mbi Kreshmën. Atë Justini në referatin e tij theksoi rëndësinë e kreshmës, duke nënvizuar fuqinë dhe dobishmërinë e saj në jetën shpirtërore. Ai solli në vëmendje të studentëve disa raste kreshmimi nga Shkrimi i Shenjtë, duke filluar me kreshmën e mbajtur nga Jisu Krishti në shkretëtirë, profeti Moisi në malin Sina, profeti Ilia.
Më pas, programi vazhdoi me lexime të shumta e thënie të etërve mbi kreshmën si edhe me tropare të tjera.
Referati tjetër u mbajt nga pedagogu i Agjiologjisë z. Thoma Shkira. Tema që trajtoi ishte: “Kreshma, një mjet shenjtërimi”. Ai gjatë fjalës së tij hyrëse tha: “Porosia e Perëndisë për të parëgatuarit në Dhiatën e Vjetër, por dhe përcaktimi i ditëve të kreshmës nga Kisha jonë nuk janë për ta kufizuar njeriun në mundësi apo për të privuar lirinë e tij. Njeriu me kreshmën ruan komunikimin e tij me Perëndinë dhe gjen veten në zgjedhjen e lirisë për të jetuar sipas dëshirës së Perëndisë. Porosia nuk privon Evën dhe Adamin, por i lejon të zgjedhin dhe kështu tregohet jo vetëm liria e njeriut, por edhe madhështia e Perëndisë për të mos e burgosur krijesën”. Më tej z. Shkira pohoi “se nga njëra anë ruajtja e kreshmës është në proporcion të zhdrejtë me mëkatin, sepse sa më shumë thellohet përjetimi ynë me Perëndinë nëpërmjet kreshmës aq më pak zvogëlohen mëkatet, tundimet dhe ndikimi negativ i tyre në jetën tonë, ndërsa nga ana tjetër ruajtja e kreshmës është në proporcion të drejtë me përfitimin e virtyteve dhe njëkohësisht dhe me arritjen e qëllimit tonë, shenjtërimit”.
Programi përfundoi me psaljen e Zbritësoreve të Krishtlindjes. Në fund ndihmësdrejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Hirësi Nikolla, i ftoi studentët për të bërë një analizë të vetes në këtë periudhë për të parë, nëse ne me veprat tona e kemi pritur Perëndinë apo e kemi përbuzur Atë. Të gjithë të pranishmit kaluan më pas një kohë të qetë meditimi.
* * *
Mesazhi i Festave Kombëtare, të cilat festohen çdo vit nga të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen, u përcoll edhe në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash me anë të një programi festiv me ngjyra kombëtare, për të kujtuar si duhet ditët e shënuara në historinë e vendit tonë. I ftuar për të referuar në këtë veprimtari ishte z. Stefan Dedja, mësues i Historisë në Liceun Kishtar “Kryqi i Nderuar”, Sukth. Në referatin e tij z. Dedja theksoi se: “Shpallja e pavarësisë ishte mbyllja e një epoke luftërash e përpjekjesh shekullore. Ajo sanksionoi të drejtën historike për të qenë të bashkuar, të lirë e të pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë. Figurat e shquara të popullit tonë sot nderohen për sakrificën e tyre dhe mbi të gjitha ata që punuan për dijen dhe rritjen e nivelit kulturor duke e ditur vlerën e arsimit edhe atëherë kur ishte errësirë e dendur, ata e gjetën rrugën e tyre.” Referuesi e mbylli fjalën e tij duke thënë: “Sot Akademia mban emrin “Ngjallja”, pa të cilën besimi ynë nuk do të ekzistonte. Le të përpiqemi të gjithë për të mbushur kishat tona me njerëz të arsimuar, sepse vetëm kështu do të jemi krijues në veprën tonë”.
Në vazhdim, studentja e vitit të dytë Kristina Tolaj kishte përgatitur një material të titulluar “Dita e pavarësisë”, ku flitej për veprimtarinë politike të figurës historike të Ismail Qemalit dhe për rrethanat në të cilat më 28 nëntor 1912 u ngrit flamuri kuq e zi, në qytetin e Vlorës. Ndërsa studenti i vitit të parë Kostandin Shtuni në materialin e tij të përgatitur për këtë aktivitet, shpjegoi lidhjen e flamurit tonë kombëtar me flamurin e Perandorisë Bizantine, duke nxjerrë në pah faktin e pakundërshtueshëm që Krishterimi ka qenë fe kryesore ndër trevat dhe popullin shqiptar që nga vitet e hershme.
Fëmijët e Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, përshëndetën të gjithë të pranishmit me një program të shkurtër. Ndërsa kori i Akademisë, i cili hapi dhe mbylli këtë aktivitet psali himne kishtare dhe këndoi këngët tashmë të njohura me tematikë kombëtare,”Himni i flamurit”, “Ty flamur të duam shumë” etj. Në fund fjalën e mori ndihmësdrejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Hirësi Nikolla. “Që të jesh një qytetar i mirë dhe me vlera, që të nderosh atdheun dhe vendin tënd duhet të kesh mirësi dhe dashuri. Të dyja këto virtyte përmbushen te çdo besimtar. Prandaj një besimtar i mirë është dhe duhet të jetë një qytetar i mirë. Ne gjithashtu duhet të kujtojmë dhe të nderojmë figurat e shquara historike, por edhe historinë në tërësi të popullit shqiptar”. – theksoi ai.
Nestilda Dangaj
Studente e vitit IV
Studente e vitit IV